28 Gusht, 2022 - 12:30 pm
Shkruan: Plator Gashi
nuk ka ma mëngjese.
nuk ka ma trumcakë qi ngjatjetohen te parvazi i dritares seme, tue kuvendue për idaren e për ndërrimin e motit.
as sorrat, besa, s’po duken ma kah unë — nifar’ vakti silleshin si qerthull krrokamash te dera jeme, tue folë për tradhtitë e pabesitë e miqve, para se me i pushue pendlat, së bashku me shemrat, te rremat e arrës përbri. Edhe ato janë tretë.
mëngjeset nuk janë ma pjesë e ditës — janë sikur postblloqe çnjerëzore qi të lanë me zemër te malcueme e sy të shqyem. Në pjesën tjetër të ditës lejohesh me hy, po s’je i mirëseardhun. E ditën, kur na shihen rrudhat ma mirë, flasim kinseambëlsisht nëpër buzëkeshje të stisuna e dhambë të zverdhun cingaresh, ndërkaq natën bahemi gazepqarë me fjalë-sharrë e zemra varrë, tue pritë qi mëngjesi na shpërlan ziftin qi na tajit lëkura tek hiqemi se begenisim bashkënjerëzit.
po mëngjese ma s’ka, as agullime të flladitshme qi spastrojnë lëtyrat e shurrën qi njomin udhën drejt ditës.
*
në shumë treva, mëngjesit i thonë thjesht natje dhe kjo asht ma e drejtë. Sepse këto kinsemëngjese s’janë tjetër pos kërthij të netve mëniplota qi lypin me i thithë sisat e nanës plangprishëse, e cila ushqehet nga frytet e zvetënimit tonë.
shihet herë mbas here ndoni pupël e zogut të sorrës, aq e brishtë dhe e përkohshme, para se me u fërfëllue nga fshisha e mirëmbajtësit të postbllokut.
Mirëdita, më thonë, ndërsa u dridhen muskujt e buzëve, të rraskapitun prej të keshmeve-angari. / KultPlus.com