Melodi e këputur!

20 Gusht, 2024 - 11:56 am

Agim Vinca

(Nderim për Fazli Graiçevcin, 1935-1964)

E nderuara familje Graiçevci,

I nderuar Kryeministër, ministra, deputetë,

Të dashur miq dhe kolegë,

Zonja dhe zotërinj!

Gjashtëdhjetë vjet më parë, më 17 gusht 1964, pas katërmbëdhjetë ditë torturash çnjerëzore, vdiq poeti dhe veprimtari Fazli Graiçevci.  

Kjo vrasje mizore ndodhi në Burgun e Prishtinës, nëpër dyert e të cilit kanë kaluar me qindra atdhetarë, djem e vajza, burra e gra, që nuk u pajtuan me pushtimin e tokave shqiptare dhe me copëtimin e tyre nga pushtuesit fqinj dhe fuqitë e mëdha.

Mbytja mizore e Fazli Graiçevcit në burg është një nga aktet e shumta të politikës gjenocidale serbomadhe ndaj shqiptarëve të mbetur padrejtësisht nën sovranitetin jugosllav, pavarësisht si quhej shteti: “monarki” apo “republikë”.

Fazliu është njëri nga ata që burgu iu bë varr; hyri me këmbët e veta në të, por nuk doli i gjallë.

Dramën e bën edhe më të dhimbshme fakti që pas vdekjes së Fazliut, bashkëshortja e tij, Myrvetja, pasi bëhet nënë, shkon në Turqi, për vizitë te njerëzit e saj dhe atje i ndodh një fakteqësi: i vdes ku lind fëmijën që e kishte në bark, djali, es aksidentalisht si fëmijë, duke rënë nga ballkoni i shtëpisë tek ishin vendosur.

Një familje u shua, ndërsa një këngë mbeti e pakënduar, melodi e këputur!

Përse u privua nga jeta Fazli Graiçevci?

Ishte anëtar i organizatës politike “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (LRBSH), të kryesuar nga veprimtari i shquar, simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi. Në fakt, Fazliu ishte jo vetëm anëtar, por edhe njëri nga drejtuesit e LRBSH-së, të kësaj organizate politike që shtrihej në tërë Kosovën dhe që kishte në program çlirimin e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin amë, Shqipërinë. Ishte kryetar i Komitetit për Drenicën.

Kishte ngritur flamuj, sikurse shokët e tij, në ‘63-shin, por aksioni i tij kishte qenë nga më të vështirët dhe më të guximshmit, sepse Fazliu e kishte vënë flamurin në repetitorin e Televizionit në Golesh. Të lartët synojnë gjithmonë lartësitë!

Ditën e arrestimit, më 3 gusht ’64, kishte lënë dy porosi: e para, fëmijës që pritej të lindte, nëse do të ishte djalë, t’ia linin emrin Flamur dhe, e dyta, “shkrimet të m’i ruani si sytë e ballit”, sepse për shkrimtarët dorëshkrimet janë si fëmijët!

Sa herë që flitet për Fazli Graiçevcin, nuk mund të mos përmendet akti burrëror i dr. Ali Sokolit, që nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin për kinse vdekjen e tij nga sëmundja e tuberkulozit e jo nga torturat në burg. Gjesti i këtij mjeku atdhetar me etikë profesionale dhe ndërgjegje kombëtare, tregon se Hipokrati dhe Sokrati nuk mund të ndahen, madje as në kohëra të errëta e të rrezikshme, çfarë ishte ajo e para vitit 1966 në Kosovë, por dhe më herët e më vonë.

Shtrohet pyetja: cili është portreti i Fazli Graiçevcit; çka e karakterizon atë si njeri dhe krijues?

Pamjen e tij të jashtme e njohim nga fotografitë: një djalë i gjatë, i pashëm, elegant, kurse botën e brendshme nga poezitë e botuara ose të lëna në dorëshkrim: një shpirt lirik me botë të pasur shpirtërore.

Bir i një familjeje të varfër fshatare me shumë fëmijë, Fazliu u rrit me dashurinë për vendin e lindi e për gjuhën amtare dhe me idenë e çlirimit të Kosovës dhe të bashkimit kombëtar.

Ishte atdhetar, por edhe humanist; në shpirtin e tij nuk kishte asnjë grimcë urrejtjeje për të tjerët. Të tillë kanë qenë gjithmonë revolucionarët e vërtetë; i tillë ishte edhe Fazli Graiçevci, mësues dhe poet, në vargjet e të cilit frekuentojnë shpesh fjalët dashni, njerëzi dhe mirësi. 

Kam dalë me ‘i tubë shpresa n’grusht

Kangë me i thurë mirësisë

(Me melodinë e ngrohtë jam mik i ngusht’)

Rreze dashnije me i falë njerëzisë.

Nuk e lanë ta vazhdonte këtë mision, që, në kushtet e trysnisë politike dhe policore, mund të ishte edhe iluzion. Jeta e tij u ndërpre dhunshëm, nga ata që strategji shtetërore kishin shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve, kurse kënga e tij mbeti e papërfunduar, si e shumë krijuesve të tjerë të talentuar, si Jusufi (Gërvalla), Bahriu (Fazliu) e të tjerë, që dhuntinë e tyre krijuese, ia falën kauzës kombëtare, pa harruar kurrsesi as “Bacën Adem”, të  cilit as armiqtë e tij më të mëdhenj nuk ia mohojnë talentin letrar. (Njëri nga denoncuesit e tij në vitin 1958, edhe vetë poet, e quante “shkrimtari ma i talentuem i Kosmetit”).

Pas vdekjes fizike nga torturat në burg, pasoi vdekja shpirtërore e Fazli Graiçevcit, që është edhe më e tmerrshme se e para: ndalimi i veprës dhe i emrit të tij, siç ndodh rëndom në sistemet totalitare, çfarë ishte edhe sistemi jugosllav, me gjithë propagandën dhe demagogjinë perfide.

Deri në vitin 1990, kur ra sistemi njëpartiak dhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, emri i Fazliut, sikurse edhe ai i Demaçit dhe i shumë të tjerëve, ishte i ndaluar. Pastaj, vrulltas u “zbulua” e u përmend në shkrime e gazeta si martir dhe si poet. U mblodhën poezitë e tij të botuara te “Zani i rinisë” dhe “Jeta e re”, si dhe ato të lëna në dorëshkrim dhe u botuan në dy përmbledhje vjershash: “Kanga e maleve” (1994) dhe “Gjethet e përgjakuna” (1995), që dolën njëra pas tjetrës, duke e rivënë komunikimin e ndërprerë me krijimtarinë e tij.

Por, ç’ndodhi më tej? Pasi kaloi euforia e fillimit të viteve nëntëdhjetë, Fazli Graiçevci sikur u la në harresë. Kjo harresë arrin deri aty sa ai nuk u përfshi as në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të hartuar nga Akademia jonë e Shkencave dhe e Arteve (2018), ku emri i tij nuk figuron fare, si të mos ekzistonte. Aty ka tre Grajçevcë të tjerë, të gjallë, por mungon zëri për më të njohurin dhe më të rëndësishmin ndër ta, Fazli Graiçevcin! Gati s’po u besoja syve teksa e shfletoja këto ditë botimin luksoz të Fjalorit Enciklopedik, të financuar nga shteti në themelet e të cilit qëndron gjaku i Fazli Graiçevcit dhe i shokëve të tij! Nuk është hera e parë që institucioni ynë më i lartë shkencor, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), që thith mjete të mëdha nga buxheti i varfër i Republikës së Kosovës, me qëllim apo nga mosdija, bën gafa të këtilla!

Po të kishte jetuar normalisht si gjithë të tjerët, Fazli Graiçevci mund të ishte ende gjallë, por ai zgjodhi rrugë tjetër: t’i qëndronte besnik idealit të vet jetësor: luftës për çlirimin e Kosovës dhe betimit për të mos i tradhtuar shokët, që ishte normë morale e Lëvizjes sonë Kombëtare.

Po e mbylli këtë fjalë modeste me një përqasje, që m’u imponua vetvetiu derisa po i bëja këto shënime. Mund të jetë rastësi, por edhe rastësitë e kanë simbolikën e vet. Përse është fjala? Për një analogji fati e moshe të dy djemve kryengritës, njëri i Delvinës, tjetri i Drenicës.

I lindur në vitin 1935, Fazliu ishte 29 vjeç kur vdiq, në të vërtetë kur e vranë, po aq sa edhe njëri nga intelektualët më të talentuar të viteve tridhjetë në Shqipëri, poeti dhe publicisti Ismet Toto (1908-1937), të cilin pushteti zogist e vari në litar me akuzën se kishte dashur ta përmbyste regjimin. Para se ta ekzekutonin, shkroi tekstin vehement: “De profundis”, që mbyllet me fjalinë lapidare: “Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen”.

Fazli Graiçevci i takon lagjes së atyre që digjen, që u dogjën për ta ndryshuar botën, në rastin tonë fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve si komb, por, pse jo, edhe të njerëzve të tjerë që jetojnë në këtë hapësirë dhe më gjerë, pa dallim race, gjuhe, feje e kombësie.

Lavdi atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës!

Nderim emrit dhe veprës së Fazli Graiçevcit!

 (Fjalë e mbajtur në mbrëmjen përkujtimore kushtuar poetit dhe veprimtarit Fazli Graiçevci mbajtur në Kryeministrinë e Republikës së Kosovoës, më 17 gusht 2024)/ KultPlus.com

Të ngjajshme