3 Korrik, 2019 - 1:00 pm
Nga Batjar Halili
Një nga kushtet më të rëndësishme të suksesit në jetë dhe në shkollë është që të studiohet në mënyrë të vazhdueshme. Ne duhet të lexojmë shumë për të përfituar nga ato produkte që janë hulumtuar dhe gjykuar nga studiues të ndryshëm përgjatë shekujve, dhe ky është një indikator që tregon që kemi hyrë në rrugën e jetës për t’u bërë persona të civilizuar dhe të kulturuar. Personi që studion është gjithmonë i ditur dhe i suksesshëm në jetë. Ne jetojmë në epokën e informacionit, dhe librat janë gjërat që ne do të duhet t’i blejmë më shumë se çdo gjë tjetër. Leximi e glorifikon dhe përtërin shpirtin dhe njerëzve ju jep më shumë vlerë. Mënyra e vetme për të hequr qafe injorancën është përmes leximit të librave. Pas leximit të një libri, njeriu duhet të jetë në gjendje të veprojë më mirë se më parë, të shohë më qartë dhe të ndejë më thellë pa u mashtruar nga fjalët e të tjerëve sepse pas leximit ai fillon dhe ndërton botëkuptimin e tij. Bibliotekat tona janë bankat qendrore të informacionit, janë burime të thesarit që na japin dije dhe informacione. Kur lexojmë një libër, e kuptojmë dhe kohën që autorit ju ka dashur për ta shkruar librin dhe përvojën që ai ka fituar gjatë shumë viteve, dhe kështu ne arrijmë ta marrim atë përvojë duke e lexuar librin brenda pak orësh. Kjo na lejon të ruajmë dhe përcjellim gjërat e çmuara në botë, në jetën dhe kohën që kalojmë. Libri na mëson se si të përdorim gjuhën tonë në mënyrën më të saktë gjë që është një nga elementët më të rëndësishëm të kohës sonë.
A është i rëndësishëm leximi?
Një person i cili mëson brendësinë e ngjarjeve dhe të zhvillimeve duke lexuar së pari rrit vetëbesimin e tij. Në të njëjtën kohë, zhvillon horizontin e të menduarit, duke e siguruar një këndveshtrim të gjerë të të parit të situatave, di dhe ka mundësinë për të shqyrtuar ngjarjet. Përveç kësaj, lexuesit fitojnë një fjalor të pasur që vjen më së shumti nga leximi, gjithashtu kanë një ndikim tek njerëzit të cilëve u drejtohen duke folur me mençuri dhe bëhën mbresëlënës. Ky efekt forcon marrëdhëniet me njerëzit dhe i jep personit një karakter më social.
Për më tepër, fjalori i gjerë u lejon njerëzve që të mendojnë me më shumë koncepte. Kështu që rrit kapacitetin e të menduarit dhe nivelin e kulturës. Në vend që të kalojnë kohën e lirë para televizionit, i cili me kanalet e tij të shumta, shpesh, nuk transmeton ndonjë informacion të dobishëm. Këta njerëz lexojnë libra dhe si rezultat i njohurive dhe kulturës që ata fitojnë, kanë një personalitet aktiv në shoqëri. Të gjitha këto karakteristika janë tregues shumë i rëndësishëm që njerëzit duhet së pari të lexojnë për veten e tyre. Ata që zhvillohen duke lexuar do të jenë në gjendje që gjithashtu t’i menaxhojnë dhe zgjidhin ngjarjet e problemet rreth tyre dhe do të përparojnë në nivelin e edukimit brenda komunitetit dhe më gjërë.
A ka libra të dyshimtë dhe që nuk ia vlen të lexohen?!
Përveç të gjitha këtyre hollësive që kam theksuar më lart rreth shprehive të leximit, një pikë e veçantë është t’i kushtojmë vëmendje përzgjedhjes së librit që duhet lexuar.
Pse?
Sepse librat dhe artikujt pa baza shkencore, ndërtuar mbi shpjegime të dyshimta, të mbushura me gënjeshtra dhe falsitete, natyrisht që kanë efekte negative tek njerëzit. Këto efekte negative mund të parandalohen vetëm duke lexuar libra që bazohen në fakte shkencore, dhe që nuk i lodhin lexuesit dhe janë të thjeshta dhe të lehta për t’u kuptuar.
Sot të drejtën për të shkruar e ka çdo person. Minimumi për të fituar të drejtën e një krijuesi shkencor apo letrar duhet të jesh metodolog i mirë, të jesh njohës i mirë i gjuhës në të cilën shkruan dhe përkthen e mbi të gjitha të jesh një lexues dhe studiues me bazament dhe me një bagazh të konsiderueshëm dhe me përvojë jetësore, e pastaj, nga të gjitha këto aftësi, shkathëtësi dhe përvoja të fituara do të mund të realizosh diçka të bukur që ka ide dhe mesazhe, por edhe nivel shkencor dhe efekt edukativ, etj.
Para së gjithash, është e rëndësishme që librat që lexohen me kënaqësi të nxisin personin të lexojë dhe kënaqesinë e marrë nga leximi i librit të ketë mundësi ta ndajë me të tjerët. Sepse librat me karakteristika të kundërta me ato që kemi përmendur bëjnë që njerëzit të bëhen skeptikë dhe të pashpres dhe nuk ndodh që këto lloj tekstesh të lexohen dy herë, aq më pak të sugjerohen dhe ajo që është më e rëndësishmja, informacioni dhe ndjesia e fituar nga to, krijon një distancim të pavetëdijshëm nga libri dhe bota e tij. Me këtë kuptojmë që autorët e pa nivel me librat e tyre koti, pa asnjë vlerë edukative, shkencore apo letrare, ndikojnë në dy dimensione; në keqinformim dhe formim të lexuesit dhe të distancimin e tij prej librit në përgjithësi. Për këtë arsye duhet të rrijmë larg sharlatanëve dhe mediokërve sepse siç ka thënë një studiues amerikan: “mos harroni se armiku më i madh është miku injorant” , prandaj që të mos dëmtojnë apo shndërrojnë shijet tona duhet t’u shmangemi, duke përzgjedhur librin bazuar tek emri i autorit, sugjeruesi i kualifikuar, kritika e mirfilltë dhe rrethi i besuseshëm shoqëror. Në këtë formë ne do të arrijmë që të “ushqejmë” trurin dhe shpirtin tonë, dukë u bërë një njeri i kulturuar.
Batjar Halili (psikolog) / KultPlus.com