27 Gusht, 2020 - 9:35 pm
Shkruan: Laureta Berisha Kosumi
E ulur vetëm në një restorant, po shikoja tri zonja tek po hynin brenda, njëra prej tyre me fëmijë. Meqënëse restoranti ishte i mbushur përplot dhe nuk kishte vende të lira, ato kërkuan leje të uleshin në një tavolinë me mua.
“Po, ju lutem urdhëroni uluni, nuk më pengoni”, ju thashë. Teksa porositën ushqimin, ajo që më bëri përshtypje, ishte qasja e nënës ndaj fëmijës i cili me një fytyrë që rrezatonte ëmbëlsi po shikonte me kërshëri dhe sikur priste që të kyqej edhe ai në bisedë. Por nëna i’u qas fëmijës: ” Merre me nanin telefonin dhe luje naj lojë”…
“Merre telefonin dhe luaj”, fjalë që më tingëllon akoma në vesh dhe nga e cila më lindën një mori pyetjesh në kokën time!
Pse nëna t’ia ofrojë fëmijës së saj telefonin, pse nëna ta lërë pasdore fëmijën vetëm e vetëm që të ndihet më rehat? A po prodhojmë vetë fëmijë të varur nga teknologjia. Përse ankohemi pastaj se fëmijët shohin gjithçka në internet, pse ankohemi se fëmijët tanë rrijnë të zhytur në mendime ose janë të dhunshëm, pse ankohemi se fëmija jonë nuk i bën detyrat me rregull, apo është i shpërqendruar?! Pa dashur ta gjeneralizoj shtrirjen e kësaj dukurie tek të gjitha nënat, por nga brenga e madhe karshi kësaj dukurie shumë negative me tendencë përherë në rritje, doja të ndaja mendimin tim.
Përdorimi pa masë i teknologjisë tek fëmijët është problem në rritje në përmasa shumë të mëdha. Duke u nisur nga varësia ndaj teknologjisë, pastaj dëmet shëndetësore që mund të sjellë, secili nga ne duhet të merrë masa paraprake që t’i ruajmë fëmijët tanë. Lind pyetja se si t’i ruajmë kur ata kanë qasje kudo? Shumë prindër u blejnë aparate teknologjike fëmijëve të tyre që t’ua plotësojnë dëshirën për të qenë në hap me kohën dhe për t’ua bërë më të lehtë qasjen në rrjetet sociale, apo në burime të informatave (moshat shkollore). Ata pastaj hyjnë dhe zhyten në detin e pafudëm të internetit, duke harruar madje edhe se duhet ngrënë, apo duke ngrënë me njërën dorë dhe me tjetrën janë në telefon, duke harruar që kanë detyrat e shtëpisë apo duke harruar të shkojnë edhe në shkollë! Të shohësh një fëmijë 4 vjeçar që posedon telefon madje edhe ipad, të duket shumë absurde, aq më absurde të duket kur nëna ja merr me vete kudo të dyja se mos po i shpenzohet bateria njërës dhe i ngelin punët shtetërore pa kryer, pastaj fëmija hyn në rrjetet të ndryshme të videove dhe sheh çkado, skena të dhunshme, dhe nga më të ndryshmet.
Teknologjia na e ka lehtësuar jetën për shumë gjëra dhe nëse përdoret me masë përfitimet dhe burimet informatave që mund të marrim përmes saj janë të mëdha, por për të pasur qasje fëmijët tanë deri në përmasat që shihet tani e që janë alarmante, duhet të mirren hapa konkret nga prindërit në kufizimin e përdorimit të internetit, pasiqë nga nga moshat disa muajshe që u’a vënë prindërit (shumë nga ta) telefonin para me këngë dhe gjëra tjera për fëmijë e deri tek moshat adoleshte, është mbase për t’u preokupuar për shëndetin e fëmijëve tanë qoftë fizik dhe psiqik të tyre. Fëmijët tanë mund t’i ruajmë duke u kushtuar së pari vëmendje ne si prindër, duke ndarë kohën me ta, duke luajtuar me ta dhe duke qenë shumë të hapur me ta në çdo kohë dhe për çdo qështje. Madje vetë duhet të jemi shembull i gjallë në përdorimin e kufizuar të telefonit në prezencë të tyre, pasiqë jemi pasqyra më e mirë për ta dhe ata më shumë imitojnë veprimet tona sesa i marrin për bazë këshillat tona. Duke ua bërë të dashur sportet e ndryshme dhe leximin e librave, si dhe në këtë masë do të mbushim kohën e tyre të lirë dhe do të ndjehen madje shumë të relaksuar, poashtu do të bie gradualisht edhe dëshira për të kaluar tërë kohën e lirë në mjete teknologjike. Nuk mund t’ua heqim me dhunë apo kërcënime, sepse ishim ne ata që ua ofruam, ishim ne ata që i zhytem në këtë botë pasiqë fëmijët janë të pastër dhe imituesit tanë më të mirë, andaj duhet pasur kujdes që qasja jonë ndaj tyre të jetë e butë. Poashtu, mos ta harrojmë institucionet edukative, rrethin e jashtëm dhe shoqërinë ( për mosha më të rritura), e cila ka ndikim të madh në mirë(keq) formimin e një fëmije. Aspak se shoh të arsyeshme lejimin e telefonave tek nxënësit në ambientet e klasës, ku do të jetë vëmendja e atij nxënësi ndaj mësimit kur tërë kohën mendon se si ta bëjë selfien e radhës apo t’ua hedhë një sy të rejave të rrjetet sociale. Andaj patjetër duhet të ndalohet përdorimi i tel. gjatë orëve të mësimit.
Vajza ime e madhe kur ishte 4 vjeçe kërkoi t’ja blej një pije të gazuar, duke ja spjeguar sa e dëmshme është dhe asesi nuk bën për fëmijë mu drejtua ” nani po përse ti me babin e pini ndonjëherë pasiqë është kaq e dëmshme, a sdo ju bëj keq edhe juve si mua ?!” U turpërova nga pyetja e saj dhe më dha një mësim të mirë që të mos e këshilloi një gjë të cilën nuk e praktikoj vetë, aq më pak në një moshë kur i absorbon të gjitha ato që i sheh tek prindërit.
Prindër të dashur.. E di që të gjithë doni t’i shihni fëmijët tuaj në mënyrën më të mirë si: të shëndetshëm, të suksesshëm, të mençur, të mirëedukuar, të mirëkuptueshëm, marrës të këshillave, të dashur ndaj nesh, të dhimbshëm…. Mos të harrojmë se për të gjitha këto jemi vetë burimi, jemi ne ata që në çdo formë dojmë t’ua ofrojmë më të mirën qenieve më të dashura për ne, por gjatë kësaj rruge mund të bëjmë edhe hapa të gabuar, por që do të na kushtojnë në të ardhmen, andaj të kujdesemi për hapat që hedhim, qoftë edhe me mund dhe sakrifica të mëdha, të jenë hapa të sigurtë, të jemi të durueshëm gjatë kësaj rruge aspak të lehtë, pastaj kur shohim sukseset e pritura në fëmijët tanë, gjithsesi që do të themi se ja ka vlejtur i tërë mundi dhe koha e shpenzuar me ta. Të bëjmë atë që ne kemi në dorë dhe sa i kemi në dorë, kurse për tjerat lus Zotin t’i ruajë të gjithë fëmijët tanë dhe t’i bëj akoma më të mirë sesa që mendojmë ne, t’i ruajë nga shoqëria e keqe dhe t’ia dijnë vlerën dy gjërave: shëndetit dhe kohës së lirë./ / KultPlus.com