Mercedesi si keqkuptim i religjionit

13 Prill, 2023 - 7:38 pm

Dehja e bartësit të religjionit nga pushteti i tij

Ballsor Hoxha

Gjyshi im ka mësuar në medresenë Islame. Dhe në kujtimet e tij të pleqërisë kujtonte se si në fëmijërinë e tij ishte mësuar nga mësuesit e medreses që të ruanin, të veçonin dhe të strehonin çdo shkrim arab, apo në arabishte që gjenin rrugës. Për ta, ishin mësuar kështu në shkollën e medreses çdo fjalë arabe ishte e shenjtë. Qoftë edhe nëse në atë flitej, për shembull, për kuaj.

Më vonë në fëmijërinë time, me gjithë socializmin e komunizmin e të gjitha agresionet, vazhdonte po e njëjta shenjtëri. Megjithëse ishin zhdukur të gjitha shkrimet në arabishte, të shumta në kohën e gjyshit, tanimë buka e hedhur, e gjetur në rrugë, ishte e shenjtë. Duhej skajuar disi, duhej ruajtur disi dhe duhej strehuar. Qoftë edhe pse ishte mbeturinë, e qoftë edhe pse ishte e prishur, apo ndoshta edhe e dëmshme, për shembull për qentë.

Por, deziluzionimi me çfarëdo lloj religjioni (jo besimi) të myslimanëve të Kosovës, së paku të para luftës, kishte ndodhur pikërisht në takimin dhe shoqërimin tim me një arab që jetonte në Londër (them jetonte, e kushedi ku mund të jetë tani!).

Në përkthimet e tij nga arabishtja, sipas arabishtes së tij, gatisë të gjithë emrat e shqiptarëve mysliman, së paku në Kosovë, ishin të keqkuptuar, ishin injorantë dhe aq më shumë ishin të shtrembëruar, dhe pikërisht për këtë njeri, ato ishin keqkuptim i Islamit.

Sipas tij, për shembull, (të më falin të gjithë ata që quhen kështu) emri Xhevat është thjeshtë emërim i thjeshtë për kalin.

Por, tanimë, pas Parisit, pas New York-ut, pas Shri Lankës, e sidomos ISIS-it, gjërat vazhdojnë të devijojnë, edhe më shumë, edhe më thellë dhe edhe më shtrembër.

Para një kohe, kam qenë dëshmitarë, derisa fëmijët po luanin futboll në një fushë sporti, u dëgjua myezini i xhamisë duke thirrur ezanin. Në këtë fëmijët ranë në konflikt nëse duhej ndërprerë loja e futbollit e tyre, derisa thërriste myezini, apo nëse nuk duhej t’i përmbaheshin ndonjë rregulle. Por në fund u dorëzuan, që besoj është mëkat edhe sipas religjioneve, dhe ndaluan së luajturi futboll.

Por, kjo nuk është e tëra. Në lagjen ku jetoj, e po ashtu në të gjitha lagjet e Prishtinës, ka shumë qenë të pastrehë. Por që të gjithë janë të sterilizuar (kastruar). Mirëpo, aty ku ka xhami në afërsinë e tyre, që do të thotë aty ku dëgjohet myezini, qentë, sidomos në vaktet e vetmisë së qenieve në tërë globin, i përgjigjen thirrjes së myezinit. Aq më shumë në sjelljen e vëzhguar të tyre, ata i përkulen kësaj thirrjeje.

Në këtë përshkallëzim të historisë së Islamit në Kosovë, përmes disa shembujve, jo edhe pa rëndësi, qentë tanimë janë viktima e radhës e pushtetit të njeriut. Të sterilizuar (kastruar) ata e respektojnë njeriun në frikën që u është shkaktuar. Dhe në tërë këtë hipokrizi njerëzore kjo merret për shenjtëri. Apo, qoftë edhe në zona më ekstreme si blasfemi. Gjë që do të thotë se njeriu po  e përfshinë edhe kafshën në “dehjen e tij nga pushteti” i marrë prej vetë tyre.

Sidoqoftë, besimi në shembullin më të mirë të mundshëm në filozofinë e njerëzimit, në librin e Soren Kierkegaard, thotë se ai është individual, dhe besim në infinit (të pamundshmen) derisa i bindemi të mundshmes, reales. Mirëpo, kur kjo hyn në religjion, njeriu, bëhet bartës i po të njëjtës, dhe është gjë e padyshimtë se ai, cilido qoftë, Mullai apo qoftë religjiozi në familjen e tij, do të bartet nga dehja e pushtetit që i jep po e njëjta skemë e të jetuarit. Do të devijojë, pikërisht çfarëdo shenjtërie dhe çfarëdo të mire të skematizuar. Dhe në këtë prapë mbetemi vetëm njerëz, dhe prapë vendosim nën pushtet qoftë edhe qenë të pa strehë e Mercedesa të cilët mund të jenë edhe pushtet material përpos tjerash./ KultPlus.com

Të ngjajshme