Mozaik nga monizmi

15 Dhjetor, 2017 - 8:00 pm

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i autorit Stefan Çapaliku është një dëshmi e qartë se autori i teksteve mimetike po kthehet në një zë unik të teksteve diegjetike. Dramaturgu nuk e ka braktisur dramën, por e ka gjetur atë edhe në prozë

Ag APOLLONI

Stefan Çapaliku (1965), poet, tregimtar, studiues, eseist, dhe, veçmas dramaturg, së fundmi ka ndërmarrë një projekt të madh në prozë, të quajtur Secili çmendet simbas mënyrës së vet, i cili, është realizuar në dy vëllime, por që mund të vazhdojë edhe me ndonjë vëllim tjetër. Vazhdimësia ndjek një logjikë kohore, kurse element konstant mbetet narratori, i cili duke dëshmuar për jetën e tij dhe jetën rreth tij, e subjektivizon rrëfimin dhe i jep status të një fiksioni autobiografik. Jo rastësisht, paragrafi i parë i romanit mbaron duke e theksuar unin. Autori bëhet narrator, narratori – fokalizator, vokalizator dhe personazh, njëkohësisht. Pra, si zakonisht në rrëfimet autobiografike, i njëjti person kryen pesë funksione: shkruan, rrëfen, fokuson, tonalizon dhe vepron. Romanin nuk e bëjnë të veçantë këto pesë funksione, atë e bën të veçantë strukturimi, që shfaqet si temë dhe teknikë.

Tema e romanit shtrihet në kohë (përfshin tri dekada diktaturë) dhe në hapësirë (qyteti i Shkodrës). Pra, romani fillon me kohën kur në Shqipëri u ndalua feja dhe mbaron me vdekjen e diktatorit. Krejt kjo periudhë shihet me sytë e një fëmije që vjen duke u rritur e burrëruar bashkë me zhvillimin e rrëfimit. Ky personazh-narrator që i përket një lagjeje katolike të Shkodrës, kontrollohet kujdesshëm nga autori për të mos i tejkaluar kompetencat e rrëfimit. Historitë e tij janë histori të shtëpisë, të lagjes, të qytetit. Gjithçka tjetër vjen nëpërmjet televizorit, ose nëpërmjet thashethemeve. Dhe kur televizorit i ndalen valët nga zhurmuesit e Partisë, personazhi nuk mund ta shohë as televizionin jugosllav, as atë italian, por vetëm atë shqiptar, rrjedhimisht bota e tij ngushtohet. Ky pengim i valëve, siç thotë autori, e kthen televizorin nga dritare ku shihnin botën, në pasqyrë ku shihnin veten.

Romani, edhe pse ndjek një kronologji, nuk ka një linjë rrëfimi. Ai e shpërfill kompozicionin tradicional për t’i lënë hapësirë eksperimentit dhe për t’u ndërtuar si një album narrativ me imazhe të ndryshme nga jeta e një kohe dhe e një qyteti. Fotografitë diegjetike ndërrohen, duke u kthyer në motive dinamike që e zhvillojnë temën e romanit, e lëvizin rrëfimin nëpër kohë. Kjo provohet me ndarjen e madhe të romanit në tri pjesë: Para, Gjatë dhe Mbas. Kjo ndarje ka për bazë televizorin si religjion të ri. Siç thuhet para Krishtit e pas Krishtit, mund të thuhet edhe para Televizorit dhe pas Televizorit. Shkodra me rreth njëqind mijë banorë kishte vetëm pesë televizorë. Pra, një televizor për njëzet mijë veta. Kështu, televizori kthehet në qendër të rrëfimit. Ai imponon sjelljet e njerëzve, diskutimet e tyre, ai ndryshon jetën e familjes, të lagjes dhe të qytetit. Ashtu siç konstaton Bodriari me teorinë e simulacionit, jeta ndikohet thellësisht nga televizioni, i cili ka forcën e transformimit të shoqërisë. Njerëzit mblidhen te shtëpia që ka televizor dhe shikojnë emisione të ndryshme informative, sportive, apo argëtuese. Kështu, fillimisht shfaqet nevoja e përkthimit, pastaj organizohen kurse gjuhe në mënyrë që shikuesit të aftësohen për t’i kuptuar vetë filmat. Lidhja e njerëzve me televizorin bëhet lidhje emocionale, prandaj ai nuk fiket për gjashtë vjet rresht, derisa vdes një anëtar i familjes. Ironia e kësaj lidhje nxjerr krye disa herë në roman, si në rastin kur të gjithë katolikët e lagjes i gëzohen humbjes së Muhamed Alisë në një ndeshje boksi, pasi ky ishte konvertuar në musliman, apo si në rastin kur shoku Hysen zbritjen e njeriut në Hënë e sheh si miratim të ateizmit të tij: “Ata shkuen atje në Hanë dhe ku ishte Zoti? Ku ishte Zoti po ju pyes. Më thoni. Zoti kërkund. Nuk e gjetën”.

Televizori e gjallëron shtëpinë dhe qytetin, por vjen një ditë kur lirisë së tij i vjen fundi. Vendosja e zhurmuesve që ndalojnë ndjekjen e kanaleve të “botës së degjeneruar” është dritarja e fundit e mbyllur në ngrehinën komuniste:

“E tmerrshme. Po tashti? Çfarë ndodh tashti? Të shohim Tiranën?!!! Vetëm Tiranën?!!! Asgjë tjetër?!!! Aha…Domethënë kësaj i thonë të shohim veten. Të mos kemi më dritare me xhama, por në vend të xhamave të kemi pasqyra e të kënaqemi duke parë shëmtinë tonë.”

Dhe kështu, mungesa e kanaleve të huaja televizive i jep kohës epitetin e një faze post-television, kohë kjo kur, në mungesë të filmave të huaj, realiteti fillon të bëhet prapë “interesant”, madje më dramatik se filmat. Një nga këto momente “interesante” ndodh në sheshin e qytetit kur i ekspozojnë kufomat e të vrarëve në kufi, për t’ua futur frikën në palcë qytetarëve të lodhur dhe të mërzitur nga izolimi.

Njeriu i vogël dhe Njeriu i Ri

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është rrëfim për njeriun e vogël në kohën e Njeriut të Ri. Njeriu i vogël, me jetën minore, të zakonshme, të pabujë, ishte njeriu që shihte jetën e vet, punën e vet, njeri i parëndësishëm në rrjedhat politike të vendit. Mirëpo, ky njeri po i humbte cilësitë e tij për shkak të ideologjisë komuniste që proklamonte Njeriun e Ri, njeriun pa të kaluar, njeriun në shërbim të Partisë. Dhe pikërisht te kjo përplasje mes dy tipave të njeriut qëndron tema tragjike e romanit. Shqiptari rrezikon t’i humbë vetitë e tij dhe të kthehet në njeri robot që i bindet vetëm sistemit. Pra, njeriu rrezikon të dehumanizohet për shkak të ideologjisë së barazisë. Si revoltë ndaj këtij rrafshimi ideologjik, autori Stefan Çapaliku sjell para lexuesit personazhe të ndryshme, secili i veçantë në mënyrën e vet: Gjush Kodheli, që i ka kthyer helmetat e gjermanëve në saksi të luleve si një instalacion për paqen; Rozar Dodmasej që derisa të vdesë nuk pranon të dalë nga shtëpia, sepse nuk pranon të veshë pantallona të qepura me stofin e Kombinatit “Stalini”; Marilda, apo Malena e Shkodrës; Daja Pjetër që të gjithë e thërrasin kështu, edhe pse askush nuk e ka dajë; kompozitori që e bënte orkestrën filarmonike të qytetit të luante pjesët më të vështira të botës, duke thënë se është më mirë ta luash keq Beethoven-in sesa ta luash mirë Filan Fistekun; Cen Pinuci që e shet veten për së gjalli që, kur të vdesë, trupi i tij t’u dhurohet doktorëve të anatomisë; apo shkrimtari satirik Dik Zeka që thoshte “për femrën më të keqe jap shokun më të mirë”. Po ashtu, në roman shfaqen edhe personalitete të rëndësishme si: Kolë Ashta me fjalorin e tij, Gjon Shllaku që sapo ka mbaruar “Iliadën”, Zef Zorba me teatrin e kukullave, Frederik Rreshpja duke qëndisur në gjergjef, Pjetër Meshkalla, jezuiti që sjell pak heroizëm në kohën e “rinisë servile” etj.

Reagimi i regjimit ndaj fesë jepet më së miri nëpërmjet dënimit të Patër Pjetër Mushkallës, reagimi ndaj kulturës perëndimore jepet me shpikjen e zhurmuesve të antenave të televizorëve, kurse reagimi ndaj letërsisë jepet nëpërmjet një skene ku shqyhet poezia e Frederik Rreshpjes:

“Hyri në klasë mësuesja e leximit dhe tha me të prerë:
– Hapeni të gjithë librin e leximit në faqen 55. Po aty, aty te poezia “Rapsodi shqiptare” dhe me kujdes…griseni!
-Ta grisim?!!!
-Po, ta grisni – tha ajo.
-Të grisim librin?!!!
-Po, po, librin. Se autori i saj është shpallur armik i Partisë dhe i Popullit, – dhe as që ia zuri në gojë emrin Frederikut të shkretë.”

Romani nis me vizitën e autorit në moshë të vogël në një burg dhe i gjithë rrëfimi zhvillohet si një film që del nga burgu i kujtesës së autorit. Prandaj, pavarësisht ironisë verbale dhe ironisë së situatave, romani është një homazh për njeriun e vogël që rrezikohej nga Njeriu i Ri:

“Ngaqë jetonim brenda dhe pa kurrfarë pikash të tjera referimi, nuk po e kuptonim se sa shumë po shëmtohej qyteti. Dita ditës ai po bëhej edhe më i vogël, tkurrej, imtësohej, anemik, plakej dhe po e linin fuqitë. Inercia qytetëruese e paraluftës kishte marrë fund dhe nuk ia shtynte më velat asnjë centimetër. (…) Njeriu i Ri, vepra më e shquar e Partisë, ishte një përbindësh që ia hante dhe ia bluante çdo ditë personazhet dhe karakteret unikalë këtij qyteti.”

Si refuzim autorial ndaj përbindëshit të Partisë, në fillim dhe në fund të romanit, citohet filozofi danez Soren Kierkegaard: Njeriu duhet të guxojë që të jetë krejtësisht vetvetja.
Romani i Stefan Çapalikut është një minirrëfim për kohën e metarrëfimit komunist. Nëpërmjet historive të vogla të njerëzve të vegjël dhe nëpërmjet imazheve të konstruktuara kryesisht sipas modelit të kinematografisë italiane (De Sica, Fellini, Bertolucci, Tornatore etj.), autori ka krijuar panoramën e vendlindjes së tij si një mozaik me gjithë shkëlqimin dhe mjerimin e saj, duke u përpjekur të mos i gjykojë personazhet, por thjesht t’i paraqesë ashtu siç janë, teknikë kjo më shumë dramatike sesa diegjetike. E, siç thotë Milan Kundera, mungesa e gjykimit moral nuk është imoralitet i romanit, por është sakt morali i tij.

Të ngjajshme