19 Mars, 2018 - 5:00 pm
Shkruan Bajram Peçi.
Është e njohur që njerëzit me pushtet janë më të fortë se qytetarët e tjerë. Me pushtetin që u ka ardhur në dorë ata mund të shndërrohen, në mos tiranë, në njerëz që pushtojnë hapësirat e lirisë intelektuale. U imponojnë të tjerëve të pranojnë atë që ata pëlqejnë dhe mendojnë.
Një të tillë sjellje u përcolli qytetarëve kryeministri Edi Rama për ndërtimin e teatrit të ri. Po pranoj që në krye se jam dakort që ndërtesa e vjetër të prishet, madje sa më parë, sepse nuk është e denjë për emrin që mban. Por nuk mund të jem si qytetar dakort me projektin e afruar. Çdo argument i parashtruar deri tani në media, përfshi dhe të qenit autoritet bashkëkohor i danezit projektues, s’më ngjisin dhe nuk janë bindëse.
Të gjithë njerëzit me mend në kokë besoj se do të bien dakort kur të afroj (edhe pa qenë nevoja të jesh arkitekt, se s’është domosdoshmërisht e nevojshme) shembujt e stilit dominues arkitektonik, klasik e neoklasik, që janë përdorur në Europë dhe Amerikë, për ndërtimin e pallateve të drejtësisë dhe teatrove. Lutem vëmendje! Po përsëris: drejtësisë dhe teatrot!
Si një stil i bazuar në format antike të arkitekturës greke dhe arkitekturës romake, arkitektura neoklasike u imitua prej shteteve të qytetëruara në një masë më të madhe te ndërtimet që përmendëm. Të paktën prej tre shekujsh, projektuesit e ndërtimeve të teatrove kombëtare dhe pallateve të drejtësisë (gjykata e prokurori) kanë vazhduar të marrin hua nga modelet greke dhe romake shtyllat Dorike, Jonike e Koritnike, si dhe trekëndëshin e epërm ballor të mbulesës.
Mund të thuhet se neoklasicismi është stili më i popullarizuar i ndërtesave ku punon qytetari i botës së artit e të drejtësisë, madje dhe të shumë institucioneve shtetërore. Ato nuk ishin rastësi në zgjedhje e aq më pak shije personale e kryeministrave apo kryetarëve të bashkisë. Përkundazi, ishin të motivuara dhe projekti u besohej pesonaliteteve më të larta të artit e krijuesve më në zë të arkitekturës.
Përmes ndërtesave hijerënda qytetarëve u përcillej autoriteti i shtetit, pushteti i tij dhe respekti i lartë që duhej të ushqehej ndaj artit dhe drejtësisë. Teatrot dhe pallatet e drejtësisë të thoshin: ne jemi shteti dhe kultura! Mermeri dhe pamja e tyre i jep qytetarit siguri, përmes arkitekturës te pallatet e drejtësisë popullit i jepet kuptimi i nënshtrimit vullnetarisht ndaj ligjit, ndërsa te arkitektura e teatrove u plazmohet qytetarëve dëshira për edukim e qytetari.
Arkitektura klasike e teatrove europiane, me bukurinë që shfaqin, ja ka dhënë popullit objektin art si harmoni, si edukim dhe si virtyt. Shihni jo larg, por fqinjët, si i kanë teatrot? Athina, Zagrebi, Beogradi, Bukureshti, Sofja, ndërtimet teatrore janë klasike e neoklasike, me imitime ballore të panteonit. Tani po thuhet se çfarë i duhen këto cilësi Teatrit Kombëtar të Tiranës? Përse i duhet “fshatit” tonë kjo bukuri dhe përsosmëri e krijuar nga njeriu? Mbase kanë të drejtë! Është punë shijesh të atij që ka të drejtën parësore të zgjedhë dhe ky, si rregull, është kryeqeveritari, ndaj as që kam ndërmend të përfshihem në zënka fjalësh se rrezikoj t’i largohem pyetjes time të varfër: pse Tirana të mos e ketë teatrin në pamje siç e meriton një kryeqytet?
Në gjegje të kësaj pyetjeje të mjerë, zgjidhja është dhënë. Ky versioni ultramodernist bëhet se qeveria nuk ka para. Kësisoj është gjetur të aplikohet mënyra që la kryeqytetin me stadium pa pistë atletike, hapësirë e cila ju la në përdorim privatit, si rrjedhë e bashkëpunimit të partneritetit publik-privat. Domethënë: unë privati të ndërtoj teatrin (ku do kem dhe hapësira të mijat si pronë), ti publiku (shteti-qeveria dhe unë) më jep tokë të bollshme që të ndërtoj banesa shumëkatëshe, përmes të cilave shlyej investimin që i “fala” popullit dhe nxjerr fitime të disafishta.
Njerzimi, me natyrën e përpunuar që mori nga rruga në qytetërim, i dha fillimisht vetes dy arte, atë të muzikës dhe atë të teatrit. Të dyja shërbyen për të zbutur shpirtin e për ta zbukuruar atë. Teatrot e lashta dhe ato të periudhës së Rilindjes mbeten si vëndet më të vizituara nga turistët. Ato janë madhështore, sepse i tillë ishte kujdesi i shtetit. Ato nuk u ndërtuan me tendera publikë, as me partneritete publike-private. Ato i ndërtoi vëmendja e përqendruar e shtetit të përgjegjshëm ndaj qytetarit të vet. Diku, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhanë ndihmesën e tyre edhe filantropët Rokfeler e Morgan, e plot të tjerë.
Ata nuk fituan tendera, por dhuruan teatro, universitete, spitale, shkolla, biblioteka. Emrat e tyre janë simbol i kapitalizmin të egër, por në fund…miliardat ja kthyen popullit, duke i ndërtuar hapësirat për edukim, kulturë e shërbim shëndetësor. Edhe “filantropët” shqiptarë kanë dhënë ndihmesën e tyre, duke sjellë Realin e Milanin për të luajtur futboll me Ersekën, si për të na turpëruar edhe më, se nuk mjaftonin bëmat e ’97-tës.
Pamja e ndërtimeve me ballina të stilit klasik, me kolona dhe atë trekëndëshin, ku në më të famshmin panteon Fidia vendosi grupin skulpturor, u përdor në një shumëllojshmëri ndërtimesh nga perandoritë mbarëbotërore dhe monarkitë feudale, nga regjimet totalitare dhe nga demokracitë. Neoklasicizmi e ktheu stilin klasik të antikitetit grek dhe romak në një nivel monumental, i cili përfshiu sidomos teatrot. Me fasada të zbukuruara nga shtylla Dorike, Jonike ose Korintike, të mbuluara ndoshta prej një kupolë të stilit të Rilindjes, teatrot të krijojnë njëherësh përshtypjen e lartësisë dhe të madhështisë së ndërtesës, por sidomos të lartësisë shpirtëror të artit.
Shqipëria s’pati kurrë mundësinë për të ngritur të paktën në një qytet të sajin, Tiranën, një teatër monumental. Nga pushtimi turk, që i kish bërë lanet teatrot, erdhëm në pushtimin italian, prej të cilit fituam këtë gërmadhën prej pupliti (tallash druri i ngurtësuar me çimento). Mbase, ata nuk do kishin ngelur tek ky ndërtim i kryer rrëmbyeshëm si strukturë e kulturës fashiste për “Pas pune”, madje jam i bindur se do kishin ndërtuar një teatër monumental, po të mbeteshin dhe ca vite.
Të ardhurit e rinj, rusët e Bashkimit Sovjetik, sollën në Tiranë projekte ndërtesash të sovkozeve (si Shallvaret dhe ato te Bulevardi Zogu I), por kur ndërtuan në Orikum Teatrin apo Klubin e Kulturës, për ushtarakët e Traktatit të Varshavës, patën vëmendjen e duhur të bënin një të tillë siç i bën bota. Na lanë në Orikum të vetmin teatër që ka ballinë monumentale, siç i ka hije këtij arti. Ndonëse me përmasa modeste, përsëri ai është impresionues me pamjen e tij. Në periudhën kur Shqipëria pati si president zotin Mejdani, u aktualizua një lëvizje për t’i dhënë Tiranës një teatër të tillë. Si dhe pse s’u bë, pse s’ju shkua deri në fund, s’di të them?!
Mbase sot arti i teatrit nuk ka atë ndikim që pati në 2500 vjet. Diku (si tek ne, përshembëll) e humbi interesin dhe frekuentimin, sepse arti i kinemasë e zëvendësoi, por nuk humbi peshën. Është pikërisht skena e saj ku do përgatiten artistët, për të marrë rrugën drejt dyerve të artit të shtatë. Kur lindi dhe lulëzoi teatri, vlerësonin fuqinë e fjalës së folur e cila ishte metoda kryesore e komunikimit dhe tregimit. Tregimi me gojë lulëzoi në teatër, ende pa lulëzuar letërsia, madje, kjo vetë i ka fillesat me tragjeditë dhe komeditë që më parë ishin aktrim, fjalë e folur e që më pas u shkruan.
Kohë më parë kam shikuar një skicë urbanistike, mundet të ketë qenë e para e krijuar nga një arkitet austriak në fillim të viteve ’20-të, për qendrën e Tiranës. Ishin ndërtesa administrative, siç i ka sot Sllovenia apo Kroacia, ishte dhe teatri, që si traditë ka qenë kurdoherë në qendrën e qytetit. Ndërtesat klasike monumetale krijonin pamjen e një qyteti europian, që se bëmë dot, herë se nuk ditëm, herë-herë se s’patëm dhe tani së fundi, se s’po duam.
Pas këtyre argumenteve të vakta, në këto çka shkrova, pyes: a është në këtë rast njeriu vendimmarrës vallë në ujdi me qytetarin? Jo me atë qytetar që është rrotull tij dhe firmos në një bordero administrate shtetërore, por me ata që motiv të vetëm nxitës për qëndrimin kanë të vërtetën. Me veten mbase, por me ne të tjerët është në dizakord se kemi pikëpamje e qëndrime të kundërta.
Aplikimin e partneritetit midis Qeverisë-Sektorit privat-Shoqërisë civile, ligji e vlerëson si faktor të rëndësishëm për zhvillimin dhe qeverisjen e mirë. Kjo metodë pune rrjedh nga gjëndja aktuale e borxhit të lartë publik që i rëndon popullit mbi shpinë. Që qeverija nxitet të përdori formulën e partneritetit publik-privat është gjë e mirë, por s’duhet të aplikohet për rastin e Teatrit Kombëtar dhe s’duhej të bëhej as për stadiumin, i cili, për më tepër mbështetej me fonde edhe nga UEFA.
Nuk di se sa do kushtojë ajo hapësirë ndërtimi, që “partneriteti publik-privat” na fal e që do shërbejë si teatër, por di se taksapagesit shqiptarë sapo paguan një gjobë të majme për prishje të një ndërtimi të kundraligjshëm, që besoj se do ishte mjaftueshëm për të ndërtuar një teatër të denjë, ashtu siç bota e qytetëruar i ka. Jo një, por dy teatro si ato që ka bota do kishim ndërtuar me gjobën që morëm ngase u prish një marrëveshje konçesionare me General Elektrik për ndërtimin e një linje të shpejtë hekurudhore Tiranë-Durrës. Rreth 30 milion euro na kushtoi grisja që
Saliu i bëri “një cope letre”, dhe tren as pati dhe as do ketë shpejt, teatër jo që jo!
Pra, kjo puna e ndërtimit të teatrit dhe e parave që duhen na qenka punë qeverisje, ndaj ska pse t’i lutim hokatarët që të heqin dorë nga talljet e tyre, d.m.th: ne nuk ndërtojmë dot teatër pa bashkëpunimin publik-privat! Ka disa parime të lashta prej të cilave nuk është e vështirë të nxirren edhe rregullat përkatëse. Njëra prej tyre ka të bëjë me qeverisjen: cilët do jenë qeverisësit, pyetej në kohën e Sokratit dhe Platonit, koha kur lulëzonte teatri? Gjegja që vjen nga ata shekuj të largët përvoje, është: më të mirët e të moshuarve do qeverisin, kurse më të rinjtë do qeverisen. Të moshuar, jo se duhet të kenë mjekër, por sepse duhet të jenë të matur për të ruajtur shtetin e për të vepruar në dobi të shtetit.
Sido që të jetë vendimmarrja, një gjë dihet mirë, qeveritë dhe qeveritarët shkojnë e vijnë ndërsa teatri mbetet. Duke qenë kundër ndërtimit të Teatrit Kombëtar me partneritetin publik-privat, nuk dua që ndokush të më mallkojë kur ta mbyll këtë shkrim me propozimin: jemi dakort me vendosjen e një takse për shqiptarët, vetëm e vetëm që teatri të ndërtohet nga shteti. Boll hapësira të gjelbra lulishtesh e terrene sportive i mori banda e ndërtuesve Tiranës! (marrë nga ‘Shqip’)./ KultPlus.com