21 Mars, 2022 - 2:49 pm
Libri “Kodi emblematik i ligjërimit”, i Rifat Ismailit, është një libër kritik, i cili orientohet në libra dhe figura të rëndësishme të letërsisë shqipe. Autori, nëpërmjet qasjeve të ndryshme kritike, paraqet disa rrugë të mundshme të shikimit dhe të interpretimit të veprave letrare. Zakonisht, Ismaili, varësisht nga karakteristikat e tekstit që ka përballë, arrin të na paraqesë një analizë semantike e stilistike, ndonjëherë edhe analizë strukturale, të cilat gërshetohen me njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë kritika e tij, ka në fokus figurat e shumta letrare, që përdoren në këto tekste. Këto figura letrare, të cilat i heton, i mundësojnë atij një interpretim mjaft argumentues dhe deshifrues të veprave. Ai ndjekë formën e kritikës, ku në radhë të parë ofron mendimin dhe më pas e argumenton atë, duke paraqitur edhe tekstin burimor. Kritika e tij, me raste është përgjithësuese, por ajo që e bën të veҫantë është detajizimi, për shkak se Ismaili, ndalet në detajet, të cilat kur bashkohen formojnë një tërësi, nëpërmjet detajeve ai arrin të japë stilin që e karakterizon shkrimtarin. Ai, përdorë edhe paratekstin, si një gjetje mjaft interesante. Për ҫdo pjesë të kritikës, vendosë një paratekst, i cili merret nga shkrimtar të njohur, kritik, e studiues të letërsisë si: Bodriar, Kamy, Kundera, Todorov, Shekspiri, Duras, Veyne, Bodler, Persi, Ricos, Blonchote, etj.
Libri si strukturë ndahet në tri pjesë. Kjo ndarje e ka për bazë formën e shkrimit të librave të cilët vendosen nën kritikë. Në pjesën e parë e kemi kritikën për romanin, në pjesën e dytë për tregimin, kurse në pjesën e tretë për poezinë.
Romani si gërshetim mes personazhit dhe përmbajtjes
Pjesën e krtikës për romanin, autori e hapë me Ismail Kadarenë dhe romanin e tij “E penguara, Requiem për Linda B.”. Ky shkrim anon më shumë nga një zbërthim semantik e stilistik dhe si i tillë e paraqet veprën të deshifurar nëpërmjet figurës së analogjisë në radhë të parë, e më pas edhe alegorisë. Sipas autorit, analogjia më e madhe që krijohet është ajo e përkimit të kohëve, ku në qendër vendoset figura mitike e Orfeut. Ismaili, shpërfaqë lidhjen mes botës së Hadit dhe botës së aktualitetit në vepër: “Autori narrator, përmes analogjisë së kohëve, përafron dy botë, atë të Hadit dhe të aktualitetit diktatorial. Përafron ferrin mitik me internimin, kampin e vdekjes, ku gjendej vajza e dënuar Linda B..” Këtë analogji, ai e sheh edhe me personazhin, fatin e të cilit e analogon me Orfeun: “Për ironi, në analogjinë e fatit të kohëve, sikur rikthehen situatat nëpër të cilat kishte kaluar edhe këngëtari mitik Orfeu”.
Në romanin “Bolero në vilën e pleqve” të Kongolit, përmes një vështrimi sociologjik, ai, e shpërfaqë personazhin e Parashqevisë, përballë gjendjes aktuale, konkretisht përballë trazirave të vitit 1997. Realitetin e jashtëm Ismaili, e bashkon me realitetin familjar të personazheve të librit, këto realitete funksionojnë në një lloj determinimi: “Konflikti brenda etnisë reflektohet thellë në fatin e familjeve. Pasojat e tij e godasin ҫdo ëndërr të Parashqevit”.
Romani “Funerali i pafundmë”, i Visar Zhititsipas Ismailit, paraqet një sprovë: “…trajton sprovën e të mbijetuarit të njeriut tonë në shtegun metaforik të vdekjes”. Autori na jep një analizë e cila për bazë e ka strukturën e veprës. Kjo strukturë, barazohet me përmbajtjen e veprës, e cila sipas Ismailit nuk është asgjë tjetër veҫse “shtegtimi i brezave në ecje funeralesh për ta gjetur dhe vazhduar vetveten në shtegun e të ardhmes”.
“Vitet e urithit” i Kim Mehmetit sipas autorit paraqet një tërësi e cila: “Ndërlidh me mjeshtëri lëndën, ngjarjet dhe karakteret e vperës në një tërësi metaforike”. Autori shpreh lidhshmërinë mes strukturës së romanit me lexuesin e imagjinuar. Ndër të tjera, ai fokusohet tek vendi ku ndodhet ngjarja, simbolet e ndryshme që i paraqet autori, duke hetuar me një sy kritiku deri në detajet më të vogla. Ai specifikon disa simbole të cilat edhe e definojnë veprën si tërësi: “Pamja e tij është dhënë përmes shenjash të veҫanta simbolike: kullat si mburojë e jetës së mbijetuar. Xhamia si faltore ku rrëfehen jetët e shpirtrave. Shtatë rrapet e vjetër përreth saj si ca apostuj në rënie….Dhe në fund, vallja fshatare, e cila vazhdon ta reflektojë ngadhnjimin e njeriut në kohë mbi ankthet e jetës dhe të vdekjes”.
“Hiri” i Flutura Akҫës ndonëse si formë paraqet një roman, sipas Ismailit, mund të merret apo të shikohet edhe në një dimension tjetër, atë të poemës elegjiake: “Romani Hiri i Flutura Akҫës mund të merret si një poemë elegjiake, kushtuar fatit të njeriut, krijuesit”. Autori, ndalet më shumë në analizimin e subjektit të veprës, ku specifikon ҫështjen e dashurisë dhe të krijimit. Në anën tjetër, mund ta shohim një vëmendje të madhe që ia kushton ndërlidhjes së veprës me pikturën, e cila bëhet edhe mjet thelbësor për interpretim.
Tregimi mes Kadaresë dhe Prokshit
Në pjesën e dytë të librit, autori merret me dy shkrimtarë, Kadarenë dhe Prokshin. Tek Kadareja, nga përmbledhja “Ëndërr mashtruese”, ndanë tregimin “Prometeu”, ku fokusohet në burimin mitik. Ai, dallon analogjinë mes mitit dhe aktualitetit: “Në këtë tregim të Kadaresë është aplikuar poetika e analogjisë që përafron situatat dramatike mitike me ato aktuale”.
Veprimtarinë tregimtare të Prokshit, ai e definon si një kontrast të thellë kreativ, mes jetës dhe ëndrrës: “Proza e tij ndërtohet mbi një kontrast të thellë kreativ: në një anë janë tmerret reale të jetës, që trazuan botën e etnisë në fund të shekullit dhe në anën tjetër gëzimet irreale të ëndrrës”.
Poezia, stili dhe figuracioni
Në pjesën e tretë të librit, ndalet tek veprimtaria poetike e disa prej figurave më të rëndësishme shqiptare. Këtë pjesë e hapë me figurën e Dritëro Agollit dhe veprën “Pelegrini i vonuar”. Në këtë përmbledhje, ai veҫon disa nga poezitë, duke na i dhënë karakteristikat kryesore të tyre. Autori identifikon alegorinë e metaforën e Agollit: “Brenda amullisë së të jetuarit njeriu sikur vazhdon edhe më tej gjumin e tij alegorik. Ndërsa jeta vazhdon në batakun metaforik të saj, katandisur në fatin e vetvetes”.
“Shëtitje pa veten” e Fatos Arapit, bëhet pjesë e kritikës së Ismailit. Edhe këtu, autori ndalet tek alegoria dhe metafora: “Vepra poetike “Shëtitje pa veten” e Fatos Arapit trajton shtegtimin metaforik të qenies së poetit nëpër hapësirat metaforike të qenies së poetit nëpër hapësirat metaforike të jetës. Alegorikisht shënon ecjen e krijuesit nëpër mugëtirën e realitetit të kohës, në kërkim të një bote më të denjë për njeriun”. Autori, ndër të tjera paraqet edhe elementet ose preukopimet e botës së jashtme, të cilat reflektohen në poezinë e Arapit.
Din Mehmeti, në veprën “Zjarri i këngës”, sipas autorit, arrin t’i ngrisë dy ҫështje themelore: “…shtron ndër të tjera, dy ҫështje që rëndojnë mbi fatin e qenies sonë. Është dhuna e pushtuesit të huaj, që kulmoi në dekadën e fundit të shekullit, dhe e kaluara me pasojat e mbetura në botën e mendësisë sonë”. Autori, merret edhe me njeriun dhe mënyrën sesi shfaqet ai në poezinë e Mehmetit, përballë botës në të cilën jeton. Një nga këto elemente është liria dhe mënyra sesi kuptohet ajo. Ismaili vërenë edhe ironinë që Mehmeti e përdorë në raste të caktuara.
Nga Podrimja, veҫon librin “Ishulli Albania”. Ndalet në strukturimin e librit, na i jep karakteristikat e ndërtimit të tij, shpjegon disa nga poezitë më të rëndësishme të përmbledhjes, ku ndër to është edhe poezia që mbanë të njëjtin titull me veprën “Ishulli Albania”, të cilin e sheh si një ishull simbolik: “Një shtrirje metaforike e shpirtit të poetit nëpër hapësirën konkrete dhe fiktive të jetës. Nëpër gjurmët e mbetura të Ishullit simbolik, i cili vazhdon në një fat të braktisur, copëtuar nga të tjerët dhe harruar nga vetvetja”.
Qasje ironike të realitetit, autori e quan librin “Eliksir” të Ragip Sylajt. Këtë vepër e sheh si një shpërfaqje të realitetit absurd të kohës, në të cilin “uni” poetik stigmatizohet. Specifikon dilemën e poetit, kohën si element, dialogun me vetveten si karakteristikë e poezisë “Ballë për ballë me përjetësinë”. Simbolin si karakteristikë, e sheh në vargje: “Poeti, me eliksirin simbolik të urtësisë në shpirt, me dritën e tij, kalon nëpër skëterrën e kohës”.
Ajo që e hapë librin poetik “S’i duhet kujt gjaku im” të Adem Gashit, sipas Ismailit, është figura e inversionit, që më pas vazhdon të plotësohet me figurën e paradoksit. E vërejmë një qasje që Ismaili ka përballë tekstit, e që është më shumë qasje e cila e ka për bazë zbërthimin apo gjetjen e figurave në tekstin poetik, duke arritur kështu edhe definimin e stilit të autorit. Ndër figurat kryesore që hasë në veprën e Gashit janë alegoria, aluzioni sugjerues, ironia shpotitëse dhe referenca dëshmuese.
Pothuajse të njëjtën qasje, e bartë edhe në analizimin e veprës tjetër, të po këtij autori, të titulluar “Ditët pa gjë”. Edhe këtu, na ofron një analizë e cila ndalet në disa nga poezitë kryesore, të cilat edhe e definojnë stilin e përgjithshëm të Gashit, si poet. Heton alegorinë, metaforën dhe njeriun bashkë me veset e tij, që shfaqen shumë në poezi: “ Ca poezi të tjera të këtij vëllimi denoncojnë veset dhe cenet e njeriut në pushtet, botën e tij të gremisur në honet e egoizmit dhe të lakmisë”.
Topalli, në veprën “Sytë që dinë me pa”, sipas Ismailit, na shfaqet me poetikën e refleksioneve meditative. Autori vetëm nëpërmjet një fjalie, arrin të na e paraqesë karakterin e të gjithë kësaj vepre: “Vepra ngërthen në vete përvojën jetësore dhe kreative të poetit, e cila ngjan me një shtegtim metaforik nëpër labirintet e kohës dhe të ekzistencës”.
Ismaili, arrin të na i paraqesë karakteristikat esenciale të të gjithë librave, që i merr nën shqyrtim. Fokusohet më shumë në elementet e veҫanta, të cilat i japin atij mundësinë të ndalet në disa pjesë të veprës, në disa poezi, apo në disa elemente, siҫ është forma e ndërtimit të saj, narracioni e figurshmëria. Këto vepra, ai arrin t’i analizojë një një formë mjaft objektive. Ismaili, me veprën e tij, ofron mundësinë e leximit dhe interpretimit të këtyre veprave, në një dimension tjetër, dimension që është i thellë dhe analizues, gjithmonë i mbështetur në argumente.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Eriola Ҫoҫaj / KultPlus.com