23 Gusht, 2018 - 10:46 pm
Mos u mëso me mua.
Mos u mjafto.
Mos më merr për të mireqënë.
Ti e di, unë e dua jetën si e marrë. Mendoj shpesh sa shumë na jep, e sa pak i kthejmë. Ja dua ritmin e çmendur kryeqyteteve të zhurmshme, kaosit njerëzor. Prandaj e dua pasionin human, atë që i bën njerëzit të vrapojë, të realizojë ëndrra, të bëjë të pamundurën të mundur.
Jam tani këtu, mund të mos jem pas pak. Ose, ka akoma më shumë mundësi që ti të ikësh. Kështu që mos u mëso me mua.
Unë jam kaos që ka marrë formë humane për pak kohë. Flas me zë të lartë. Më pëlqen të ulem në rrugë e të qesh derisa të më dhembin brinjët. Më pëlqen të eci në shi. Po po, fiks si një fëmijë. I pabindur madje.
Mbetem në thelb një vajzë e vogël që trembet, se lëndohet kollaj, dhe e mban mend gjatë. Të kujtohet kur të thashë, do e shohim bashkë atë film dhe ti e pe vetëm? U mërzita. Se unë doja ta shihnim bashkë, por nuk ta thashë, se në të njëjtën kohë nuk më pëlqen të jem kaq lehtësisht e prekshme, kështu që shpesh dhimbjen e mbaj për vete. Në mënyrë që askush mos të jetë në gjendje ta përdorë.
Jam e lodhshme unë. Duhet të më ‘bezdisësh’ derisa të bindem që vërtet ke dëshirë të më dëgjosh e të kuptosh ça po ndodh me mua. Sepse e kam aq të vështirë të flas, sa kur nis ta bëj, do të thotë që kam vendosur të të jap versionin më bruto dhe të çiltër të vetes. Atë version që jo rrallëherë ja fsheh dhe vetë vetes.
Nxehem menjëherë. Fjalët më ngecin. Thyhem shpejt. Oh, ti nuk e ke idenë, sa pak duhet që të thyhem copash, se aq e brishtë jam, se aq shumë jepem kur zemra më udhëheq sipas rrahjeve. Nuk harroj pothuajse asgjë. Fal me shumë vështirësi. Sidomos kur merrem për të mireqënë. Jam telash i madh, po të mësohesh me mua, siç e shikon.
Nuk besoj. Pothuajse tek askush dhe askund. Besoj në yje ama, univers e qiell. Betohem e lutem në meteorë. Në fund të çdo dite ngre kokën në qiell dhe gjej domosdo një buzëqeshje për mua, edhe nëse sytë i kam me lot.
Kështu që shpesh do kërkoj ta mbyll ditën me një gjë hedhur krahëve, një gotë verë, dhe sytë në qiell. Nuk i dihet kurrë se kur mund të ndodh magjia. Me dorën tjetër ama, do dua të shtrëngoj dorën tënde.
Sigurisht, duke qënë kaq e vështirë vet, edhe kur dashuroj ndodh shumë rrallë dhe vështirë. Ama, për dashurinë rrezikoj gjithçka. Luaj me jetën si në poker për dashurinë, për ata njerëz që arrijnë të më ndezin dritën në shpirt. Për njerëzit që dua kam dalë edhe mbi frikërat e mia. Kam anashkaluar dobësitë e mia, kam injoruar ditët e mbrapshta. Do jem me ty sa herë të kesh nevojë, edhe në heshtje nëse do duhet. Thjesht do të të mbështes kokën në kurriz sa për të të treguar që jam aty, se për njerëzit që dua unë jam gjithmonë.
Ndodh të rrëzohem dhe mblidhem kruspull. Nëse ndodh që të më shohësh ashtu, do të thotë që ke ardhur shumë afër. Do të thotë që ndërkohë që ty të këshilloj të mos mësohesh me mua, unë tashmë jam mësuar me ty. Do të thotë që ti ke dashur aq shumë që unë të mësohem me ty.
Kështu që, më mëso atëherë të ndërtoj pritshmëri. Më ndihmo ta ndërtoj nga fillimi besimin. Nuk jemi akoma mbi tokë, duhet të kthehemi tek themelet, ato janë shembur komplet.
Kërkon shumë mund e nerva të më durosh, e mbi të gjitha të më kuptosh, andaj mos u mëso me mua!
Ama, nëse do e bësh, nëse vërtet do të jesh aty, mirë se vjen në anën time të botës.
Është ferri vetë. Ti do ta dashurosh!!
© AZ