13 Nëntor, 2017 - 10:24 pm
Ag Apolloni
(Parathanie e dramës “Hamleti simbas Horacit”, OM, Prishtinë, 2017)
Triviale. Teatri Kombëtar i Kosovës e pati shpallë konkursin vjetor për dramë (2016) dhe unë s’e kisha ndërmend me konkurue. Nji ditë, derisa po shetitnim me “Ofelinë” time nëpër sheshin “Nâna Terezë”, ajo më pyeti: Pse s’konkuron për dramën e vitit? I thashë: S’kam kurgjâ n’dorëshkrim. Tha: Ma ke përmendë disa herë at’ subjektin e Hamletit si bir i Polonit. Thashë: Po s’e kam shkru’. Tha: Po ti m’ke thânë që dramat i shkru’n për nji natë. Thashë: Kur mbyllet konkursi? Tha: Nesër. Thashë: S’mundem. Tha: Pse? Thashë: Se s’kam raki. Tha: Krejt shishet i ke pi?
Ngreha supet dhe e shikova si fëmijë i zânun në faj. Ma bleu rakinë dhe në mbrâmje ia nisa me shkruejt Hamletin tim, të cilin në mëngjes ia dhashë me lexue. E lexoi dhe e dorëzoi, e bindun se do ta fitoja konkursin. Për habinë time, ashtu edhe ndodhi.
Natyrisht, ky version që po e botoj âsht i përpunuem, mbasi s’isha i knaqun me at’ skelet drame që e dorëzova.
Impulsi. Ket dramë s’do të kisha mundë me shkrue nëse s’do ta kisha lexue nji letër të Zigmund Frojdit, të vitit 1897 (drejtue mikut të tij, Vilhelm Flis), ku e hodhi hipotezën se Hamleti âsht nji Edip i pakryem dhe se, simbas tij, âsht mu kjo arsyeja e zhagitjes së hakmarrjes. Ksisoj, hamendja e tij, që ishte krejt ndryshe prej asaj çka hamendësonin Gëte dhe Kollrixhi, e ndryshoi mënyrën e të lexuemit, tu’ ia gjetë Hamletit paradigmën edipiane. Hamleti ngurron me vra mixhën, i cili ia ka vra babën, sepse edhe ai vetë, në nënvetëdije, e ka dashtë vrasjen e babës, për me u martue me nânën. Pra, Klaudi, në njifarë mënyre, e ka realizue atê që e ka dëshiru’ Hamleti.
Natyrisht, ket hipotezë që e përqafuen dhe e diskutuen edhe Xhonsi, Lakani e Starobinski, e kam bluejt shpesh në mendjen time. Rasti, ky mbret i botës, deshti që unë me shkrue ket dramë si lojë me hamendjet frojdiste për Hamletin.
Homazhi. Për mue, Shekspiri nuk âsht shkrimtar. Ai âsht fond i artë i kulturës globale. Ai që dikur shkruente për teatrin “Globus”, nuk âsht vetëm i anglezëve, por i gjithë globit. Ashtu si Homeri, edhe Shekspiri tashmâ nuk mund të shihet si person, apo si individ, por si traditë, si pronë e përbashkët e jona. Dhe, ashtu si Eskili prej Homerit, edhe unë marr lirisht prej sofrës së pasun të Shekspirit.
Mbasi Shekspiri, simbas Horhe Luis Borhesit, âsht zot i fjalëve, nuk mendoj se duhet të ndihemi me faj kur frymëzohemi prej tij, apo kur i ritregojmë historitë e tij, qoftë edhe tu’ i ndryshue ngapak.
Nëse Shekspiri âsht zoti i fjalëve, atëherë Hamleti âsht Bibla e letërsisë laike. Natyrisht, kjo bibël dallon nga ajo tjetra për nga qëllimi: kjo të nxit me dyshue, ajo të nxit me besue. I frymëzuem nga shpirti i shêjtë i dyshimit, unë te Hamleti s’kam bâ gjâ tjetër veçse ksaj historie të bukur ia kam shtue dyshimet e mia dhe dyshimet e disa studiuesve të njoftun (Ben Xhonsoni, Volteri, Gëte, Kollrixhi, Lord Shaftsbëri, Tolstoj, Niçe, Shou, Frojdi, E. Xhonsi, Lakani, Starobinski, Xhojsi, T. S. Elioti, Jan Koti, Dejvid P. Gontari, K. G. Hajlbruni, E. Shouollteri etj.).
Të huejt e “Hamletit”. Janë tri figura që gjithmonë më janë dukë të pazakonta në dramën e Shekspirit dhe m’kanë sjellë shum vramendje; tri figura që janë lânë si nën hije, që janë lânë si jashtë (edhe kur janë mrena) dhe që vijnë nga jashtë: princi Fortinbras (norvegjez), kryekëshilltari Polon (polak) dhe, natyrisht, shkollari Horac (romak), të cilët në përkthimin e Nolit tonë të dashtun, i gjejmë me trajtat: Fortimbrasi, Poloni dhe Horati.
Fortinbrasi. Te Hamleti i Shekspirit, i përmendun në skenën e dytë të aktit të dytë dhe i shfaqun për herë të parë në skenën e katërt të aktit të katërt, princi Fortinbras, për të shkue në luftë në Poloni, lyp leje prej mbretit Klaud për të kalue nëpër Danimarkë. Mandej, në skenën e fundit të aktit të fundit, mbas vdekjes së princit Hamlet, Fortinbrasi kthehet nga Polonia dhe e gjen Danimarkën pa mbret dhe pa princ, domethânë pa trashëgimtar të fronit. Kshtu, princi norvegjez ze vendin që, po të mbetej gjallë, do t’i takonte princit danez, baba i të cilit, mbreti Hamlet, pati vra në fushëbetejë babën e princit norvegjez, mbretin Fortinbras. Kjo më ka bâ me mendue se hakmarrjen që kërkon princi Hamlet ndaj Klaudit, ndoshta mund ta kërkojë edhe princi Fortinbras ndaj princit Hamlet, se gjaku ujë s’bâhet. Âsht e natyrshme që bijtë (princat) me u hakmarrë për baballarët (mbretat) e tyne (sado që hakmarrja e Hamletit n’dramën time âsht për arsye tjera). Në skenën e dytë të aktit të dytë të dramës së Shekspirit, ne e kuptojmë nga raportimi i Voltemandit se Fortinbrasi kishte pasë ndërmend me u hakmarrë për babën, por ishte pengue prej mixhës. Dhe s’âsht e pazakontë që biri i atij që bie në fillim, të bâhet mbret në fund. Në dramën time kjo nuk shihet, por dihet.
Poloni. Poloni, apo ta kthejmë në gjuhën e sotme, Polaku (lat. Polonius – polak), spiuni, miu i mbretit, âsht nji brejtës që bren shumçka, sepse e bren diçka. Atê e bren dëshira për me u bâ mbret. Pra, Danimarka rrezikohet prej dy mbretave potencialë: norvegjezit Fortinbras dhe polakut Polon (hipoteza mbi nacionalitetin polak të Polonit âsht hedhun prej kritikut dhe teoricienit polak, Jan Koti). I pari âsht anmik i deklaruem, i dyti – anmik i kamufluem. Por, dihet si rrjedh historia: Polaku vritet nga princi danez, Polonia mposhtet nga princi norvegjez.
Çka lyp polaku në dramën angleze me histori daneze?
Çka lyp ai n’mesnatë n’dhomën e mbretneshës?
Pse përgjon lidhjen e Ofelisë me Hamletin?
Mund të bâhen mbi njiqind pyetje dhe mund të jepen po aq përgjigje për tê. Dhe mund të shkruhen kushedi sa versione të Hamletit, tu’ u nisë nga miu i pallatit.
Ky polak âsht këshilltar i mbretit dhe administrator i pallatit mbretnor. Dhândri potencial i tij âsht trashëgimtar i fronit, rrjedhimisht bija polake, Ofelia, mbretneshë e mundshme e Danimarkës. Kahdo që ta sjellësh historinë e Hamletit, Poloni âsht nyje e historisë. Duket se s’âsht i rastsishëm fundi i tij mbas perdes, mbasi ai lojën ma të madhe e ka bâ gjithmonë në mbrapaskenë, mbas perdes.
I kam lexue të gjitha hipotezat e hedhuna nga studiues të shumtë për këshilltarin Polon, por asnjana s’ma ka mbushë mendjen. Sa herë më kujtohej Hamleti, më dilte para sysh Poloni te Gertruda, në dhomën e gjumit. Nuk më kujtoheshin fjalët e asaj skene, por e shihja skenën si nji film pa zâ. Ky imazh krijoi mandej krejt dyshimet e hedhuna në ket dramë për lidhjet e çuditshme në pallatin e nji vendi dhe nji kohe të kalbun në korrupsion, në nji korrupsion moral.
Tue përdorë bindjen e Aristotelit se letërsia flet për ngjarje të mundshme, mendova pa më ardhë turp (sado që Shekspiri më bërtiste: o turp, ku e ke skuqjen!) që Poloni mund të ishte dashnor i Gertrudës, Hamleti mund të ishte djalë i Polonit, apo ndoshta i Klaudit, Klaudi mund ta dashunonte Ofelinë, Ofelia mund ta dashunonte Hamletin, Laertin dhe Polonin, tue zbulue me ket të fundit kompleksin e Elektrës, po ashtu Hamleti mund ta dashunonte Ofelinë dhe Gertrudën, tue zbulue me ket të fundit kompleksin e Edipit. Dhe, meqenëse Hamleti ka nji mik të ngushtë, Horacin, mendova se ai mund ta dashunonte edhe atê.
A thue âsht e mundun që, nga frika e nji martese të mundshme mes fëmijëve të tij dhe nga dëshira e tij për fron, Poloni e pengon Ofelinë të lidhet me Hamletin dhe e nxit Hamletin të hakmerret ndaj Klaudit?
Horaci. Miqësia mes Hamletit dhe Horacit âsht ndër historitë ma të famshme të miqësisë. Horaci âsht shoku i studimeve i Hamletit; Horaci âsht i vetmi prej shokëve të Hamletit që e sheh fantazmën; Horaci âsht i vetmi që i mban sekretet e Hamletit; Horaci âsht i vetmi shok që e di se çmendunia e Hamletit âsht thjesht aktrim; Horaci âsht shoku ma i ngushtë i Hamletit, i cili vdes në krahët e Horacit (Parantezë: Horaci, Horati, apo Horatio âsht emën latin, por, siç e thotë edhe Shekspiri, as nga gjaku ai s’âsht danez, po romak. I përshtatun simbas parimit fonetik të shqipes, ky emën vjen në trajtën Horaci, po natyrisht s’ka asgjâ të bâjë me autorin antik të Artit poetik).
Meqenëse janë hedhë shum dyshime mbi karakterin e Hamletit, unë e shikova miqësinë e tij me Horacin pak si me sherr, tu’ i shfrytzue disa vrima te teksti i Shekspirit. Refuzimi që i bân Ofelisë, prej disave âsht pa si refuzim seksual, çka le hapun dy mundësi interpretimi: Hamleti âsht aseksual, ose Hamleti âsht homoseksual. Por, në anën tjetër, dëshira për hakmarrje âsht kuptue prej të tjerëve si dëshirë seksuale, edipiane. Si nji kompromis mes tezave të kundërta të studiuesve, unë e bâna Hamletin biseksual. Ndoshta Hamleti s’e do Ofelinë, ndoshta Hamleti e do Gertrudën, por, për nji gjâ jam i sigurt, Horaci e do Hamletin, prandaj, kur e sheh mikun tu’ dhânë shpirt, pëlqen ma fort me pi helmin sesa me jetue pa tê. Në anën tjetër, Hamleti e do Horacin, prandaj ia merr gotën e helmit dhe e porosit mikun e tij të dashtun të jetojë për ta tregue historinë tragjike të tij dhe për t’i heshtë të tjerat, ato që s’mund apo që s’duhet të thuhen. Të tjerat janë heshtje.
Hamleti im fillon aty ku mbaron ai i Shekspirit. Horaci, e ka mbajtë sekret, të heshtun, historinë e vërtetë të Hamletit dhe tash, në pleqni, para se me iu dorëzue vdekjes, e ka rrëfye dashninë dhe krimin e tij, për me çlirue shpirtin. Nëpërmjet dorëshkrimit të tij, Horaci i jep zâ heshtjes së Hamletit. (Prandaj, mendohet se kërkesa e fundit e Hamletit krijon paralele mes emrit Horatio dhe fjalës orator, gojëtar.)
Drama ime ndoshta ka diçka vulgare mrena, por jo aq sa të sulmohem, siç u pat sulmue Shekspiri prej Shaftsbërit, për vulgaritet.
Tragjedia Hamleti, simbas Umberto Ekos, âsht Mona Liza e letërsisë. Derisa për portretin e sfumatuem të Da Vinçit janë hedhë aq shum hipoteza, pse të mos hidhen edhe për Hamletin e ndërlikuem të Shekspirit?
A mos ka ma pak mjegull te Hamleti?/KultPlus.com