17 Shtator, 2020 - 11:00 pm
Ballsor Hoxha
krijimi i lirisë do të thotë përgjegjësi për lirinë tënde, ndaj vetes, dhe tjetrit. Është të jetuarit dhe të jetësuarit të lirisë me përvojën tënde, me kognicionin tënd dhe, shumë herë, me plagë të dhembshme të zjarrit të lirisë tënde –
Ku jemi ne në të vërtetë? SI burra? Si gra?
Sot në lajme e ditës së 12 shtatorit, titulli i një prej lajmeve kryesore në të gjitha gazetat është
“Abuzimi me 13 – vjeçaren në Pogradec, eskeprtiza: E mitura është përdhunuar dhe rrahur mizorisht”
Mbi të gjitha, abuzimi i lajmit në fjalë ka ndodhur permes, dhe pa dijen e prindërve. Askush nuk e njeh lirinë më.
Vetë prindërit janë të përfshirë, pa dijen e tyre, në abuzimin e fëmijës së tyre, shndërrimi i kognicionit, të njeriut dhe çdo gjë që vjen pas tij është evident. Është i huaj. Është i rrezikshëm për jetë.
Ne si shoqëri nuk arrijmë të perceptojmë ndryshimin. Kalimin.
Por kalimi është krijim i lirisë, zgjedhje e lirisë, njohje e lirisë, në përballje dhe në jetësim të saj.
Pavarësisht pushtetit tonë, ndoshta “Përdalja e femrës sonë” sot, për ne si shoqëri është shenjë se jemi të marrë/fascinuar nga femra jonë. Nga guximi i saj, për t’u dorëzuar ndaj lirisë, për t’u emancipuar, për të krijuar lirinë e saj. Qoftë për t’u dorëzuar në guximin e eksplorimit të lirisë. Në anën tjetër burrat e kanë strehën, pushtetin dhe rezervën e përhershme në sistemin patriarkal të shoqërisë sonë, qoftë edhe në tradhtinë, e qoftë edhe në masakrat ndër-familjare. E qoftë edhe në kurorëzim e shkurorëzi, paradoksalisht, aq larg shkon pushteti i burrit.
Ndoshta ne jemi të marrë/fascinuar nga femrat tona në përballjen e tyre me lirinë. Ne jemi të fascinuar me to në kapjen dhe kacafytjen e tyre me lirinë e pamatë, të hapur, që nuk ka as kufi dhe as përgjegjësi kolektive, në këtë liri të re.
Ndoshta ne jemi të marrë/fascinuar me femrën tonë sepse ndoshta jemi të shastisur, qoftë për të parë veten të dorëzuar ndaj lirisë, e qoftë për të parë gruan tonë të përpiqet për të krijuar lirinë e saj.
Ne, në fund nuk arrijmë të perceptojmë se gruaja është duke e bartur edhe kufirin tonë të lirisë të cilën e gëzojmë, pavarësisht se është e lënë jashtë strehës, pushtetit dhe rezervës së sistemit të vlerave të shoqërisë sonë.
A. personazhja jonë me flokët e saj rozë, si rebelim, si rrënim dhe si sfidim i pushtetit tonë, është e gjallë, punon, rritë dy fëmijë me burrin e saj, dhe krijon vazhdimisht lirinë e saj. Para shkollës së fëmijës së saj që e gjykon për – kurvë –, e qoftë para shoqërisë së saj që e konsideron për drogirashe. E qoftë përpara shoqërisë sonë që e sheh si kërcënim në çdo gjë të saj, qoftë në fëmijët e saj.
A. personazhja jonë është simbol i kalimit të lirisë sonë, lara e saj rozë, liria e saj e zgjedhur, vena në dorën e saj derisa feston ngadhënjimin në liri, aroma e parfumit të saj dhe aroma e “chilli con carne”-së (pasulit të përgatitur) përzier në duart e saj, janë shenjë e ballafaqimit me jetën. E traumatizuar, është e frikësuar, është e tmerruar nga mallkimi i saj, shumë herë, dhe në shumë situata. Ajo është e dëshpëruar, është në depresion, në vështirësi, prej atyre financiare dhe deri tek ato ndër-njerëzore. Ajo është, edhe, delja e zezë/rozë e lirisë së shoqërisë sonë. Ajo është edhe e humbur në përpjekjen e saj për krijimin lirisë. Por, mbi të gjitha ajo është duke ngadhënjyer mbi frikën prej lirisë, dhe duke u rebeluar ndaj lirisë sonë të improvizuar. Të parashikueshme. Dhe të automatizuar në sjellje turme që nuk sheh asgjë tutje jetës së njëjtë dhe të pandryshueshme.
Kalimi i lirisë, nga një gjë e parashikueshme në një martesë me mundësi shkurorëzimi por me pamundësi realizimi, në martesë me mundësi jo vetëm realizimi por edhe zgjedhjeje të shkurorëzimit, ka krijuar paparashikueshmërinë e gruas. Të panjohurën e saj. Frikën nga krijimi dhe zgjedhja e saj e lirisë.
Për fund, gruaja A. nënë e dy fëmijëve me lara flokësh rozë, në provokimin e saj; në rebelimin e saj; në kognicionin e saj të lirisë dhe për lirinë, është edhe shkak i shumë dhembjeve, personale dhe të afërta. Krijimi i saj i lirisë është mallkim. Mallkim për t’u kacafytur me të renë, me izolimin, me parashikueshmërinë e lirisë.
A. është duke krijuar lirinë e saj, me plagët që merr në rrugë e sipër, me “Leçitjen” që i caktohet si e “përdalë”, me kërcënimin nga burri në shoqërinë tonë, me habinë e fëmijëve të saj për një nënë – ndryshe -.
Krijimi i lirisë, jo ndërtimi dhe as eksplorimi, është zgjedhja, që ta jep lirinë më të madhe të mundshme, por edhe përgjegjësinë më të madhe të mundshme duke qenë se e ke zgjedhur vetë./ KultPlus.com