16 Mars, 2023 - 5:30 pm
Nga Ballsor Hoxha
Ndodhë që e tërë shoqëria e Kosovës është në ankth për një Mercedes! A po ndodhë e njëjta gjë me neve sikur në Shqipërinë e pas-komunizmit, kur çdo banor duhej medoemos të kishte një Benz? Por, për t’i shtuar kësaj çudie, derisa në Shqipërinë e asaj kohe Benz-i nuk zgjedhej shumë, në të vërtetë e tëra që i duhej ishte të – shkonte – të funksiononte. Ne jemi të obsesionuar për të pasur modelin e fundit të Mercedes – Benzit.
Të gjithë e kemi në gojë shprehjen, “mbijetesa”, por të gjithë jetojmë duke shpenzuar larg dhe mbi të ardhurat tona, jemi Hipershpenzhues të tërë rajonit së paku.
Është pyetja e shpeshtë, prej nga kemi mundësi që të jetojmë me nga një Mercedes për kokë banori? (përafërsisht). Me nga disa banesa, e, thënë shkurtë, me standard të shpenzimeve mbi tërë prodhimtarinë dhjetë vjeçare (përafërsisht) të tërë Kosovës brenda një viti.
Por, në këtë, mund dhe të pyetemi, a ka kjo ndonjë lidhje me acarimet, dramën, dhe luftën përreth dialogut Kosovë – Serbi?
Mbijetesa, së pari, është gjendje me dekada në Kosovë, kjo nuk është shkaktuar, vetëm, nga politika jonë, dhe as, qoftë nga politika e sotme, dhe as nga ajo e pas-lutës. Mirëpo kjo gjendje është një prej frustrimeve më të thella të njerëzimit, dhe aq më shumë të shoqërisë sonë.
Në këtë, politika, duke krijuar emocione dhe drama të skajshme krijon edhe krizën e mentaliteteve të shoqërisë sonë dhe me këtë atë që në anglishte dhe në filozofinë e ekzistencës njihet si – apprehension – e që është jo vetëm të të ndjerit i kërcënuar por edhe të kesh – parandjenjën – (si fjalë më e përafërt me shprehjen e përdorur në anglishte këtu), për ekzistencën dhe mbijetesën. Kjo, domosdoshmërisht krijon ankthin e të gjeturit të një strehe ndaj këtij kërcënimi dhe ndaj kësaj gjendjeje. Kjo, domosdoshmërisht krijon ankthin për të gjetur shpëtim, jo më nga ndonjë katastrofë e papërballueshme. Por njeriu në këtë gjendje si një fëmijë i pandihmë ndaj kërcënimit, apo pamundësisë së tij, provon të zotërojë mbijetesë në këtë katastrofë të paramenduar. Paradoksale!!
Në të vërtetë njeriu gjithnjë është në gjendje të këtij fenomeni – apprehension – por kjo është në suaza të të zakonshmes, dhe të paramenduarës, apo qoftë siç ishte tërmeti në Turqi, e që e bën këtë shoqëri dhe këtë zonë si në një gjendje konstante të këtij kërcënimi, por që është natyror dhe përtej mundësisë së njeriut. Ndërkaq në rajonin tonë, kjo gjendje e – parandjenjës – për katastrofë është emri i Luftës. Fillimit të saj. Rifillimit të saj. Dhe të pandalshmërisë së saj.
Në këtë, shoqëria jonë është e ndarë në dy masa krejtësisht të pabesueshme, dhe paradoksale: derisa njëra provon të zotërojë luftën, dhe atë që vjen para e pas saj, duke krijuar strehë e pasuri, në anën tjetër është masa tjetër e shoqërisë që vuan dërrmimin dhe nënshtrimin ndaj këtyre zotëruesve të mjeteve të hiper-kapitalizuara.
Por, si ndodhë kjo? Është pikërisht emri i Luftës, që është konstant dhe i pandalshëm në këtë mbijetesë, dhe përbrenda jetësimit tonë të tërë qenies sonë. Është fenomen i cili mbahet sikur një tigër i çartur lidhur për grilat e jetës ku jemi të izoluar dhe në këtë na kërcënon për çdo ditë dhe veprim tonin.
Me këtë emri i Luftës, qoftë në dekadat para dhe menjëherë pas luftës së vërtetë, dhe qoftë tanimë në zjarrin e luftës brenda dialogut Kosovë – Serbi, është edhe më afër, edhe më kërcënues, edhe më i vërtetë. Saktësisht kjo na bën të jemi nën ankth konstant të emrit të Luftës dhe të provojmë të zotërojmë pasigurinë. Kërcënimin. Dhe me këtë, të zotërojmë përmes shpenzimeve dhe përmes blerjes së pak sigurie, të vetë qenies sonë.
Në këtë shfaqet – apprehension – zinxhirë, që shfaqë dyshimin në atë çka është – siguria mbi këtë apprehension -, mbi këtë emër të luftës, siguri e jona, e rajonit, dhe e ditës së sotme, në të vërtetë?
Dhe ky zinxhirë është i pafund, i pandalshëm dhe i pakuptim, në tund të fundit. Sepse nën kërcënimin e emrit të Luftës, çdo gjë është e pavlefshme, dhe në këtë çdo gjë që është e jona, dhe para nesh, devalvohet, dhe në të të vërtetë, kërkon edhe më shumë investim, edhe më shumë shpenzim, edhe më shumë Hipershpenzim. Çdo gjë humb vlerën e saj para nesh dhe jemi të automatizuar në atë mënyrë që sigurinë ndaj emrit të Luftës ta kemi të kapur përmes gjërave materiale, si banesa, Mercedesi (për kokë banori) etj./KultPlus.com