18 Korrik, 2019 - 8:43 pm
”Një njeri i kulturuar di ta përcaktojë se çfarë është nderi, morali, apo e pamoralshmja. Një njeri i pakulturuar deformohet, shitet. Kjo është fatkeqësia jonë. Antivlerat shihen si vlera”.
Mevlan Shanaj erdhi fiks në orar, i relaksuar dhe spontan. Ka ruajtur sharmin e dikurshëm, stilin. E kishim lënë për një intervistë, tek restorant Amici MIEI në Tiranë. Intervista nuk kishte sesi të mos ishte dhe mbi filmin, por me një artist të përmasave të tilla mund të flasësh për shumë gjëra. Preferoj të mos ndalem tek karriera.
Kush nuk e njeh Mevlan Shanaj? Por a e di publiku se çfarë mendon Artisti për realitetin e sotëm? Le të fillojmë me vetë njeriun, pastaj tek marëdhënia e sinqertë mes njerëzve, guximi i intelektualit. Le të flasim për qytetarin, për krizën kombëtare, pse jo dhe për politikën. Në dhe për politikën, por hë për hë ta lemë pak jashtë.
Takimi herët me filmin të jep mundësinë të zbulosh njëriun, ta duash të bukurën dhe të kuptosh e kritikosh me një sy objektiv realitetin ku jeton. Mevlani nuk i thotë rëndë kritikat e tij, nuk e përplas në fytyrë hipokrizinë, por nuk e pranon atë. Mbron një parim të vetin: krijimin e një marëdhënieje të sinqertë me tjetrin.
Toleranca: “Nuk e kam njohur kurrë xhelozinë apo cinizmin brenda vetes”, tregon Mevlan Shanaj. “Edhe humbjen e kam pranuar me sportivitet krejt normalisht. Kjo mesa duket ka ndikuar pozitivisht tek unë. Tjetër gjë ambicja. Kam dashur ta bëj punën time sa më mirë dhe kam investuar maksimalisht tek ajo. Nga ana tjetër kam menduar se në këtë botë ka vend për cilindo për tu shprehur”, tha ai.
Takimi i parë me filmin: “Isha student dhe me thirrën për një provë. Kisha një rol të mirë në film. Dikush më pa dhe më ftoi. Provimi është rastësi, më tej duhet të përpiqesh për të arritur atë që do. Duhet të kërkosh më shumë. Në jetën time nuk kam qenë asnjëherë i kënaqur me atë që kam arritur, dhe kam kërkuar më tepër. Por më duhet të them se takimi me televizionin më ka hapur një botë të re. Aty kam eksploruar gjithçka. Isha i ri dhe doja të kapja majat. Kam filluar më gjëra më të thjeshta, më pas kam kaluar tek show dhe spektaklet.”
Madhështia: Vetëm puna e bën të madh një artist. Karakteri i fortë bën njeriun. Mevlan Shanaj vlerëson jashtëzakonisht shumë karakterin e njeriut dhe kulturën e tij, si tek meshkujt por sidomos tek femrat. “Një karakter i fortë di të ecë para dhe të kapërcejë situatat që nuk janë të favorshme. Por kultura është e domosdoshme në çdo profesion që zgjedh apo fushë të jetës. Pastaj duhet të insistosh, pa të nuk shkon askund.
Morali dhe kultura: Mevlan Shanaj urren hipokrizinë dhe servilizmin. Por nuk e godas, thjesht e lë të kalojë. Toleron shumë, e thotë dhe vetë, dhe ka një parim. Krijimi i marëdhënieve të sinqerta me të tjerët. Kombit tonë i mungon ndershmëria. Një njeri i kulturuar di ta përcaktojë se çfarë është nderi, morali, apo e pamoralshmja. Një njeri i pakulturuar deformohet, shitet. Kjo është fatkeqësia jonë. Antivlerat shihen si vlera.
A kemi artista të mëdhenj të ardhshëm? “Artisti shfaqet në produksion. Në rafshin e kinemasë është një djalë që po ecën, Xhelili. Në Shqipëri nuk kemi talente të pikasur. Në kohën tonë kishte role dhe ngarkesa. Ndërsa sot nuk ka prodhim, ose janë të limituara nuk janë shumë. “
Kriza kombëtare dhe morali: “Kriza kombëtare ka influencuar kudo. Shoqëria kombëtare po kalon krizë në të gjitha profesionet. Shqipëria dhe shqiptarët kanë krizë morale. Shikoje si përbaltet njeriu i politikës, që e kanë zgjedhur vetë njerëzit ti përfaqësojë. Arti ka buxhet minimal. Kinemaja është ekonomi e zhvilluar, jo vetëm talent. E keqja është se shqiptarët nuk arrijnë të imponohen askund. As në zgjedhje”, thotë ai.
I përkëdhelur nga fati? Po. Publiku e do artin, dhe atij i janë hapur dyert kudo.
Vendi me komod? Me nipin e mbesën. Kur jam me ta jam njeriu me komod në jetë.
Cfare do e ribënit? Ika nga mjekësia për në art. Besoj se nuk duhet ta lija.
Radio apo Tv? Mevlan Shanaj pranon se ka një marëdhënie shumë të mirë me muzikën, dhe radion. Televizionin më pak. Thotë se ky i fundit është diktator. Të jep informacion pasiv.
Teatër apo film? Preferon lirinë që i jep teatri. Është më fisnik dhe tolerant. Do filmat me karakter psikologjik, por nuk i ndjek serialet. I quan “abuzime” me karakter financiar, jo kulturor. “Është abuzuar skajshëm me shqiptarët. Nga këto telefilma nuk përfitojnë asnjë kulturë.
Marëdhënia më politikën: Cdo veprim që bëhet në Shqipëri nga politika është në kundërshtim më parimet e Europës në çdo vend. Janë veprime të patretshme. Europa nuk i pranon. Ajo nuk pranon një parlament ku hynë kriminelët dhe hajdutët. Ajo nuk pranon 4000 njerëz në kërkim që nuk i gjen dot policia. Pse ndodhi që parlamenti holandez tha ‘Jo’? Nuk është problem i drogës, por i mentalitetit të shqiptarit. Vunë re që shqiptarët vrasin. Shqiptarët për pak të marrin jetën.
Zgjidhja është të shohim brenda vetes. Nëse nuk e kërkojmë brenda vetes por e hedhim tek tjetri fajin nuk do të ia dalim asnjëherë. Dikur thonin “ekonomia jonë është më e larta” etj etj. Ishtë koha e diktaturës. Pra mos shikimi i vetes me sy kritik na ka dhënë këto rezultate. Ne nuk e dimë ku është bota. Me thuaj një fushë që e dimë. Jemi të distancuar nga të gjitha fushat. Edhe në familje femra është pronë. Në botë është partnere. Fenomeni shqiptar është i dhimbshëm, prandaj duhet të punojmë për këtë.
Një recetë e shkurtër, koncentrat i eksperiencës së viteve të kaluara pranë realitetit shqiptar më art, me vërtetësi. Nuk ka sesi të mos ngresh zërin. Eshtë koha, mbi të gjithë e artistit, intelektualit, qytetarit të thjeshtë. Tek e fundit janë qytetarët ata janë prekur më shumë se kushdo nga tranzicioni i gjatë shqiptar. Tani duhet të dëbojmë frikën dhe të ndërtojmë duke mësuar mbi të gjitha nga njohja e vetvetes, asaj që ishim, dhe asaj që duam të jemi. Një model më i mirë ekziston për këdo. Le të kemi kurajon ta ndjekim. GazetaLetrare.com/KultPlus.com