3 Mars, 2021 - 10:49 pm
Shkruan Bajram Mjeku
Pengu i jetës
Nëse dikush më pyet, çfarë do të më mbetej peng i jetës nga profesioni im, përgjigjen nuk e kam të vështirë për ta gjetur. Do të më mbetet peng pse nuk e kam shkruar një skenar filmi sipas librit me titull “Duart e përgjakura, kirurgu në luftë”, i ushtarakut dhe kirurgut australian Craig Alexander Jurisevic, i cili bëri sakrificë të jashtëzakonshme për t’i shpëtuar jetët e dhjetëra pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e fundit në Kosovë.
Dhe, nëse dikush po ashtu më pyet se nga çfarë ndjehesh më së shumti i turpëruar në Kosovën e pasluftës, prapë nuk do të mbetesha pa përgjigje. Në fakt, në njëzet vitet e fundit, secili nga ne mund të numëroj dhjetëra veprime të turpshme, por më së shumti ndjehem keq pse kirurgu i luftës së fundit në Kosovë, Craig Alexander Jurisevic jo vetëm nuk u dekorua asnjëherë nga Presidenca dhe institucionet e Republikës së Kosovës, por me sa kam marrë vesh, ky kirurug që ka bërë aq shumë për Kosovën dhe djemtë e saj, në mënyrë të heshtur është shpallur “persona non grata” dhe asnjëherë nuk ka pranuar as edhe një ftesë të vetme të vizitojë Kosovën e pasluftës!/ KultPlus.com