Mallkimi i fjalës…

21 Gusht, 2018 - 1:00 pm

Nga Elona Caslli.

Mallkimi i fjalës!

Në Shqipërinë time, në Shqipërinë tënde, në Shqipërinë e të mençurit, në Shqipërinë e të marrit, në Shqipërinë e dritës, në Shqipërinë e territ, në Shqipërinë e fqinjit, në Shqipërinë e të panjohurit, në Shqipërinë e të gjithëve vlon mallkimi i fjalës!
Në zonat veriore të Shqipërisë kur duan të mallkojnë dikë, mallkojnë fjalën e tij, duke i thënë:

– Të vdektë fjala!

Çfarë do të thotë të të vdesë fjala?! Çfarë do të thotë ta varrosësh fjalën?! Çfarë do të thotë të dënohesh përjetësisht me heshtje?!

Nuk ke të drejtë të flasësh, sepse fjala të ka vdekur.
Nuk ke të drejtë të kërkosh të drejtën, se e varrose fjalën.

Ke vetëm një të drejtë: të heshtësh.
Po, vetëm kjo e drejtë të përket!

Të heshtësh kur vesi burgos virtytin.
Të heshtësh kur marrëzia udhëheq urtinë.
Të heshtësh kur verbëria të dikton udhën.
Të heshtësh kur kupton se ardhmja është peng i së shkuarës.

Të heshtësh, të heshtësh, të heshtësh, derisa një ditë, t’i bashkohesh në përjetësi fjalës. /KultPlus.com

Të ngjajshme