22 Dhjetor, 2023 - 4:46 pm
Nga Meliza Krasniqi
Në kohën dixhitale të cilën po e jetojmë, gjeneratat e reja, por edhe ato që do të vijnë më pas, gjurma në internet për shkrimtaren Helena Kadare mbetet si: bashkudhëtarja jetësore e Ismail Kadaresë. Nuk është pak! Në fakt është e kundërta! Është dyfish më shumë sesa për ata shkrimtarë që “jetojnë” nën hijen e ahut gjigant siç është Ismail Kadare në letërsinë shqipe. Por Helena Kadare nuk do të duhej të jetë thjeshtë një zë narrativ i jetës përkrah Ismailit. Kjo hije mbase e ka bërë hijerëndë, megjithatë ajo peshon shumë më shumë se kaq.
Helena Kadare është një nga zërat më të veçantë të letërsisë së shkruar nga gratë, që nga vitet e ’60. Në harkun e disa dekadave, Kadare ka kontribuar ndjeshëm në portretizimin letrar të gruas, për botëkuptimin e saj, ecjen e saj në jetë por edhe për pengesat që hasë e kapërcen. Vepra letrare e Helena Kadaresë dallohet për nga kthjelltësia e mendimit e sensibiliteti i hollë i ndjenjave.
Preokupim i saj krijues është thurja artistike e dridhjeve të imta shpirtërore të gruas
Në romanet e shkruara deri më 1990, protagonistet si Vera te “Shuaje dritën Vera”, Bardha te “Një lindje e vështirë” dhe Shpresa te “Bashkëshortët” qëndrojnë larg idealizimit konvencional të kohës. Ato konceptohen e krijohen si figura autentike dhe kjo ndodh sepse arrihet ngjizja midis figurës dhe idesë, prandaj ato vijnë të natyrshme dhe pa artifice.
Helena Kadare nuk e sheh gruan, si personazh, në kundërvënie me burrin por i percepton ato në esencë superiore – më të afta se burrat në përballje me jetën e përditshme Këto personazhe tejkalojnë paradigmat konvencionale, dhe mbesin modele frymëzuese.
Përkushtini i saj të merret kaq shpesh e me kaq këmbëngulje me një sferë tematike dhe përherë të fiksoj, në këtë kuadër, një anë a dukuri të re, është dëshmi e forcës krijuese.
Kërkesë e saj e brendshme është dëshira për t’i folur në letërsi gruas me zërin e një gruaje.
Helena është “Një grua nga Tirana” me “Kohë të pamjaftueshme” ta bëj hijen e vet.
Në fund i kthehemi fillimit, për të thënë se në një kërkim në internet për Helena Kadarenë duhet të shkruhet se ajo është gruaja që e shkroi romanin e parë në letërsinë shqipe i cili titullohet “Një lindje e vështirë” (1972)./KultPlus.com