10 Shtator, 2020 - 4:00 pm
Nga Ballsor Hoxha
Dy nënat, A. dhe E. janë të ulura përballë arsimtares së vajzave të tyre. (pozita tregon tërë jetën e tyre). Në këtë, A. i ka flokët lara me ngjyrë rozë, dhe E. i ka flokët e rruara. Derisa i shikon, arsimtarja, femër, konzervative, e izoluar brenda mësimdhënies, ajo është në mëndyshje: nëse dy nënat e dy nxënëseve të saj janë – kurva – apo nëse janë – drogirashe -. Por e ka një problem në kognicionin e saj: vajzat e tyre kanë sjellje krejtësisht të shkëlqyeshme në të gjitha aspektet në shkollë.
Arsimtarja, drejtori, nënat tjera, tërë shoqëria është në dilemë me këto dy nëna të suksesshme në jetë. Nuk e ka kognicionin për të gjykuar ato çka janë. E krejt çka janë këto dy gra janë të mallkuara për kërkuar, për të krijuar dhe për të zgjedhur lirinë.
Shkurorëzimi, ndarja, vrasjet me motiv tradhtinë dhe bashkëshortësinë etj, janë duke ndodhur në shoqërinë tone masivisht. Në qytet, në fshat dhe në qytezat deri më tash të njohura për jetët e tyre të “vogla”, konzervative dhe të pasherr.
Konflikti dhe dhuna bashkëshortore është krimi, konflikti dhe drama kryesore në shoqërinë tonë sot.
Por deri para disa viteve kjo ka qenë krejtësisht e panjohur. E pamundshme, në të vërtetë. E pa mendueshme. Ky është fenomen i porsa lindur në shoqërinë tonë.
Ky është fenomen i cili shpërfaq në tërësi kalimin e shoqërisë sonë. Kalim prej të njohurës së parashikueshme, në jetë të lirë, të pavarur, në jetë ku zgjedh dhe të pavarur në zgjedhje.
Ky kalim është në të vërtetë vetëm një kalim i vetëm dhe i veçantë: kalimi i gruas.
Kalimi i gruas nga një qenie e mbytur nga rendi, përgjegjësitë dhe mundësitë që ia ka parashikuar shoqëria deri më sot.
Dy gratë. A. dhe E. janë shoqe tejet të afërta. Në të vërtetë sa më shumë janë të pavarura në zgjedhjen e tyre, aq më të afërta bëhen (kujto filmin Thelma and Louise të Ridley Scott). Zgjedhja e tyre në të vërtetë e pavarur, me përgjegjësinë nënave, me lirinë e zgjedhjes, i traumatizon, i mbanë nën kërcënimin e shoqërisë dhe normave të saj, dhe i ndëshkon në jetën e përditshme. Dhe pikërisht kjo i bën më të traumatizuara, të mbyllura në një traumë të përbashkët, në “partnere në krim””.
Vështirë për t’u kuptuar, vështirë për t’u perceptuar, vështirë për t’u kapur si fenomen, të dyja vuajnë vetminë e të qenit ndryshe, në pavarësinë e zgjedhur të tyre dhe në lirinë e zgjedhur të tyre.
Kalimi i gruas sot, nga të qenit objekt që pavarësohet në subjekt, rritë subjekte të tjera (fëmijët e saj), që ka guximin të luaj me jetën (Simeone de Beauvoir) dhe rebelimi i saj ndaj burgut të ankthit të lirisë së shoqërisë sonë kolektive, është në të vërtetë kalim i shoqërisë sonë.
Gruaja është duke e bartur këtë kalim. Me flokët e saj rozë, me të “shr=frenimin e saj” “për kafe e cigare”, me “Jack Daniels në dorë” derisa frymon trishtimin e të qenit e para, përballë murit të të panjohurës së shoqërisë sonë, dhe prekë fundin, përfundimin e botës së shoqërisë sonë të tmerruar nga ndryshimi, është fëmija i kësaj shoqërie të përvuajtur dhe në ankthin e përvojës tragjike të saj.
Në të vërtetë, ka një dallim këtu, mes shoqërisë e cila e ka mishëruar tërë jetën, jetësimin dhe përjetimin e jetës së saj në rrjete sociale. Dhe po ashtu në përbrendësim të brutales së videove muzikore shqiptare. Dhe pjesës së shoqërisë e cila është nën mallkimin për të provuar lirinë, për të zgjedhur, për të jetësuar lirinë, ashtu siç e percepton dhe sheh.
Ndaj këtu është marrë shembulli i jetës së vërtetë i dy grave, A. dhe E. që kanë “dalë tefterit” dhe kanë provuar pavarësinë. Pavarësinë e lirisë. Pavarësinë e zgjedhjes. Është përballje me ankthin e lirisë dhe me kufirin e lirisë, fundin e botës sipas shqiptares, sipas mundësisë së anëtarit të shoqërisë sonë.
Vetëm pak kohë më parë ka pasur një rast në Kosovë të brutalitetit të seksuales ndërnjerëzore ndërmjet anëtarëve të farefisit që përfundoi me masakër. Po ashtu masakra është duke vazhduar tutje, Në Shqipëri, në Kosovë, dhe kudo në shoqërinë shqiptare. Shqiptari është i çoroditur nga liria. Mundësia e zgjedhjes, qoftë divorcit apo edhe flokëve rozë, apo edhe sjelljes në përputhje me lirinë. Anëtarit të shoqërisë sonë i mungon mekanizmi i kognicionit të përgjegjësisë në liri. Gjykimit në liri. Perceptimit në liri. E tërë kjo duke qenë trauma kolektive të cilën e vuajmë, dhe e cila ka marrë shtytjen për të shpërthyer.
A. dhe E., sot janë në MItrovië Veriore, njëra, dhe tjetra në Beograd (krejtësisht pabesueshëm) duke kryer profesionin dhe punën e tyre profesionale. Të pavarura për të zgjedhur. Të pavarura për të krijuar lirinë e tyre me zgjedhjen e tyre. Aq më shumë (lexo: aq më keq) për të dëshmuar njerëzinë përballë “ të qytetëruarve serbë”. Është shtytje për ballafaqim. Është shtytje për konfirmim. Është mallkim për të jetësuar lirinë e tyre.
P. S. ku janë burrat e tyre? Të shkurorëzuar? Të humbur në punën e tyre? Të dorëzuar/nënshtruar? Apo, të jetuarit në afërsinë e tyre, janë të fascinuar nga guximi i këtyre dy grave! Ti zgjedh.
(Dedikim për gruan me flokët rozë)