Malli për Kosovë

25 Korrik, 2021 - 9:50 pm

Nga Nezir Kraki

Para ca kohe e pata sqaru origjinën e fjalës nostalgji e cila ne shekullin 17 ishte sëmundje që përshkruante mallin për shtëpi, dhembjen që ushtarët zviceranë ndjenin kur ishin ne mision jashtë vendit (ne Romë apo Paris). Ne atë shkrim thoja:

« Si shqiptarë, ne e njohim këtë ‘sëmundje’ më shumë se mercenarët zviceranë. Ne që kemi gati dy mijë vjet që jemi, në një formë ose në një tjetër, larg vendit, larg shtëpive tona. Ne nuk kemi pasë këngë pastorale si zviceranët për t’na kujtuar rrugën e kthimit por një melodi mërzie e loti ka shekuj që na trazon zemrat për një vend, për një shtëpi që kurrë s’u bë e jona. Kur Rousseau flet për lotët e ushtarëve helvetikë, mua më kujtohen lotët tanë, lotët e baballarëve tanë, lotët e nënave tona në pritje e përcjellje të pandalura, në përqafime të ngutshme rrugëve e aeroporteve të botës. Mendoj për gjithë ata prindër që i takuan fëmijët e tyre në pleqëri sepse udhëtimi i tyre kishte zgjatë më shumë se ai i Uliksit në poemën e Homerit. Nostalgjia jonë s’ka qenë veç dhembja për kthimin në shtëpi por edhe dhembja e atyre që në shtëpi e prisnin kthimin tonë.»

Tragjedia e sotme ma kujtoi « sëmundjen » tonë kolektive- mallin për kthim, për kthimin e dhimbshëm. Sepse s’ka shumë popuj si ne që rrugët e botës i shënjuam me djersë e gjak kurrë atdheun pa e harru.

Pa e harru kurrë tokën që lamë e që na tërheq si një forcë e pasqarueshme. Çdo verë mërgimtari bëhet supernjeri dhe niset për shpi, pa i mendu as rreziqet, as shpenzimet, as lodhjen e as zhgënjimet…

Krejt këto peshojnë zero përballë thirrjes së brendshme që zemrën ta komendon. Siç e ka sqaru Brabara Cassin nostalgjinë e saj për Korsiken, edhe neve na duket se lisat e rrugët na flasin kur jemi atje, kur jemi n’shpi.

Sot ai autobus kishte shumëfish më shumë dhembje e mall për atdheun sesa udhëtarë. Sot rruga e kthimit s’i çoi askund ata shpirta të lodhur e te përmalluar për Kosovën e tyre aq të nemur e aq të bekuar njëkohësisht.

Jemi te vetmit në botë që edhe jetën e japim veç me e shkele tokën ku lisat e rrugët na duket se na flasin.

Shpirtat e tyre u kthefshin të qetë në atë tokë! Ngushëllimet e mia te thella secilës familje që sot futet e përjetësinë e pritjes për kthim. / KultPlus.com

Të ngjajshme