13 Dhjetor, 2019 - 10:30 am
Nga: Fritz Radovani
Rilindi dielli në Shkodër
Rinia Shkodrane zhgulë njëherë e përgjithmonë para Prefekturës së qytetit, një nga figurat ma të urryeme të Historisë së Popullit Shqiptar, diktatorin tiran Enver Hoxha!
Populli i Shkodres Heroike thërret me zanin e zemrës: “Poshtë Enver Hoxha!”
Mbas ditës së Ringjalljes së Fesë në Rrëmaji, pikrisht pranë Zallit të gjakosun të Kirit, ku Don Simon Jubani shpartalloi dyertë e ferrit komunist, në muret e Rozafës plakë ranë edhe njëherë rrezet e një dielli që kishte perëndue që me 29 nandor 1944… E shtërngata e asaj dite të kobshme kishte ly me Gjakun e Popullit të Shkodrës krejtë Veriun…
Male e fusha nuk dalloheshin fare se ishin të mbytuna në lumenjë të skuqun që vlonin per 47 vjet nga plumbat e tradhtarëve t’ Atdheut, vrastarë të pashpirtë e pa burrni…
Pabesia e “yllit kuq partizan” kishte rroposë përdhe edhe Kështjellat shekullore!
Drapën e çekani stalinist vazhdonte me korrë lulen e Rinisë Shqiptare… “Perandorët” e një mbretnije vrastare vazhdonin me mbulue me zallin e Adriatikut gjurmët e qytetnimit Europjan Perëndimor, të skalitun nga universitetet ma të njohuna të Demokracisë!
Ishte vrastari i pashpirtë Enver Hoxha, që për kolltukun e vet vriste me kusht: “Me dijtë vullnetin e fundit të viktimave që betonin bunkerin e robnueme nga sllavokomunistët!”
Edhe skilja Ramiz Alia ishte me pushkë e kazem krah’ e qafë, i ndjekun nga kobra e pashoqe e vendeve të helmatisuna e gjakprishuna Nexhmije Hoxha, vejusha…
Të gjithë Shkodranët i mundonte vetem një mendim që i grryente trunin për 47 vite: “Deri kur ky surrat i këtij qen’ e bir qeni, përballë Prefektures së Shkodrës ?!”…
Atë ditë Dhjetori gurt’ e Rozafës shkëlqenin ma fort se kurrë!
Rinia Shkodrane po realizonte andrren e sa e sa viktimave të Gjenocidit të tiranit Enver Hoxha, e ndër të fundit ishin Djelmët e Vajzat që pak ditë përpara kishin la me Gjakun e Tyne Rinor, piramidat kufitare të Shqipnisë cungueme nga “Europa plakë”.
I madh e i vogël nuk ngopej kur shihte një djalë të rij “mbi kokën e Enverit…”
Askush nga “ata” poet… që e vajtuen me 11 Prill 1985, nuk u frymzue nga Rinia ynë!!…
Sesi mu kujtue Poeti Don Ndre Mjedja:
“Oh, zbrit ndër ne, mbretnore
Shqipe, edhe ‘j herë, si zbrite
Kur përmbi ball, madhnore
Të Madhit Kastriot’ i shndrite,
Të binden barbart e ri
Për Djelm qi ke Shqipni” /KultPlus.com