2 Shkurt, 2024 - 7:50 pm
Nga Ag Apolloni
Para pak ditësh, dy të mitur e mbytën një 18-vjeçar nga Podujeva. Nga videot që qarkulluan, pamë që të miturit ishin gangsterë (vozisnin veturë pa leje, i turreshin me veturë njeriut, e rrihnin me grushte e me shkop derisa ia humbën vetëdijen; në një video tjetër shihej njëri nga ata gangster duke shtënë me revole në ajër). U tha se viktima ishte djalë i mirë, pa prindër. U pa se sulmuesit e tij ishin djem të këqij, me prindër. Rasti ishte i rëndë, reagimi publik i ashpër.
Reagime të pamatura
Shumicës së atyre që akuzonin, shanin e mallkonin të miturit, i mungonte logjika e të rriturit. Çka thanë të rriturit për dy të miturit? 1. t’i dënojmë me burg të përjetshëm; 2. të kthehet dënimi me vdekje; 3. t’i varim në shesh; 4. fajet i ka shkolla.
E vërteta është se dënimi me burg të përjetshëm nuk i prek të miturit. Dënimi me vdekje është ekzagjerim emocional. Varja në shesh është absurde. Prandaj të ndalemi vetëm tek ajo që ia vlen të diskutohet: fajet i ka shkolla. A vërtet jeni aq naivë sa të mendoni se shkolla mund të ndikojë në parandalimin e krimit? Dhe, nëse po, atëherë si mund të ndikojë ajo te një nxënës i përjashtuar?
Shkolla s’të ban njeri
Shkolla të jep dije, informacion, kurse sjellja përmirësohet nëpërmjet vetë-edukimit dhe familjes, s’po them gjenetikës, se kjo hap debate të tjera. Shkolla s’është as fajtore, as meritore për vrasjen e 18-vjeçarit. Ka shumë të pashkolluar që nuk kryejnë krime, ashtu siç ka edhe shumë të shkolluar që kryejnë krime. Cilësia në arsim? S’ka të bëjë fare me krimin. Vetëm naivët që besojnë në metanarrativa “iluministe” mund ta fajësojnë shkollën. Sistemi arsimor mund të përmirësohet, por ndikimi i tij në uljen e përqindjes së krimeve është zero. Sepse, shkolla mund të të bëjë më të ditur, por jo më të mirë. Dija dhe vetëdija janë dy gjëra. Dija merret nga të tjerët (njerëzit, librat etj.), kurse vetëdija/ndërgjegjja është vetënjohje, apo, siç na e shpjegon etimologjia, njohje brenda vetes. Kur bën një krim, s’të mundon dija (science), por ndërgjegjja (conscience). Ata që ia lënë krejt fajet dhe meritat shkollës (dijes), dhe e shpërfillin atë që është esenciale për veprimin (përfshirë edhe krimin), nuk dallojnë nga Hitleri që thoshte se “ndërgjegjja është shpikje e çifutëve”.
Studiuesi George Steiner jep fakte interesante për të treguar se mund të jesh i arsimuar mirë dhe i dhënë pas të keqes. Hans Franku, thotë ai, ka qenë i arsimuar mirë, dhe njohës e interpretues i Bahut dhe Moxartit, por kjo s’e ka ndaluar ta udhëheqë “Zgjidhjen Përfundimtare”, planin gjenocidal kundër hebrenjve; në dhomat e gazit kanë punuar njohës dhe adhurues të Goethes dhe Rilkes; filozofi Heideger shkruante e filozofonte pak hapa larg kampit ku torturoheshin e digjeshin njerëzit, të cilët i shpërfillte sikur të ishte robot.
S’besoj se mund të akuzohet shkolla serbe, apo Fakulteti i Drejtësisë në Beograd, për krimet që ka bërë ish-studenti i atij fakulteti, Slobodan Milošević.
A mendoni se ai që e ka një gjashtëshe në fakultet është më i dhunshëm se ai që ka dhjetëshe? Apo, a mendoni se ai që ka dhjetëshe me të njohshëm (me mik), është më i dhunshëm se ai që ka marrë 10 me meritë (pa mik)?
T’ia faturosh shkollës dhe mësuesit krimet që ndodhin gjithkund nga gjithkush, domethënë të kesh inat ndonjë mësues, apo profesor në atë shkollë, të cilin në pamundësi për ta vrarë, provon ta njollosësh. Pra, ti je vrasësi potencial.
Kanuni, hoxha dhe policia
Krahas këtyre laikëve që akuzuan shkollën, pati edhe fetarë që thanë se krimet ndodhin për shkak se nuk po futet lënda fetare nëpër shkolla. Pra, laikët dhe fetarët morën në shënjestër shkollën: të investojmë në edukim, se kështu e zhdukim krimin, thoshin të parët; ta fusim lëndën fetare në shkolla, se kështu e parandalojmë krimin, thoshin të dytët. Kësaj here laikët dhe fetarët ishin njësoj të “zgjuar” dhe njësoj të ligë. Shfrytëzojnë një rast vërtet të dhimbshëm, për t’i ngopur apetitet e tyre: laikët për të thithur fonde kinse për ta ngritur cilësinë në arsim; fetarët për t’i rrasur hundët në institucione laike (të kuptohemi: jam për një lëndë si “Historia e religjioneve”, të mbajtur nga profesorë jopropagandues, por jo për edukimin fetar si indoktrinim të nxënësve).
Si laikët, ashtu edhe fetarët flisnin nga pozicioni i të gjithëdijshmit, duke e marrë rolin e atij që s’i besojnë (të parët), apo të atij që i nënshtrohen dhe e adhurojnë (të dytët). Të dy palët, me ose pa vetëdije, bënin blasfemi.
Këtij budallallëku laiko-fetar, iu bashkua edhe hoxha dhe familja e viktimës, duke u mbështetur në kodin zakonor mesjetar, përkatësisht duke dhënë besë mujore për njërin, e duke e privuar nga besa tjetrin. Duket se nuk e kuptonin që duke u thirrur në besën, paralajmëronin në pikë ditës se do t’i bënin dy krime për hakmarrje.
Megjithatë, policia u tregua vigjilente, dhe e thirri ne interviste familjarin e viktimës, i cili dukej se kërcënimin kanunor e kishte bërë pa e menduar mirë, i kapluar nga emocionet, që në këtë rast janë të kuptueshme.
Për mua paradoks sui generis ishte fakti që për besën kanunore u angazhua përfaqësuesi i etikës kuranore. Kanuni, i mirë, apo i keq, është kanun i krishterë. Ai fillon me Kishën, kurrkund nuk e përmend xhaminë, as hoxhën. Ndërsa familjet “e hasmëruara” janë muslimane. Kanuni, nëse nuk ishte kushtetutë kontra-osmane, ishte së paku jo-osmane, jo-islame.
Shit happens
Për dështimin e projektit iluminist (domethënë që edukimi do ta bëjë botën më të mirë) kanë folur shumë studiues. Jua sugjeroj vetëm dy: Tzvetan Todorovin dhe George Steinerin. Nëse s’u besoni atyre, atëherë dëgjojeni gjyshin, apo gjyshen, kur ju thonë: shkolla nuk t’ban njeri. Morali është i njëjtë, dallon vetëm gjuha.
Po çfarë të bëjmë tash që krimet po ndodhin? S’kemi çfarë të bëjmë. Shit happens.
A mund të parandalohej ky krim? Po dhe jo. Po, sepse familja e vrasësve duhej t’i kishte nën kontroll fëmijët, meqë ishin ende të mitur. Jo, nuk mund të parandalohej, sepse organizimi i familjes sot është i atillë që, në shumicën e rasteve, fëmija është i pavarur nga familja (përveç varësisë financiare, që ende ruan njëfarë relacioni mes tyre). Prindërit nuk e dinë që fëmijët e tyre pinë duhan, marrin drogë, vozisin vetura, mbajnë armë, rrahin njerëz etj. Ata e marrin vesh veç në mbrëmje kur ulen t’i shikojnë lajmet qendrore.
U tha se viktima ishte jetim, por edhe vrasësit s’duket që kanë pasur prindër. Prandaj debati për krimin në Podujevë do të duhej të fokusohej brenda familjes dhe në individin. S’kishte pse të fajësohej shteti, as shkolla. Shkollat në Kosovë ndoshta vërtet i mësojnë pak nxënësit e tyre, por, jam i bindur që asnjëra shkollë nuk i mëson aspak që të vrasin. Në humanizimin (empatinë) e njerëzve (nxënësve) mund të ndikojë (në njëfarë mase) letërsia dhe arti, sigurisht, por kurrsesi shkolla. Ajo çertifikon. Pra, shkolla s’të ban njeri. Kjo është një thënie arkaike, por njëkohësisht edhe aksiomatike.
Ne jemi modeli që ndjekim
Dostojevski na ka mësuar se njeriu bën çmos t’i ngjajë modelit. Raskolnikovi i tij dëshiron të bëhet dikushi. Thotë: pse Napoleoni arriti të bëhej dikush, kurse unë jo. Dhe konstaton: sepse ai vriste. Kështu, edhe Raskolnikovi e kap sakicën dhe kryen vrasje.
Siç ka thënë Woody Allen, “njeriu zgjedh modele” (pra, njeriu e ndërton jetën mbi modelet që zgjedh). Secili prej nesh ka modelin e vet. Ka dëshiruar, dëshiron, ose ia ka arritur të bëhet si filani.
Çfarë modeli kishin vrasësit e mitur? Gangsterët.
Shumica e të miturve e kalojnë ditën duke luajtur “counter-strike”, pra duke marrë qëndrim vrasësi në lojë. Nganjëherë kalimi nga loja në realitet është shumë i lehtë. Një fëmijë që gëzohet duke vrarë në lojë, tundohet për ta provuar atë ndjenjë edhe me vrasje të vërtetë.
Gjithashtu, shumica e fëmijëve dhe të rinjve adhurojnë filmat me gangsterë, jo pse u pëlqen aktori (se nuk marrin vesh në artin e aktrimit), por sepse i frymëzon (ose ua ushqen instinktin e vrasësit) roli, personazhi. Ata nuk synojnë të bëhen si Al Pacino, por si Tony Montana.
Prandaj, ndaj të miturve dhe të rriturve të tillë duhet të tregohet kujdes, jo çfarë mësimi marrin nga shkolla e nga librat, po si e shpenzojnë kohën dhe çfarë modeli ndjekin. Ata që ndjekin modele të rrezikshme duhen raportuar nga të afërmit e tyre, dhe duhen penguar së pari nga familja, pastaj, nëse familja s’arrin ta kthejë kah modeli i duhur, le të angazhohen shoqëria dhe institucionet.
Ata të mitur që vozisin veturë dhe sillen si gangsterë, natyrisht që do të bëjnë krime. Se, çfarë lezeti ka të jesh gangster vetëm në “counter-strike”?
Kjo që ndodhi në Podujevë, nuk është më e keqja. Kështu si po shkojnë punët, me fëmijë dhe rininë apatike (një apati që po ua shkakton bota virtuale), një ditë, pasi ta vrasim njeriun, do të ulemi dhe do ta hamë. Kanibali është një model që e njohim dhe mund ta zgjedhim.
Pra, problemi është te modeli, jo te shkolla./KultPlus.com