15 Qershor, 2018 - 10:08 pm
Nevena Radosavljević
Temperatura mbi 30 gradë, kaos dhe rrëmujë në trafik, aroma e njohur kaherë e blirëve të Beogradit – fundi klasik i muajit majit, do të thoshin shumë vetë. Ndoshta një ditë klasike maji, por situata në Beograd është gjithçka vetëm jo„normale“. Dje të gjitha mediat kanë gumëzhuar për fillimin e një festivali anti-serb në Beograd. Në kalimin administrativ midis Serbisë dhe Kosovës, artistët nga Kosova janë mbajtur me orë, pas së cilës janë konfiskuar edhe disa fotografi që ishin paraparë për ekspozitë. Pas ardhjes së tyre në Beograd, zyrtarisht u hap festivali „Miredita, dobar dan“. Por, natyrisht, siç po ndodh kohëve të fundit në Serbi, as ky festival nuk mund të kalonte „normalisht“. Dhe për shumicën e këtyre abnormaliteteve është fajtor askush tjetër pos krimineli i dënuar i luftës Vojislav Šešelj. Ithtarët e Partisë radikale serbe (PRS), të grupit Zavetnici dhe të Veprimit Serb tentuan që të pengojnë mbajtjen e festivalit, duke filluar protestat e tyre me ndezjen e qirinjve dhe me shëtitjen kah Qendra për dekomantimin kulturor, ku po mbahej festivali. Mund të jeni edhe për edhe kundër këtij festivali, mund t’ju pëlqejë apo jo, por t’i lejosh një krimineli të luftës të bëjë kaos në qytet dhe të shpërndajë urrejtje të cilën e ka shpërndarë edhe gjatë atyre viteve të tmerrshme të ”90-ave, këtë nuk mund ta bëni. Por këtu edhe një herë u tregua dobësia e Serbisë (ose thjesht mungesa e vullnetit) si shtet për t’iu kundërvënë edhe një propagande të urrejtjes. Që çështja të jetë edhe më e keqe, Vjerica Radeta, anëtare e PRS-së, duke përdorur çdo formë të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, paralajmëroi ardhjen e radikalëve në festival duke i dërguar „përshëndetje“ organizatores së festivalit „Shihemi, Sofija“. Policia reagoi, Sofija dhe Vjerica Radeta nuk u panë, por mbeti një ndjenjë e tmerrshme se radikalët edhe një herë bënë kaos të udhëhequr nga krimineli i luftës, kurse vajzën njëzet e ca vjeçe e kërcënoi personi kundër të cilit është ngritur aktakuzë pranë Mekanizmit të gjykatës ndërkombëtare në Hagë.
T’i kthehemi asaj dite të nxehtë beogradase. Për shkak të kaosit në trafik, hyj në taksi dhe them „Birčaninova 21“. Sa e nxituar qe kjo. „Kjo rrugë është mbyllur, mundet vetëm deri tek Slavija“ thotë taksisti. Natyrisht, e kisha harruar paksa kaosin e ditës së djeshme. Nga Slavija deri tek Qendra për dekomantimin kulturor rrugët e mbyllura, policia kudo përreth… Kurse në hyrje – kërkojnë dokumentet e identifikimit dhe bëjnë pyetje sikur keni bërë diçka gabim. E shikoj e hutuar derisa polici më pyet se kush jam dhe pse kam ardhur. „Që të marrë pjesë në konferencë“ përgjigjem me mosbesim. Biseda me policinë zgjati disa minuta, duke filluar nga pyetja „prej nga jeni, çka studioni, a keni qenë dje“ e deri tek deklarata „mund të hyni brenda vetëm nëse e njihni dikë”. Për fat të mirë, e njihja dikë. Njihja shumë prej tyre. Dhe për këtë arsye munda të hyj brenda. Është e çuditshme se si mund të gjeni në një vend aq shumë njerëz të cilët në fakt i njihni. Kjo është mbase përparësia e të jetuarit në veri të Kosovës, njihni njerëz edhe nga Beogradi edhe nga Prishtina e ju jeni zakonisht „ndërmjet“. Më në fund, fillon edhe konferenca „Kosova-Serbia: çka përfaqësojmë ne për njëri-tjetrin.“ Konferencën mund ta ndiqni në tri gjuhë: serbisht, shqip dhe anglisht, derisa moderatori, Idro Seferi, flet rrjedhshëm edhe serbisht edhe shqip. Midis folësve janë Jovana Prusina, Emel Ajdini, Eraldin Fazliu dhe Bojan Elek. Secili në mënyrë të ndryshme, nga perspektiva e tij, flet për luftën në Kosovë dhe jetën që pasoi dhe të cilën të gjithë ne po e ndajmë. Jetën e mbushur me propagandë mediale, kujtimet për të kaluarën por edhe mospasjen e rasteve që të njihemi me njëri-tjetrin. „Vitet e nëntëdhjeta ishin tragjedi, tani po e përjetojmë një farsë“ konkludon Bojan Elek, duke iu referuar Marksit, për situatën politike të cilin po e jetojnë së bashku edhe Serbia edhe Kosova. Në sallën përplot me serbë e shqiptarë, folësit i përmbyllën paraqitjet e tyre me thirrje për pajtim, njohje reciproke dhe mësim të gjuhëve.
Derisa i drejtohem Sofisë me një „përshëndete Vjerica Radetën“ largohem nga festivali e së shpejti edhe nga Beogradi. Prapa meje mbetet kordoni i policisë, raportet në media dhe edhe një festival „Mirëdita, dobar dan“. Mendoj për ata policë dhe shikimin e tyre që më përcolli. Sipas të gjitha gjasave sot e kam tradhtuar Serbinë. Atë Serbinë e luftës, atë të Šešeljit. Atë e cila e sulmon Sofijen sepse ajo po përpiqet të ndryshojë diçka. Atë e cila urren. Atë Serbi e kam tradhtuar shumë moti. Gjenerata ime është dënuar të rritet në luftë dhe të kalojë fëmijërinë e saj në mënyrën që askujt nuk do t’ia dëshironit. Por brezi im nuk duhet të jetë i dënuar të urrejë. Brezi im është ai që duhet t’i kundërvihet krimeve, të mos bie pre e thirrjeve luftënxitëse të Šešeljëve të rinj e të vjetër. Brezi im është ai që duhet të tregojë se mund të bëjmë ndryshe. Ajo që do t’u thotë “lamtumirë, zbogom” tmerreve të së kaluarës dhe “mirëdita, dobar dan” një të ardhmeje më të mirë.