Mjaft zbuluam tradhtarë 

27 Mars, 2023 - 7:30 pm

Mungesa e themelit/shtetit në tri shkallë

Pjesa III

Ballsor Hoxha

Kjo është ‘kronikë e një ecurie të paralajmëruar’, dhe nuk mundet asnjë nga liderët tanë, as ata të të ardhmes dhe as ata të të shkuarës, e ata aktual, të na shpëtojnë nga kjo ‘ecuri e paralajmëruar’.

Kjo frazë, që prej titullit të romanit të njohur të Garbiel Garcia Marquez, e përdorur këtu nuk është naive dhe as e rastësishme, ajo konoton pikërisht kërcënimin, rrezikun dhe mundësinë e tragjedisë në të ardhmen, e ‘paralajmëruar’.

Në tërë diskursin, e qoftë edhe veprimin tonë politikë, si Ballkan dhe si Kosovë, ka vetëm dy lloje diskursi: akuzë për jo më pak se tradhti; dhe akuzë për krime, ndaj njëri tjetrit dhe ndaj ‘tjetrit’. Paradoksi deri në absurd i një gjenerate të tërë liderësh të akuzuar në Hagë, është po ashtu sui generis, si edhe “rasti ynë”, si Kosovë, e si Dialog Serbi – Kosovë. Por të dyja bashkë, sikur shenja, në fund shënjojnë përmbytjen tonë në fluskën e sapunit të politikës sonë. Nuk kanë aspak të bëjnë as me akuzën e njëri tjetrit, dhe as me ndërkombëtaren, është në të vërtetë shënjim i Vetëdijes, e cila është as më pak as më shumë një Publike e cila garanton të pa – vërejtshmen e ‘një ecurie të paralajmëruar’, një ‘ecurie’ e cila ka intenstitet të kraterit tejet tejet të rëndë, për të mos thënë të rrezikshëm.

Por, mbi të gjitha, me gjithë paradoksin deri në absurd, që shënjohet më së miri me bukurinë e përgjigjes së ambasadës së Holandës përmes promovimit të romanit “Një fije shkrepse Një fije shprese” mbi tragjedinë e dy grave viktima të luftës në Kosovë, pikërisht në Hagë ditën e pavarësisë së Kosovës, pra nga vetë Holanda, duhet parë veten tonë përbrenda këtij krateri global.

Në këtë krater global, shumë lehtë është të kalosh nga tradhtari në hero, dhe anasjelltas, dhe kjo është për shkak të të qenit tepër të vegjël ndaj po të njëjtit, apo për ta thënë më saktë, për shkak të të mos “standing up to it” (përballimit të tij, në një përkthim të lirë!).

Zënia në një ngërç, në të vërtetë është matematikore, jep rezultatin e – apprehension –, të paramendimit të kërcënimit, dhe të rrezikut, i cili në një shoqëri të tensionuar skajshmërisht do të dërgonte deri në më të keqen.

Dhe është pikërisht kjo, ajo që u mendua në fillim të këtij punimi, me ndryshimin, apo thënë më saktë me – kalimin – e diskursit të VV si reflektim i vetes sonë përballë tërë asaj që është tjetër nga ne (nëse kjo është e mundshme, së paku derisa jemi të përmbytur nga masa e prodhuar e politikës sonë), pra kalimin dhe ecjen bashkë me – krijimin – (jo ndërtimin) e marrëveshjeve.

Do të thotë, ky ngërç, i lartcekur, është me të vërtetë një ‘paralajmërim’ i pavetëdijshëm i vetë shoqërisë sonë ndaj vetes sonë, për një bartje/shënjim të akuzës, në paradoks e deri në absurd, duke qenë nën intensitetin e kraterit të këtij Dialogu, dhe këtij Pajtimi!

Ndoshta, zhvleftësimi që po ndodhë, jo më i produkteve politike globale, dhe ligjore, është njëlloj sjelljeje e atij që i druhet marrëveshjes, e që është klasa e pa ballafaquar serbe me veten e saj. Dhe në këtë, ne duke reaguar në identike ndaj tyre, dhe me ta, po e bartim/shënjojmë pikërisht mjegullën, apo po e humbim aftësinë tonë brenda fluskës së politikës sonë ku jemi përmbytur, sa që mund të ndodhë që ‘paralajmërimi’ i pavetëdijshëm është pikërisht auto-afeksioni ynë me shenjat, me Qendrën, apo me njerëzit dhe figurat e kësaj politike, për të themeluar shenja të reja, p. sh. Tragjedi të reja, të cilat, sikur tragjeditë e pasluftës ndërmjet nesh, që janë shndërruar në shenja të rikthimit në po të njëjtat përmbytje e ngërçe. Pra për të ndalur kohën. Për të ndalur ecurinë. Për të mos pranuar Pajtimin, dhe për të mos pranuar kalimin në një prezencë, apo, mungesë të re.

E që është vetë pranimi i fundit të luftës, dhe pranimi i asaj që jemi, sa të gjendur në krizën më thellë globale, aq edhe të vegjël për ta tejkaluar vetë, por aq më shumë për ta pranuar dhe jetësuar po të njëjtën.

Mjaft më me tradhtarë, kemi deri tash aq shumë sa që mund të ndodhë që edhe ky fenomen zhvleftësohet!/ KultPlus.com

Të ngjajshme