3 Dhjetor, 2019 - 12:16 am
Eltona Cenolekaj
E dashur vetja ime! (Durrësit të rrënuar)
Uroj që kjo letër të të gjejë mirë. E di që s’je mirë se dikush që ti së njeh dhe s’e di s’është mirë.
Kjo thyerje e madhe e Durrësit a të le një shije apo jo? Nuk e di. Kam dashur që këto vite t’i lë pas me të gjitha kujtimet e një adoleshence të hidhur dhe të çoroditur. Durresi! Le të shuhet dhe të shkërmoqet kam menduar dikur, ça po ndodhë sot?
A mendoj dhe dëshiroj keshtu.?
Vetja ime përgjigjet: Jo. Nuk e dëshiroj këtë as nga skutat më të errrëta të shpirtit tim të trazuar.
Durrësi i ndrojtjeve dhe kujtimeve të mia të këqija të viteve të kaluara dhe Durrësi i sotëm, që është shkatërruar si në ëndërrat e dëshirat e mija.
E vuaj këtë pa masë! Nuk e paskam dashur dhe nuk e dua!
I thërras ndërgjegjes, A ia vlen? Sigurisht që jo! S’mundet një qytet të thërmoqet nga dëshirat e mija të marra. ç’është më rëndësishme nuk e paskam pasur kaq të madh inatin me Durrësin.
Hej! Qytet i dashur dhe i urryer! I urryer për disa vite dhe i dashur për shumë të tjerë?
Më vjen natyrshëm edhe pse s’dua. Kam një jetë që s’vi të t’shoh. Po prapë s’dua të shoh gerrmall. Më dhemb zemra. Nuk kam menduar që do të të ndodhë kjo.
Nuk jam e vetmuar në këtë skaj verior të Evropës dhe as e lënë nga njerëzit e dashur.
Kam tre femijët e mi dhe një të dashur që ma mbushë jetën me gëzim e dashuri, bile e kam dhe një qen që e dua shumë, Ekkon 12 vjeç. Po pa e menduar se do të ndodhë, kjo e ndjej veten lakurq dhe të vetmuar, të braktisur si asnjëherë më parë. Plot brenga!
Kam menduar se të kam urryer për ato që s’më ke dhënë dhe per ato që m’i ke dhënë me tepri.
Dashuri dhe urrejtje me bollëk.
Une të fal! Se unë di dhe të fal.
Për shumë njerëz që i kam në jetë dhe të atyre që s’janë më, kam më shumë se kaq. Për fëmijët e mi dhe dashurinë e jetës që më është gjindur në “tërmetet “e jetës sime.
Prandaj këtë tërmet e përballoj dhe Durrësi do ta perballojë.
E përballoj me dëshirën dhe dashurinë për të mirën.
E dashur vetja ime!
Nuk kam ndonjë mallkim edhe pse kam përballuar burgun e babit, internimin e mamit, sakrificat e gjyshit për ne, poshtërimin e neveritjen e atyre në pushtet, dyftyrësinë e ca të tjerëve, sinqeritetin dhe mirësinë e vetem një grushti të vogël njerëzish.
Dëshiroj të shoh ringritjen e Shqipërisë nga rrënojat e Durrësit dhe e dëshiroj me gjithë shpirt.
Nuk di o vetja ime do të përjetoj që të vi në Durrës pas më shumë se 15 vjetësh, me një ndjesi të re. Atë të një fillimi të ri.
Nuk e kam kuptuar asnjëherë se sa e paskam dashur këtë qytet! Kam menduar që s’më lidhë asgjeë. Që e urrej nga skutat më të errëta të shpirtit, por jam zhgënjyer nga vetja ime. Më lidhë diçka shumë e madhe. Dashuria për njerëzit e dashur.
Shpresoj të bëhet Durrësi e e gjithë Shqipëria. Ky është momenti ose shansi i fundit për t’u bërë jo vetëm me ndërtime po dhe për të filluar të mendohet dhe veprohet ndryshe nga ata që do të udhëheqin këtë vend.
Vetja ime! Ngadonjëherë të kam haruar me mendime. Tani vë një bast me ty. Ky vend bëhet apo jo?
Nëse bëhet më bën të lumtur dhe krenare e nëse jo, në djall shkoftë, boll kam shpresuar gjithë keto vite.
Pse e dashkam kaq shumë vendin tim, tek e fundit kush është vendi im? Ai që kam ëndërruar apo ai që kam lënë? çfarë dileme? Sa herë vi në Shqipëri më merr malli për vendin ku jetoj dhe më ka afruar ato mundësi që Durrësi m’i ka mohuar (veriu i Evropës ku jetoj prej gati 30 vitesh) e kur jam në shtepi më merr malli për Shqipërinë.
Dua sinqerisht të bëhet vendi im. Qoftë kjo sprova e fundit dhe mbas kësaj ardhtë e mira tek të gjithë. Askush nuk është i përjetshëm po vepra e gjithësecilit mbetet.
Po e mbyll këtë letër vetja ime? Shpesoj të të gjejë shëndoshë e mirë e të realizohen të gjitha dëshirat. Do vazhdoj të mbaj kontaktin me ty se po më pelqen që ka ardhur koha t’i them disa të pathëna e të çlirohem nga makthet.
Tung. / KultPlus.com