Me ardhjen e Mehmet Krajës, ASHAK-u nis të reagojë si institucion relevant

11 Tetor, 2019 - 11:00 am

Bujar Meholli

Siç duket me ardhjen e tij, Akademia e Arteve dhe e Shkencave ka nisur të reagojë si institucion relevant, dhe këtë e dëshmoi me letrën e djeshme që Akadamia jonë i dërgojë Akademisë Suedeze.

Kjo e fundit i ndau një çmim “Nobel” për letërsi shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili është i njohur botërisht për qëndrimet e tij antishqiptare dhe proserbe.
Letra e Akademisë sonë nis me indinjatën për zgjedhjen e Handkes.

“Me indinjatë të thellë morëm lajmin e shëmtuar se laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 është shkrimtari Peter Handke, një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviqit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Si Akademi e një shteti të sapo krijuar mbi vlerat perëndimore të lirisë së popujve dhe institucion që edhe vetë ka vuajtur segregacionin dhe aparthejdin e një regjimi të urryer dhe luftën e tij shfarosëse, nuk kemi besuar se kaq shpejt do të përballemi me humbjen e kujtesës dhe amnistinë morale të atyre që mbështeten me aq pasion një vrasës të popujve, siç bëri laureati i juaj, Peter Handke. Mospajtimi i thellë me angazhimet politike dhe deklarimet publike të Handkes, bashkë me mbështetjen e pakursyer të mbarë botës progresive, përfshirë edhe Suedinë, bëri që sot popull ynë të njohë lirinë dhe jetën e dinjitetshme”, shkruan Kraja, kryetari i Akademisë.

Kraja thotë për fituesin se nuk ishte në anën e drejtë të historisë së popujve të Ballkanit. Handke gjeti mbështetje dhe strehë tek Beogradi, madje mori pjesë edhe në varrimin e Sllobodan Milloshevicit.
Për këtë vendim reagoi dje Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Kosovës me një letër, ku shprehin indinjatën për ndarjen e këtij çmimi, madje kërkojnë që Akademia Suedeze të reflektojë, rrjedhimisht t’ia tërheqë Handkes këtë çmim.
“Si rrallë ndokush tjetër, ai mori pjesë në varrimin e Milosheviçit dhe deklaroi: “Nuk e di të vërtetën. Por unë shoh. Unë ndjej. Unë mbaj mend. Andaj jam këtu sot, pranë Jugosllavisë, pranë Serbisë dhe pranë Sllobodan Milosheviqit.” Më herët, në maj të vitit 1999, ai u deklarua kundër bombardimeve të NATO-s, duke thënë se Aleanca Veriatlantike nuk është duke parandaluar Aushvicin e ri, por është duke e krijuar atë. Ai sulmoi pa dallim të gjithë ata që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, qofshin politikanë apo dijetarë të shquar të mbarë botës. Ende sot trazojnë Ballkanin aq shumë viktima pa varre, të cilat kërkojnë prehje dhe drejtësi”, thuhet mes tjerash në letër.

Ndërsa rreth këtij vendimi reagoi dje Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Kosovës me një letër, ku shprehin indinjatën për ndarjen e këtij çmimi, madje kërkojnë që Akademia Suedeze të reflektojë, rrjedhimisht t’ia tërheqë Handkes këtë çmim.
Ky reagim i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës u prit mjaft mirë nga njerëzit e artit dhe kulturës, të cilët përgëzuan Akademinë dhe kryetarin e sapozgjedhur Krajën, i cili theksoi se fituesi Handke ishte mbështetës pasionant i Millosheviçit. /KultPlus.com

Të ngjajshme