16 Gusht, 2019 - 9:00 pm
Jack Davies
Çdo histori e një personi që nga i varfër bëhet i pasur përfundon duke rënë pre e një shkalle mitimizimi, e paramenduar nga tema e saj dhe në duart e kronistëve të mëvonshëm, duke dashur të imponojë preokupimet e tyre për një përrallë të jashtëzakonshme.
Nga të gjitha biografitë e personazheve historike që nga askushi bëhen dikushi, pak janë më të jashtëzakonshme sesa ajo e Muhamed Aliut – një shqiptar i panjohur që planifikoi rrugën e tij nga errësira për t’u bërë “babai i Egjiptit modern”. Pasardhësit e tij do të sundonin vendin deri në vitin 1952 dhe ai do të kishte mbushur 250 vjep këtë të hënë, nëse nuk do të kishte ndërruar jetë në moshë të madhe në vitin 1849.
Por, edhe pse jo të gjithë ia dalin dot mbanë pa ndihmën e askujt, siç ishte rasti i Aliut, shumë pak prej tyre janë mitimizuar në këtë pikë.
Edhe faktet më themelore të jetës së tij janë në pikëpyetje. A është vërtet këtë të hënë ditëlindja e tij e 250-të? Apo Aliu thjesht e zgjodhi datën për forcuar markën e tij personale si Napoleon Bonaparti i Perandorisë Osmane – i cili gjithashtu do të mbushte 250 vjeç këtë vit?
Askush nuk e di. A ishte ai vërtet shqiptar? Apo edhe kjo ishte një pjesë e mitimizimit nga ana e tij, e projektuar për t’i bërë thirrje ushtarëve shqiptarë nën komandën e tij? Përsëri, edhe kjo nuk dihet.
E vërteta është se nuk ka asnjë mënyrë për të përcaktuar këto fakte minimale, thotë biografi Khaled Fahmy: “Ai nuk ishte nga një familje e njohur, kështu që nuk kishte asnjë arsye pse prindërit e tij do ta kishin shënuar lindjen e tij.”
Kurdo që të ketë lindur ai dhe kushdo të kenë qenë paraardhësit e tij, ne dimë se ai ka lindur në Kavala, 150 kilometra në lindje të Selanikut.
Ashtu si me aq shumë protagonistë të historisë, babai i tij vdiq kur ai ishte i ri, duke e lënë atë në kujdesin e guvernatorit lokal.
Po të mos ishte për pushtimin e Egjiptit nga heroi i tij, Bonaparti, në vitin 1798, historia mund të mos kishte dëgjuar kurrë për Muhamed Aliun.
Egjipti ishte i rëndësishëm për Perandorinë Osmane, kështu që kur Perandori Francez e pushtoi atë, Sulltanin e zuri paniku, shpjegon Fahmy.
Përgjigjja e tij fillestare ishte dërgimi i një ushtrie nga toka përmes Sirisë. Por, ai gjithashtu dërgoi një forcë më të vogël prej rreth 4,000 forcash shqiptare nga deti që t’i bashkoheshin luftës, e cila mori një kontingjent edhe më të vogël në qytetin e lindjes së Aliut në Kavala.
“Muhamed Ali është pjesë e kësaj force dhe pika më e hershme kur ne fillojmë të dëgjojmë për të në të dhënat është në lidhjen e tij me këtë kontingjent të madh shqiptar,” tregon Fahmy.
Në mes të rrugës përmes Mesdheut, udhëheqësi i kontingjentit shqiptar vdiq dhe komandanti i dytë i tij u zhduk menjëherë pas mbërritjes në tokë. Kjo bëri që Aliu të merrte në duar drejtimin e njerëzve.
Në varësi të personit që tregon historinë, është pikërisht në atë moment që Aliu fiton identitetin e tij shqiptar, ose atë identitet që e katapulton atë drejt madhështisë.
Duke shkruar në vitin 1984, dijetari i Universitetit të Kalifornisë, Ali Afaf Lutfi Sayyid-Marsot, nuk kishte asnjë dyshim për origjinën shqiptare të Aliut.
Një shkrimtar i paidentifikuar për edicionin e vitit 1841 të Blackwood’s Edinburgh Magazine është po aq i sigurt për trashëgiminë shqiptare të Aliut.
Ai e përshkroi atë si “një shqiptar. Raportet e përgjithshme që e përshkruajnë atë si një lypës, një skllav, apo një portier janë të gabuara.”
Shkrimtari pohoi se para vdekjes së tij, babai i Aliut kishte qenë një oficer ushtarak që patrullonte rrugët rreth Kavalës.
Fahmy, nga ana tjetër, beson se këto rrënjë shqiptare janë një pjesë klasike e mitimizimit të Aliut – jo më reale sesa viti i lindjes që ai pretendoi se e kishte të njëjtë me Napoleonin./KultPlus.com