Maqedonia antike, pjesë e botës pellazge-ilire

4 Korrik, 2019 - 11:00 am

Nga Nazmi Rahmani

*Jusuf Buxhovi: “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, boti “Jalifat Publishing” Houston dhe “Faik Konica” Prishtinë, 2019, faqe 1057.

Libri më i ri i Jusuf Buxhovit nga fusha e historisë “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, mund të konsiderohet pjesë përbërëse e veprës madhore “Kosova” në tetë vëllime, e cila gjatë viteve të fundit është vepra që ka zgjuar interesimin më të madh jo vetëm të lexuesit por edhe të qarqeve shkencore. Vepra “Kosova” në tri vëllime është përkthyer edhe në anglisht. Them pjesë përbërëse, sepse Maqedonia, që nga antika e këndej ka qenë pjesë e zhvillimeve historike të trevave që janë konsideruar pellazge-ilire-arbërore dhe shqiptare.

Prandaj autori duke bërë këtë vepër niset nga fakti domethënës i historisë së Maqedoninë antike, si mbretëri ndër më të njohurat e kohës dhe Maqedoninë si shtet politik i krijua në fund të shekullit njëzet, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetë prania e shqiptarëve, të cilët janë trashëgimtarë të maqedonasve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire ku kishin shtratin e tyre të barabartë mbretëria e Maqedonisë dhe ajo e Dardanisë. Në këtë aspekt Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire.

Autori Jusuf Buxhovi duke u nisur nga fakti i lartpërmendur në këtë vepër argumenton bindshëm me fakte zhvillimin e historisë dhe të ngjarjeve e të realitetit nëpër të cilin ka kaluar Maqedonia duke iu kundërvënë pikëpamjeve të tjera të historiografisë së disa vendeve e sidomos asaj maqedone dhe sidomos të tabuve dhe të moskuptimeve duke e parë Maqedoninë si pjesë e botës pellazge-ilire dhe duke e ndarë nga pikëpamjet se Maqedonia është pjesë e botës helene. Me këtë pretendim nga autori shikohet edhe ngritja e çështjes maqedonase nga ajo gjeografike që e kishte nga mesjeta e këndej te ajo politike siç ndodhi me insistimin e Rusisë nga kriza lindore e këndej.

Duke u mbështetur në këto pikëpamje autori argumenton në bazë të literaturës që nga historianët e lashtësisë e deri te ato bashkëkohore se Maqedona antike ishte pjesë e botës pellazge-ilire. Këtë e dëshmojnë edhe proceset e zhvillimeve gjuhësore që ndodhin në këto treva. Në këtë mes autori merret hollësisht edhe me marrëdhëniet e maqedonasve antikë me popujt për rreth si janë: Pajonët dhe Brygët (Frigjët), Dardanët, Epirotët dhe Helenët e të tjerë duke analizuar dhe zhvillimet në periudhat më të lavdishme të ngritjes së saj në fuqi ushtarake si në koën e Filipit, të Aleksandrit të Madh, periudhën e luftërave me Dardanët e Romakët.

Nazmi Rrahmani

Një kapitull i librit i kushtohet shfaqjes së Bizantit si shkak i dobësimit të Perandorisë së Romës që për një kohë kishte dominuar në këto treva. Arsyet e këtij dominimi Jusuf Buxhovi i sheh te dobësimi i sistemit skllavo-pronar dhe te sulmet e barbarëve (Hunëve dhe Gotëve). Por edhe shfaqja e krishterimit nuk ishte pa ndikim, prandaj autori merret edhe me problemin e krishterimit në Dardani, në Maqedoni dhe ë Ilirik si një prej faktorëve që bëri të mundshëm depërtimin e Bizantit në këto anë. Këto periudha të gjata të zhvillimeve historike si dhe të ndryshimeve shoqërore, të luftërave pushtuese, dominimeve dhe të dobësimeve herë të njërës pale e herë të tjetrës analizohen me hollësi nga autori duke vënë në pah shkaqet dhe arsyet e ndryshimeve të këtilla.

Kjo periudhë shumë e gjatë historike ka sjellë gjithashtu ndryshime të shpeshta dhe të mëdha në këto anë duke u krijuar herë një fuqi e cila megjithatë pësonte edhe rënie e herë një tjetër që ngritej në faktorë të rëndësishëm e vendimtar.

Kronologjikisht tani në këto vise dominon Perandoria Osmane, të cilës autori i kushton vëmendje të veçantë jo vetëm për shkak të sundimit të gjatë pesëshekullor në këto anë, por edhe për shkak se gjatë asaj periudhe ndodhën edhe shumë procese të rëndësishme historike të popullit shqiptar me eliminimin e Bizantit në Ilirik dhe me arritjen e Perandorisë Osmane, me rrënimin e principatave të arbnit dhe me krijimin e sanxhaqeve osmane, me paraqitjen e Skënderbeut, me vdekjen e tij dhe me fundin e fisnikërisë arbnore për të arritur deri te fillimi i kryengritjeve dhe luftërave të rezistencës ndaj Perandorisë Osmane.

Rrjedhat e mëtejshme historike çojnë të luftërat e mëdha të fuqive të Mëdha ndaj Perandorisë Osmane dhe pasojat për trojet shqiptare që për shkak se u gjetën nën Perandorinë Osmane shpeshherë u bënë pre e pushtimeve të fqinjëve. Në këtë vazhdë kemi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si fillim të nacionalizmit shqiptar që doli në skenën historike me kërkesa për autonomi , pastaj luftërat ballkanike, raportet e shqiptarëve me xhonturqit si dhe zhvillimet që çuan te shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ndër të cilat gjithsesi veçohen kryengritjet e viteve 1908-1912, raportet me xhonturqit, kongresi i alfabetit në Manastir. Këtu, gjithsesi, vend të veçantë zë edhe Kriza e Maqedonisë, si krizë artificiale, që u pasqyrua me përpjekjet për copëtimin e vilajeteve shqiptare, e ku një vend të rëndësishëm zë edhe Kryengritja e Ilindenit dhe zhvillimet që çuan te preludi i shfaqjes së shtetit maqedonas mbi platformat hegjemoniste të hartuara në Beograd, Sofje dhe Athinë.

Gjithnjë në përputhje me këtë zhvillim të Krizës së Maqedonisë dhe realiteteve që krijoi ajo, në një kapitull të librit, autori përqendrohet të copëtimi i Shqipërisë gjatë luftërave ballkanike, me ç’rast Kosova dhe Maqedonia mbetën nën pushtimin serb dhe në këtë mënyrë dhe për shkak të këtij fakti shqiptarët u detyruan të bëjnë rezistencë kaçakësh ngase tani zhvillohej me një intensitet të paparë politika antishqiptare për të eliminuar plotësisht elementin autokton shqiptar. Autori paraqet këtu të gjitha format e rezistencës shqiptare, periudhën e Luftës së Dytë Botërore, rrënimin e Jugosllavisë së Versajës dhe bashkimin e përkohshëm shqiptar (si të pjesshëm), si dhe rikthimin e Jugosllavisë si ripushtim i Kosovës dhe i Maqedonisë, formimin e Maqedonisë si republikë në bazë të vendimeve të AVNOJ-it, rezistencën e shqiptarëve kundër partizanëve jugosllavë-shqiptar, shkruan për NDSH-në dhe bashkimin shqiptar, për kthimin e Maqedonisë në qendër të shpërnguljeve për Turqi, proceset e zhvillimeve politike në Jugosllavi pas luftës së Dytë Botërore, periudhën e keqpërdorimeve në Jugosllavinë e pasluftës, kushtetutën e vitit 1974, dhe Maqedoninë në vitin 1981, me theks të veçantë te raportet midis Shkupit dhe Prishtinës dhe gjithë ato që i paraprinë rrënimit të ish Jugosllavisë, ku politika e atëhershme maqedonase u vu në shërbim të politikës hegjemoniste të Beogradit.

Kapitulli fundi, i kushtohet Maqedonisë si shtet i pavarur, me ç’rast shqiptarët në shtetin maqedonas kthehen në pakicë kombëtare për të arritur të lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e vitit 2001, me ç’rast, autori i hyn një analize të hollë kritike për t’u pasqyruar çfarë u siguroi kjo luftë shqiptarëve dhe çfarë mbeti pa u realizuar.

Autori përfundon se lufta e shqiptarëve ndonëse përfundoi pa ndonjë sukses politik, ngaqë i mungoi platforma politike ku shqiptarët do të arrinin barazinë kushtetuese të popullit shetndërtues, megjithatë ndërkombëtarizoi çështjen e saj deri në atë masë saqë qenia e shtetit maqedonas të shihet ngushtë e lidhur me raportet e shqiptarëve me të. Jusuf Buxhovi në këtë kapitull përmbyllës arsyeton pse kjo luftë mbeti e papërfunduar… /KultPlus.com

Të ngjajshme