19 Qershor, 2022 - 11:00 pm
Nga Pjetër Logoreci
Maria lindi në Shkodër me 23 shtator 1920, në një familje me tradita qytetare e patriotike. Që në fëmini ajo u dallua për zërin e saj të bukur në interpretimet e mrekullueshme të këngës qytetare shkodrane të cilat i shoqëronte vetë në mandoline apo kitarrë. Përvec dashurisë për këngën, ajo ishte e apasionuar edhe pas pikturës. Si një grua e emancipuar edhe pse u përballua me mentalitetin e kohës, pas clirimit të vendit në vitin 1945, ajo vendosi ti kushtohej artit duke filluar punën si këngetare në Radio Tirana. Në radio këndonte cdo ditë nga 5-6 kënge nga repertori i saj mbi 100 këngë. Aty pat kontakte dhe këndoj së bashku me këngëtar të mirënjohur si Gjyzepina Kosturi, Maria Kraja, Kristaq Antoniu, Jorgjia Truja, Hysen Pelinku. Dy vjet më vonë punësohet si aktore profesioniste në teatrin popullor në Tiranë ku spikat me talentin e saj. Në karrieren e saj të gjatë ajo krijoj në skenë figura të paharruara të cilat mbetën në kujtesen e artdashesve shqiptare. Përvec figurave nga teatri kombëtar, Maria krijoj po me aq sukses edhe figura nga dramaturgjija e klasikeve botëror si Shileri, Lorka, Molieri, Cehovi, Shekspiri… Asaj i mbetet merita kryesore e krijimit të figurës të grues shqiptare në teatrin tonë kombëtare me interpretimet unikale si nënë, motër, heroinë…. Për cdo shqiptar figura e nënës, (Lokes) te TOKA E JONE, te CUCA E MALEVE apo te PERMBYTJA E MADHE, mbeten të paharruara e të papëseritëshme. Karakteristike e lojes së saj aktoriale ishin shpërthimet e fuqishme emocionale të cilat buronin nga shpirti i saj e që i perjetonte vete në qenien e saj. Zëri i saj i ngrohtë, melodioz e i sinqertë të jepte ndjesinë e një gruaje burrneshë e të fortë në karakter, të sigurtë në jetë e në atë cka krijonte në skenë.
Në rolin e Lokes te filmi “Toka e Jonë” 1964
Shokët, miqtë e kolegët për Logorecin
Pirro Mani ka shkruar: “Marie Logoreci s´pati rast të kryente shkollë teatri, por në sajë të talentit e punës këmbëngulëse, përvojës së madhe jetësore, u bë vetë shkollë për të tjerët, sidomos për artistët dhe regjisorët e rinj që i ndihmonte dhe i mbështeste pa u kursyer. Kryesorja që mësuam prej saj është vërtetësia e madhe e interpretimit, e krijimit të figurës artistike të personazhit. Ajo ishte gjithnjë e vertetë sepse s´pranonte kurrë dicka që nuk e bindte fort, që nuk i “ngjiste” te vetvetja, e prej këndej buronte sinqeriteti dhe natyrshmëria e saj në interpretim”
“Eshtë për tu përmendur që shumica e roleve të interpretuara nga Maria kanë qenë role kryesore – është shprehur artistja e merituar Behije Cela, ….ajo që më bënte përshtypje te Maria ishte thjeshtësia e saj. Një aktore si ajo, me një galeri të larmishme rolesh, përsëri kurrë nuk pretendonte se bënte cdo lloj roli.”
Ndrek Luca, e ka përshkruar Marien me këto fjalë: “Maria ishte një aktore e madhe, me një individualitet të vecantë. Energjia, ekspresiviteti, dinamika, zëri i saj i bukur janë shfaqur me virtuozitet në shumë figura si Lokja, Tringa, Gjela e Alisa, Gertruda nga dramaturgjia botërore. Më kujtohet shpesh finalja e dramës Toka e Jonë, në të cilën Maria zbulonte tërë forcën e shpirtit të saj, të talentit të saj. Pas vrasjes së Murrashit, duke e përmbajtur dhembjen, i thosha nënës për herë të parë “Loke” dhe ajo më përqafonte me lot në sy, duke më thënë: ”Lekë, bir i nënës…” Ishte një përqafim sa prekës, aq dramatik, që më ka shoqëruar për vite të tëra.”
Në filmin “Toka e Jonë”, Lokja e Leka, 1964
Aktorja e madhe Roza Anagnosti për Marien: “Kur e kam parë Marien për herë të parë te Toka e Jonë, ishim fëmijë: mu duk një yll i paarritshëm, një ëndërr. Nuk mund të mendoja se një ditë do të ishim partnere me te. …. Kisha qejf ta ndiqja, ndaj rrija në cep të skenës dhe e admiroja. Maria kishte një portret të bukur e një shikim të vecantë që do të ngelet në kujtesën e njerzve, sic kanë ngelur sytë e Aleksandër Moisiut e të Naim Frashërit. Sytë e saj ishin depërtues, por kur duhet të luante të verbrën te “Cuca e Maleve”, ato sikur shuheshin, në to vezullonte një dritë e turbullt që të trondiste.”
Marie Logoreci e Roza Anagnosti ne filmin “Toka e Jone”, 1964
Aktorja Eva Alikaj për Marien: “… T´i transmetosh shikuesit të gjithë dramën shpirtërore, të tipizosh deri në detaje e në vijat themelore një tip shoqëror, të krijosh figura artistike përfaqësuese të një epoke të caktuar, sic arriti të bëjë aktorja jonë e madhe Marie Logoreci, do të thotë të kesh një pasuri të pafundme mjetesh shprehëse, një këmbëngulje të admirueshme dhe pasion të madh, një dashuri të jashtëzakonëshme për artin skenik, për njerzit.”
Shkrimtari Kolë Jakova për Marien: “…Marie Logoreci krijoi një galeri tipash nga më të ndryshmit. Pasi u luajtën “Prefekti” dhe “Halili dhe Hajrija”, ku Maria luajti role episodike, i erdhi radha dramës “Toka e Jonë”. Pandi Stillu si regjisor, une si drejtor dhe autor i dramës, menduam që rolin e Lokes t´ia jepnim Marie Logorecit. Për këtë nuk u gabuam. Maria e mori rolin me pasion të madh. Ajo vec provave që bënte në sudio, punonte në shtëpi deri natën vonë. Një ditë më tha disi e hutuar: Ti po më cmendë. Unë tashti nuk shikoj tjetër vec Loken. Ajo më del edhe në gjumë. Nuk e di si do t´ia arrij këtij roli që e dua me gjithë shpirt…… Maria pati fatin të luaj me aktorë si Naim Frashëri, Loro Kovaci, Mihal Popo, Sandër Prosi ….Partneri i mirë të frymëzon. Ajo fliste dhe pa folur. Ajo na mahniste edhe me qëndrimin e saj të heshtur. Maria ishte njohëse e shpirtit të popullit. Kur hynte në skenë e veshur me kostumin karakteristik malësor dhe me stap në dorë, qëndronte mbi një sukë të ngritur, dukej sikur vinte nga Iliria e lashtë dhe ngulej në mes të skenës si monument”
Në dramën Përmbytja e Madhe, roli i Gjelës 1977
Aktorja Besa Imami ka treguar për jetën e saj në teatër me Marien: “ Me Marien po thuajse tërë jetën skenike kemi qënë në një kabinë. E njoha atë ashtu sic ish. E bukur, me sy, vetlla e flokë të zes. Tepër e gjallë, tepër e qeshur, me një gaz tingëllues. Me sy ekspresive si të Maries, qi ishin aq të ëmbël në butësi e aq të egër në inat. Ata sy i mbaj mend mirë, sepse shpesh më ka qëlluar të jem ballë për ballë me te në skenë si nënë e bije, si nuse e vjehërr, si motra, si shoqe, si armike….”
Aktorja Margarita Xhepa për Marien: “ Si na ka mbetur në mendje dhe në sy motra Tone e Kolë Idromenos, pejsazhet e Vangjush Mios, ashtu është skalitur Lokja e Marie Logorecit që është sintezë e të gjitha Loke-ve shqiptare. Maria ishte një nga shtyllat e randësishme të zhvillimit të teatrit dhe pati fatin e madh të shkëlqente në kohën e rimëkëmbjes së Teatrit Kombëtar. Vitet “50 – 60- 70” janë padyshim më të ndriturat, ato përbëjnë një epoke në vehte, nga e cila dolën gjigande të vertetë të artit”
Aktorja Drita Pelingu: “….Natyrë gazmore, pak e zhurmëshme, pak serdërlie dhe e rrëmbyer… në prova vinte cdo ditë me disa minuta vonesë (2-3 minuta). Apelit që bëhej perditë në studion kryesore i pergjigjej që tek porta e jashtme e oborrit – “Këtuuuuuu”. Gazi shpërthente në sallë..Hobi i saj: kafshët shtëpijake, lulet dhe gjelbërimi në kopshtin e vilës. Aty kishte dhe një nerënxë. Ajo mi binte me shportë dhe me mësonte ti bëja recel”
Në filmin artistik “Dollia e dasmës sime” 1978
Shkrimtari Loni Papa shkruan: “Kur flasim për aktorë të mëdhenj, gjithmonë në ndiejmë se qënia e tyre shpërfytyrohet përpara shikuesit dhe humbet në botën e thellë të personazhit, ku edhe merr një shtrierje kohore, e me “magjinë” e rolit, hyn në ndjenjën e secilit. Kjo mund të thohet për aktoren Logoreci; jeta e saj u shpërbë dhe duhet kërkuar në jetën e personazhit. ……Do të kalojnë kohëra dhe drama “Toka Jonë” si një vepër madhore e teatrit tonë, do të rivihet e do të rivihet në skenë. Pa qenë skeptik, vështirë që ndonjë aktore e ardhshme të barabitet me Loken – Marie.”
Yllka Mujo – Aktore: “Stili i M. Logorecit ka vulen e natyrës së saj. Karakteri dramatik, temperamenti, aftësia e rrallë komunikuese kanë gjetur shprehjen e tyre të plotë në të gjitha levizjet dhe në shqiptimin origjinal. Ajo di ti imponojë spektatorit figurën artistike të krijuar dhe këtë e arrin me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk, që nga pasuria intonative e zërit e deri tek natyra e vet dinamike. Aktorja ka arritur të njohë mirë, nganjëherë deri në virtuozitet forcën akustike të veprimit mbi spektatorin. Një pausë e zgjedhur në castin e duhur, një fjalë e bashkangjitur me vend, për një aktore si Maria ka qënë një efekt shprehës që përdorej për të arritur një objektiv të caktuar ideoemocional.”
Në rolin e Tringës në dramën e Ndrek Lucës “ Shtatë Shaljanët” 1958
Prof. Gjovalin Shkurtaj në shkrimin e tij – Prurje në lëmin e të folurit skenik. (Diksioni, intonacioni dhe timbri vetiak i papërsëritshëm i Marie Logorecit) në mes të tjerash shkruan:”Marie Logoreci vuri një gurë themeli në interpretim, në diksion, në intonacion, në shqiptimin funksional e plot me ngjyra të këndëshme, përgjithësisht në një gjuhë mjeshtrore dhe me timbre vetiake.”
Optika sipas të cilës aktorët, kolege të Maries përshkruan magjinë e artit të saj, tregon se Marie Logoreci së bashku me plejadën e aktorëve të mëdhej të teatrit kombëtar: Zef Jubani, Mihal Popi, Loro Kovaci, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, janë ato që vëndosen themelet e traditën e teatrit kombëtar, që zë një vend të rëndësishëm të kulturës sonë.
Për aktivitetin e karieren e saj brilante artistike në fushën e teatrit e të kinematografisë, Marie Logoreci u nderua në vitin 1969 me urdherin “Naim Frashëri” e më vonë në 1975-sën me titullin e lartë “Artiste e Popullit si dhe se fundi me titullin “Nderi i Kombit”.
Shënim:
Referencat janë marrë nga gazeta “Drita” e 26 qeshorit 1988 si dhe nga libri “Marie Logoreci”. Ky shkrim vjen pa ndërhyrje, ashtu si e ka shkruar autori./ KultPlus.com