Me pakon e Ahtisarit Kosova hoqi dorë nga një pjesë e identitetit të saj kulturor dhe historik

12 Tetor, 2019 - 11:14 am

Nga: Jusuf Buxhovi

*Historiani Jusuf Buxhovi akuzon klasën politike të Kosovës për një krim të rëndë ndaj historisë shqiptare, ndërsa historiografinë zyrtare shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, sa i përket interpretimit të Mesjetës, e quan zëdhënëse të historiografisë së Beogradi!
….
“Kosova sot”: Çfarë mendoni rreth premtimeve të autoritete kosovare se shteti i Kosovës do të sigurojë status special për Kishën ortodokse serbe?

J. Buxhovi: Me pakon e Ahtisarit, politikisht dhe juridikisht, kishës ortodokse si pjesë e krishterimit të përvetësuar nga Serbia me gënjeshtra ndër më paskrupulltat nga shekulli XIX e këndej, i është siguruar statusi i eksterritorialitetit. Kjo tashmë është kategori kushtetuese, që shtetin e Kosovës jo vetëm që e privon nga trashëgimia shpirtërore historike dhe një pjesë e identitetit të saj kulturor, por edhe në planin shoqëror dhe politik e detyron të sillet në përputhje me këtë qëndrim,

“Kosova sot”: Cilat janë fakte historike që politikanë shqiptarë-kosovarë nuk i shfrytëzuan dhe nuk i shfrytëzojnë kur është në pyetje Kisha ortodokses serbe në Kosovës?

J. Buxhovi: Në Kosovë (Dardani), ndarja e krishterimit (në shekullin XI), në atë të ritit lindor (ortodoks si shumicë) dhe atij perëndimor (katolik si pakicë), solli një realitet kishtar, që si i tillë u ballafaqua me pushtimin osman. Ndërsa ajo që quhet “kishë ortodokse serbe”, ku përjashtohen dardano-arbrorët e shumtë që i takuan ritit lindor, është konstrukt, që e ka krijuar propaganda hegjemoniste rusomadhe dhe serbomadhe në krye me Jastrebovin e të tjerët në shekullin XIX për qëllime politike. Identifikimi i ortodoksisë me serbizmin në veri dhe me greqizmin në jug lidhet me “Naçertanjen” serbe dhe “Megaloidenë” greke në vitin 1844. Mbi këto programe, të shumtën në dëm të shqiptarëve dhe vllëheve, janë krijuar dhunshëm shtetet ortodokse në Ballkan: Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, edhe pse historikisht nuk ka pasë shtet mesjetar serb në Kosovë po as në pjesën qendrore, pos një enklave të njohur kulturore në Vojvodinë, e cila ishte bërthamë e nacionalizmit serb. Historiografia shqiptare ka të gjitha argumentet që të rrënojë këtë konstrukt që u ka krijuar aq fatkeqësi. Për fat të keq, një pjesë e mirë e historianëve tanë nga radhët e Instituteve të historisë në Tiranë dhe Prishtinë, ndonëse kanë kushte, jo vetëm që nuk e kanë bërë këtë, por ata sot e gjithëditën, kur flasin për Mesjetën dhe krishterimin në këto anë, shfrytëzojnë gjuhën e historiografisë serbe dhe gënjeshtrat e saj për “djepin mesjetar shpirtëror serb” në Kosovë. Ashtu siç bën propaganda e Beogradit, shumë nga historianët tanë, kur shkruajnë për Mesjetën, zhupanët e thjeshtë, (të tillë në Mesjetë kishte në çdo katund me mbi njëzet shtëpi dhe një kishë edhe pa pirg) vazhdojnë t’i quajnë “carë” (perandorë) dhe “kralë” (mbretër)! Kështu, Dushani quhet “car”, Millutini, një despot i rëndomtë quhet “mbret”, për të cilin madje thuhet se “Shkupin dhe Prizrenin ka pasur qendër shtetërore” e të ngjashme të nxjerra nga puntoritë e manastireve serbe, ndërsa krishterimi ortodoks quhet “ortodoksia serbe”! Me këtë, pra, na pranojmë “tapitë” e paqena mesjetare serbe, veçmas kur Rasha dhe Rasienët si triabalë-dardanë identifikohen serbë, dhe heqim dorë nga trashëgimia jonë historike, të cilën e njeh historiografia objektive, madje edhe ndonjë historian i vërtetë serb! Nuk është e rastit që në bisedimet e Vjenës rreth trashëgimisë kulturore në Kosovës, ishin disa historianë dhe arkeologë shqiptarë, të cilët, nën ndikimin e “qarkut të sllavistëve të Vjenës”, të cilët me kalkulimin e shkëputjes së sllavëve të jugut nga Rusia, nga Kriza Lindore e këndej vazhdimisht kanë përkrahur Serbinë si forcë rajonale në Ballkan, ia dhanë dritën jeshile Pakos së Ahtisarit me të cilën trashëgimia e përbashkët e krishterimit iu fal Serbisë! Pra, fajin për këtë duhet kërkuar edhe te ata historianë tanë dhe kallankusuri tjetër “intelektual” i përfshirë në “grupet punuese” nga viti 2004, qoftë kur kanë marrë pjesë në pazare të tilla (me spekulimin se heqja dorë nga krishterimi lindor forcon atë perëndimor e marifete të ngjashme), qoftë kur kanë heshtur ndaj një veprimi të tillë! Emrat e tyre dihen. Për këto “merita”, krahas meditjeve të majme dhe qëndrimit turistik në Vjenë dhe gjetiu, disa madje janë nderuar me poste nëpër institute, katedra univeristare dhe me tituj “akademik”!

“Kosova sot”: Çfarë përpos trashëgimisë ortodokse mund t i ofrojë Kosova botës- UNESCO-s në aspektin e trashëgimisë?

J. Buxhovi: Kosova mund t’i ofrojë botës një mozaik të trashëgimisë së kulturës botërore nga antikiteti e tutuje. Dardania ishte bërthama e saj. Ajo lidhej me Trojën, me Perandorinë Bryge (Frigjia), atë Hitite dhe ndikoi edhe themelimin e Romës. Në Dardani, po ashtu u shfaq edhe krishterimi bashkë me Bizantin, të cilin e themeluan perandorët me origjinë dardanë: Konstandini i Madh dhe Justiniani. Ndaj, çdo pëllëmbë e Kosovës (Dardanisë) dëshmon fuqinë e antikitetit të mirëfilltë pellazg, por edhe të Mesjetës. Botës, pra, duhet t’i bëhet e ditur se këtu ishte djepi i qytetërimit të saj, ku krishterimi, paraqet vetëm një segment nga ajo pasuri e madhe. (“Kosova sot”, 2015) /KultPlus.com

Të ngjajshme