20 Nëntor, 2019 - 12:32 pm
Për t’u treguar sa më modernë e europianë, ne shqiptarëve na ka përfshirë edhe një mani deri në marrëzi, në vendosjen e emrave që nuk kanë asnjë lidhje me gjuhën e bukur shqipe.
Dhe kjo mani fillon që me vënien e emrave bebeve të sapolindura e deri tek emërtimi i dyqaneve, lokaleve e institucioneve të ndryshme. Shfletojmë regjistrat e shkollave dhe gjen në ta emra nxënësish nga më të ndryshmit që nuk kanë asnjë lidhje me traditën, aktualitetin, gjuhën shqipe e shqiptarët.
Hasim emra të tillë si Roes, Enki, Erda, Alesja, Sindi, Saldi, Fabrizio, Elmisa, Asli, Ruseli etj. dhe nuk e kuptojmë se çfarë domethënie kanë, me se lidhen, nga e kanë origjinën, e ç’kuptime simbole kanë. Në shumicën e rasteve, as prindërit vetë nuk e dinë përse ua kanë vënë e çfarë duan të thonë emra të tillë, përveçse shumica e tyre janë thjesht bashkime mekanike shkronjash, gjoja si gjetje të reja që të mos i ketë kush tjetër këta emra në lagjen, fshatin apo qytetin ku banojnë. Askush nuk mund t’i dallojë dot, se në ç’gjini janë, nëse nuk i ka parasysh, emra të tillë si Eni, Enki, Sindi, Saldi, Asli, Ani, etj. Në vënien e emrit të bebes, duhet të kemi parasysh, se ai ndikon shumë në karakterin e fëmijës, sidomos kur të rritet, deri sa ai të shprehet: “Mu mërzit emri që mbaj!” Kjo ka të bëjë sidomos me qëndrimin qesharak që mbajnë moshatarët ndaj tij. Emrat duhet të jenë të ndarë sipas seksit. Sipas një studimi është konstatuar se djemtë që mbajnë emra vajzash janë më agresivë. Kjo për faktin se ata fizikisht janë më të fuqishëm se adashet e tyre. Po të krahasojmë dy emra, që në formë duken si modernë, Bollma dhe Alma, të thelb kanë një semantikë krejtësisht të kundërt. Bollma është një emër vajze, i formuar nga dy fjalë “boll” dhe “më”, të cilin ia kishte vënë babai, për të ndërprerë lindjen e vajzave që kishte boll, e për të patur një djalë! Mirë po, jo vetëm që nuk ndodhi një dëshirë e tillë e prindërve, por shokët e klasës filluan ta tallnin Bollmën, duke e thërritur “bolla”! Po kështu ndodh edhe me emri Asije, me origjinë arabe, që në shqip do të thotë “gjynahqare, mëkatare”. Këtë emër të kthyer në shaka, e dëgjuam një ditë në një ambient studentësh, të cilët pasi ia kishin mësuar përkthimin, pyesnin për shoqen e tyre me ironi: Ku është ajo mëkatarja?! Emri i njeriut duhet të lidhet me diçka, me traditën, me palcën shqiptare, me gjuhën e lashtë.
Njerëzit e çdo vendi, dallojnë jo vetëm nga gjuha, traditat, folklori, veshja, por edhe nga emrat që mbajnë banorët e tij. Në Shqipëri askush nuk u vë fëmijëve emra kinezë apo japonezë, përveçse njërit, që ia vuri në monizëm djalit Mao Ce Dun, për respekt të udhëheqësit kinez, e me këtë fakt u realizua edhe një film i bukur artistik. Prindi, kur i vë emrin fëmijës së tij, duhet të mendojë se djali apo vajza nuk do të jetë gjithmonë i vogël, por nëse ai emër i pëlqen atij edhe kur të jetë i rritur. Si mund të tingëllojë vallë emri Sindi, i një gjysh me kapele apo me qeleshe dhe i një gjysheje me shami të zezë në kokë?! Është vënë re se prindërit më pak të arsimuar në vendosjen e emrave, janë më shumë tradicionale se disa intelektualë, që duan ta shprehin kulturën dhe modernitetin e tyre edhe në vendosjen e emrave. Në vendosjen e emrit të foshnjës, është e mira të mbahet parasysh fakti të mos vihen emra, që mund të ketë mbajtur një pjesëtar tjetër i familjes, të cilët përgjithësisht ishin emra të vjetër arabë e turq për myslimanët dhe italianë e grekë për të krishterët. Sa vulgarë tingëllojnë sot emra të tillë, Mahmud, Spiro, Niqifor, Dullë, Mazllum, Pilo, Hava, Shkurte e të tjerë të kësaj kategorie. Kur themi të mos përdoren emra pa domethënie apo me origjinë të huaj, kjo nuk do të thotë që të kufizohemi në një grup emrash të pëlqyeshëm. Pati një kohë që u kthye në mani vënia e emrave të tillë si Enver, Ilir, Arben, Besnik, Behar etj. Nuk është e kurdisur, por fakt, që kur isha në shkollë të mesme, kishim në vitet e para 28 vajza nga veriu, ku 13 prej tyre e kishin emrin Dile! Aq shumë vlerësohet emri që i vihet foshnjës, sa që disa e paramendojnë atë qysh kur nëna mbetet shtatzënë dhe biles ka edhe që e lidhin emrin me jetëgjatësinë e fëmijës. Kështu një prind që nuk i jetonin vajzat, i vuri vajzës së fundit emrin Dorotea “dhuratë e zotit” dhe kjo, për koincidencë jetoi e u rrit. Kurse një familje tjetër, që nuk i rronin djemtë, e mbajti emrin e tij sekret për një vit, pa e ditur askush, përveç atij që ia vuri. Në vënien e emrit të fëmijës duhet të kihen parasysh edhe dy këshilla të tjera; emri duhet të jetë sa më i shkurtër, që të mos ketë më mundësi shkurtimi si dhe të mos jetë i njëjtë me mbiemrin, por të përshtatet ose të rimojë me të.
E themi këtë se shkurtimi i emrave, duke u kthyer në mani, nganjëherë deformon komunikimin dhe konfidencialiteti bëhet banal. Mani e theksuar, që tanimë është kthyer në sëmundje të pashërueshme, është vendosja e emrave të huaj dyqaneve e lokaleve. Jo vetëm në qytete kryesore, por në çdo qytet e fshat po vendosen emërtimet e huaja në lokale, në dyqane e restorante luksoze. Ecim rrugëve të kryeqytetit dhe në të dyja anët mbushur dyqane e lokale, me tabela krejtësisht në gjuhë të huaj. Lexojmë psh “Obsession” dhe kur futemi brenda në dyqan shikojmë rroba e këpucë. Në një tjetër lexojmë “Blue fly” dhe sapo vendosim këmbën brenda ndeshemi me lloje të ndryshme këpucësh. Po kështu vazhdojmë të lexojmë tabelat me emrat “Preciosa”, ku dyqani mban ora dore, e “Beautyline” ku shiten artikuj kozmetikë, “Pierre lannier” ku përsëri shiten ora dore, e kështu mund të vazhdosh në gjithë rrugën “Myslim Shyri”. Pyetëm shitëset e këtyre dyqaneve se ç’kuptim kishin këta emra, por ata rrudhin supet, duke na thënë se këtë “e dinë pronarët që i kanë vënë”. Kudo emërtime llamburitëse, marramendëse, që nuk shprehin asgjë nga malli që mbajnë brenda.
Duke qenë mes emrave të huaj, muzikës së huaj, prodhimeve të huaja, veshjes së huaj, mos vallë kështu po e meritojmë formalisht emrin “qytetar i botës”! Më kanë mbetur në mendje fjalët që më tha ai veterani që ishte ulur në një qoshe të rrugës “Gjeneral Nikols”. “Pse lodheni kot, po na mbyt huaja, ia kemi vënë këmbën shqipes. Vetëm emrat e furrave të bukës dhe byrektoret kanë mbetur shqip, po nuk u kujtuan që t’i bastardojnë edhe këto”, na tha ai/ Ramazan Sherja / KultPlus.com