Mos qani për Katedralen e Parisit, qani për veten

17 Prill, 2019 - 2:14 pm

Nga Brizida Gjikondi

Dje të gjitha rrjetet sociale u mbushën me qurre dhe lot shqiptarësh për djegien për fat jo të plotë, të Katedrales së Parisit. E di që mund të dukem antipatike me këtë shkrim, por gjithsesi më mirë kështu se hipokrite.

Nobelisti francez Andre Gide thoshte që “Veprat më të bukura të njerëzve janë kokëfortësisht të dhimbshme” ose i preferuari tjetër i imi Artur Shopenhaur shprehej: “Me një vepër arti duhet të sillesh si ndaj një fisniku të madh, ti rrish përballë dhe të presësh që të thotë diçka”. Dhe, në të dyja këto raste nuk e kam më fjalën për Katedralen franceze, por për strukturën e shpirtit shqiptar ndaj të bukurës, të vlerës, të trashëguarës, sidomos “katedraleve shqiptare” që janë bazike për të themeluar shpirtin e tyre që më pas i qaset pasurive dhe thesareve të botës së përparuar si Katedralja e Parisit.

Quhet Kisha e Shën Mërisë së Maligradit, ndërtimi i saj daton afërisht në 1345, por brenda saj janë gjetur edhe pjesë që datojnë edhe shumë më herët se aq. Është e vendosur në brendësi të shpellës së pëllumbave në Ishullin e Maligradit në Liqenas të Prespës, ose siç e quajnë vendasit vëndin e tyre, në Pustec. Është Monument Kulture i kategorisë së parë i klasifikuar i tillë që prej sistemit të kaluar, i gjithë ishulli është një thesar, arkeologjiko-historik, natyror dhe turistik. Ky ishull dhe ajo Kishë kanë rrëmbyer zemrën time, aq sa unë vullnetarisht jam shndërruar në guidë turistike pa pagesë e çdo miku dhe familjarit tim, ku me ndihmën e Llazit, përgjegjësit të devotshëm të Kishës, njëkohësisht njohës brilant i historisë së atyre anëve, mësues historie, por dhe varkëtar, me krenari ja shpalosim këtë përrallë të prekshme çdo shqiptari të mirë, dhe kushdo mahnitet nga kjo mrekulli e heshtur e dorës, mendjes dhe shpirtit që ndodhet e panjohur dhe e pambrojtur në territorin tonë.

Them e pambrojtur, pasi kjo Kishë që është certifikatë e qytetërimit të hershëm si shumë e shumë të tjera, është në një gjendje mjerane, ajo ndodhet brenda shpellës gëlqerore, e cila kullon vazhdimisht mbi çatinë e paizoluar të Kishës, lagështi e cila ka dëmtuar thelbësisht pikturat murale të kësaj kishe rreth 700 vjeçare. Inekzistenca e shtetit dhe strukturave të tij që paguhen për mirëmbajtjen e këtyre pasurive dhe certifikatave tona të qytetërimit, është kriminale. Është akoma më kriminale kur shikon lotët e tyre të krokodilit për Katedralen e Parisit, po si mund të qash për veprat e njerëzimit kur t’i nuk mirëmban dhe shpëton veprat që ke nën juridiksionin dhe kompetencën tënde.

Qajnë shqiptarët për Katedralen e Parisit, dhe mirë bëjnë që qajnë, por që të qash duhet ta kesh shpirtin plot kulturë, art, dimensione shpirtërore, për vlerën, trashëgiminë, të bukurën, arkeologjinë, skulpturën, pikturën, librin dhe vazhdimësinë, të cilat i ke marrë që në djep të nënës, shkollës, dhe territorit ku jeton, të cilat i ke përthithur dhe i mbron me shpirt. Kur nuk i ke dhe qan, atëherë je hipokrit. Si mund të qash për Katedralen e Parisit kur të gjitha veprat arkeologjike, fetare, kulturore, ti ka poseduar dhe shpërdoruar pushteti politik dhe interesi pragmatist i pushtetit financiar? Si mund të qash kur nuk ke kontribuar qoftë dhe me një germë për t’ju bashkuar klithmës kundër poshtërimit të çdo vlere kulturore dhe trashëgimore kombëtare? Si ka mundësi që askush nuk mban hapin dhe të meditojë qoftë dhe shtatë sekonda, pse ne shqiptarët të ndodhur mes dy qytetërimeve më të mëdha të historisë së njerëzimit, Romës dhe Athinës, jemi kaq rrafsh në vepra dhe trashëgimi mijëra vjeçare, ku janë ato, ku është shteti?!

Ne shqiptarët duhet të qajmë, me gjamë, si burrat e që motit, të qajmë rreth katedraleve tona të shpirtit dhe kujtesës që humbëm, shkatërruam, nuk i zbuluam, ose nuk i mirëmbajtëm dhe pasi t’i rizbulojmë, rindërtojmë e mirëmbajmë, le t’i kthejmë sytë krenar nga bota e qytetëruar.

Do moral dhe e qara! / KultPlus.com

Të ngjajshme