4 Qershor, 2018 - 5:30 pm
Gabim të madh bën autoritet serbe që ndaluan tri fotografi të artistes Eliza Hoxha për t’i ekspozuar në Festivalin treditor “Mirëdita- Dobardan”. Arti ka për detyrë të shprehë realitetin e ky realitet rrjedh nga përshkrimi i jetës së artistes, konkretisht gjatë viteve të 90-ta. Serbët tentojnë të pengojnë dhe ta dënojnë me mos ekspozim të veprave dhe dihet përfundimisht se ata ishin fajtor. Vështirë e kanë ta gjykojnë krimin për vete ndërsa me lehtë ju bie dënimi për të tjerët.
Ilir Muharremi
Më pëlqeu guximi i artistes Hoxha që riprintoi tri fotografitë e bllokuara nga policia serbe në kufi, dhe në ato fotografi tregoheshin demonstrata kundër pushtimit serb, të cilat dukeshin aq dokumentare, më pak artistike, ndoshta kjo qe pikë e dobët për serbët. Protestat ndodhën në vitin 1998 dhe studentët ngrinin duart lartë me parullën UÇK, pastaj vazhdonte fotografia tjetër me parullën ““Kosova, është gjaku që nuk falet”, e treta ishte me flamurin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës pikërisht në ditën e pavarësisë së kësaj të fundit. Kjo mund të jetë ajo thembra e Akilit ose pika më e dobët e cila kishte ngjallur reagime nga serbët. Realitet i pa pranuar i pavarësisë së Kosovës.
Mediat serbe reaguan duke e cilësuar ekspozitën si provokim. Radikalët kërkuan ndalimin e Festivalit, ndërsa mediat tona e publikuan si ndalim të artistes për të marrë pjesë në festival. E gjitha ndodh kur politika i fut hundët në art dhe historia dokumentare bëhet pengesë për artin. Kishte edhe nga ata që kërkuan që Festivali të vazhdoj. Lëvizja Dveri, protestuan për mbajtjen e këtij festivali, pasi ata e konsiderojnë këtë shfaqje si një promovim të Kosovës si shtet i pavarur. Serbët duhet ta dinë se arti duhet të mbrohet nga ekstremistët dhe çdo artist ka të drejtë të shprehë revoltën, mendimin pavarësisht në cilin shtet ndodhet, më së paku vepra artistike duhet të pengohet.
Përshkrimi i veprave të Hoxhës
Ekspozita e Elizës titullohej “Midis ëndrrës dhe realitetit”. Një rrugëtim në të kaluarën, një klithmë revolte, aksion që direkt na qoj te vrasja, dhe rëndësia ishte të kthehemi në rrënjët e gjërave, t’i tregojmë armikut se nuk mund të bëhesh mik, mbetesh armik dhe s’ka pajtim. Ajo botë ishte e tillë, por ne jetojmë në një botë tjetër. Në botën e së ardhmes dhe duhet ndarë artin me historinë, gjë për të cilën Aristoteli fliste te libri “Poetika”, jam dakord me Aristotelin, por nuk jam dakord të harrohet historia, e arti si tregimtar i së ardhmes duhet të veprojë ndryshe.
Në ato fotografi secili prej nesh mund ta shoh veten duke mbajt bukë në dorë ose qirinj, sidomos gjenerata ime kujton kohën e adoleshencës. E ata që nuk ishin në atë kohë, mund të vetëm ta shohin si fragment historik e këtu arti distancohet. Ky realitet mendoj nuk rri pezull sepse dihet krimet e Serbisë. Realiteti i cili duhet të trajtohet përmes artit janë të zhdukurit, kthimi i eshtrave të tyre dhe kërkim falja e Serbisë për krimet e bëra ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Punimet më shumë duhet të ngritin shqetësim për rregullim të situatës, bashkëpunim, urëlidhje sesa konflikt historik. Dihet që dy shtete fqinjë herë do kurë duhet t’i rregullojnë raportet. Kjo është ajo plagë e gjallë që ende nuk po fshihet, ndërsa, pjesa e fotografive të Hoxhës është e kaluar.
Në kokë ajo mban kurorën me gjemba të punuar me tela, në të njëjtën kohë simbolizon plisin që na kthen në traditën tonë, e kjo është pjesa artistike e bukur e ekspozitës, saktësisht etnografia.
Situata e ndjeshme bëhet kur në fotografi shpalosen edhe gratë e dhunuara, të cilat duken të turpëruara, të pavlerë dhe sipas tyre më parë do zgjidhnin jetën se vdekjen. Pastaj, fëmijët të cilët iknin për në Maqedoni.
Çdo njeri i thjeshtë, çdo artist, por edhe politikan ka mundur të vërej se ishte pengesë e kot t’i ndalosh fotografitë e imazheve të ndodhura. Ata nëse donin të pengonin, atëherë duhej veprën e së ardhmes sepse aty mund te kemi ndryshim, kurse kjo vetëm na kujton në një rrugëtim të kohës. “Ajo pjesa në kufi për çfarëdo arsye që është bërë, ka qenë paksa e ekzagjeruar. Unë i takoj një gjenerate që është ballafaquar me policinë në forma të ndryshme dhe në këtë pikë jemi të kalitur. Më është kthyer ai emocioni i viteve ’90. Ky rrëfim për gjeneratat e reja këtu e edhe në Kosovë është i panjohur. Mendoj se mundësia për ta shpalosur kontekstin mund t’iu ndihmojë dy palëve për ta parë realitetin”, tregoi Eliza Hoxha për KultPlus. Këtë realitet të gjithë e dinë, çdo media ndërkombëtare, çdo historian, çdo arkiv dhe kjo nuk mund t’i takoj ndonjë vepre të madhe.
Pjesa tjetër e ekspozitës fotografitë që lidhen me shtetin e Kosovës ishte diçka ndryshe, diçka e kohës, vullkan aktiv ndërmjet dy shteteve njëra loz me Tomin kurse tjetra me Xherin. (personazhe nga filmi vizatimor “Tomi dhe Xheri”.)
Punimet mund të quhen si rrëfim i së kaluarës protestat nga vitet ’90. Kemi një fëmijë teksa ja zgjatë dorën një ushtari, shtëpitë e tjera të djegura pa kulm dhe më e vështira është t’i shohësh sytë e fëmijëve, shpirtin prapa syve, të lodhur, të frikësuar, buzëqeshjen e humbur, parajsën e imagjinuar, humbjen e fëmijërisë dhe kultivimin e frikës dhe shuarjen e shpresës. Këta fëmijë edhe sot jetojnë nën ombrellën e traumës dhe trauma mbas psikologjisë është plagë që nuk shërohet. Atëherë, Kosova ka një të ardhme të plagosur e cila ka nevojë për ndërrim të gjeneratave. Çfarë të bësh? Është Ballkan ky vend me mentalitet të poshtër. Jetojmë në këtë ferr dhe vështirë të rilindim.
Artistët Ballkanas gjithmonë prezantojnë art nga e kaluara e dhimbshme e tyre. Krijohet vepra me drama dhe tragjedi e këtu nuk nevojitet ndjenjë artistike ose imagjinatë sepse vet trauma është më e thellë,e artisti vetëm se e kopjon atë.
Nisja e Festivalit
Vet serbët gabuan, pse gabuan? Krijuan barriera artistike, pastaj vërshuan protestat në Beograd pranë Qendrës për Dekontamin Kulturor. Ata disi rriten fajin e tyre, i ngjallën krimet me vet ndalesën. Ata fajësuan veten shumë, tepër shumë. E arti ka për qëllim provokimin e bukura e kësaj ishte se ekstremistët reaguan ndaj krimeve të tyre, ndaj dorës së tyre.
Gabim i madh është se shteti e urdhëroj ndalimin. Ky Festival a mund të zgjoj debat për të zhdukurit, natyrisht se jo sepse nuk u trajtua asnjë vepër në lidhje me ta, por ky festival ngriti debat vetëm për protesta nga e kaluara.
Udhëheqësit shtetëror Kosovar nuk mund t’i ndalojnë barrierat e Serbisë ndaj artistëve kosovar sepse çdo shtet i ka ligjet e veta. Edhe ndalesa e Atifetet Jahjagës, edhe kjo e fundit e Hoxhës. Edhe pse Hashim Thaçi ka nënshkruar në Bruksel marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, prapë shteti vepron mbas kushtetutës së vet. Serbia vazhdon të përdor shantazhe mospërfillje dhe ndalesa. Përgjegjësi vështirë të mbaj dikush nga udhëheqësia Kosovare për aktin e fundit dhe të tjerat. Nëse Thaçi ka udhëhequr dialogun dhe vazhdimisht ka tentuar të merrej vesh me homologun e tij serb dhe ja ka dështuar, faji nuk mund të bije vetëm mbi udhëheqësin, por edhe mbi Brukselin.
Qartë shihet se Serbia nuk do normalizim dhe pak duhet të flitet për këtë. Nuk e di se çfarë prisnim ne nga Serbia: të respektoj marrëveshjet e nënshkruara, kur dihet që as në vitin 1999 asgjë nuk respektoj. E shoh të kot të flasim për një gjë të tillë.
Ne i kemi dy fate të kundërta të së kaluarës me Serbinë: ne jemi viktimë, ndërsa ata agresori. Ti qetësojmë gjërat edhe ne duhet ta rrëfejmë të vërtetën derisa për serbët dihet e vërteta. Këtu do të ndodh armëpushimi. Të dy palët e dimë dhe vështirë është për rregullim të së kaluarës. Andaj, mos të presin asnjë prodhim nga dialogu dhe asnjë përmirësim.
Artistet më mirë të rrokin tema me numrin e të prekurve me kancer pas luftës së fundit në Kosovë
Pas luftës numri i të prekurve me kancer ka shënuar rritje veçanërisht te të rinjtë. U besua se ky numër ishte rezultat i luftës dhe Uraniumit të varfëruar. Nga onkologët e Kosovë kjo po kundërshtohet derisa Serbia këtë po e pohon. Cila mund të jetë e saktë? Artisti këtë duhet të prek dhe po harrojmë se arti shkon paralel me shkencën e jo me historinë. Artistët tonë janë të varfëruar në këtë sferë.
Menjëherë pas përfundimit të luftës se armatosur të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Sigurimit, Bernard Kouchner kishte vizituar kampet në të cilat është dyshuar se ka uranium të varfëruar. Kjo dëshmon rritjen e numrit të njerëzve të prekur me kancer si shkak i luftës së fundit.
Ne “Express” shkruante se Protagonist, për fatin e tij të keq, ishte një ish-rreshter major italian, 38 vjeç, nga Filadelfia. Ushtaraku gjatë kohës sa po i shërbente NATO’s në Kosovë u sëmur një lloj tumori i qelizave të gjakut. Është vërtetuar se shkaku i sëmundjes është uraniumi i varfëruar. Nga kjo është vërtetuar se Uraniumi i varfëruar mund të jetë si shkaktar kryesor për sëmundjet e kancerit në vend.
Pasi që kjo çështje po merr konotacion politik, artistët duhet ta trajtohen këtë problem dhe njëherë e përgjithmonë të dihet saktë. Ky është problem madhor në Kosovë sepse fotografitë të cilat i shfaqi Hoxha janë arkiv historik dhe arti nuk bën të harxhoj më kohë. Pastaj “Express” vazhdon të shkruaj se Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore në një përgjigje për Express dhe T7 ka thënë shëndeti i njeriut dhe mjedisi nuk janë të rrezikuara nga ekspozimi ndaj rrezatimit i cili vjen nga prezenca eventuale e Uraniumit të Varfëruar në territorin e Kosovës.
Shteti i Kosovës si dhe ai Serbisë duhet të formojë një komision profesional për vërtetimin e bombardimeve që ndodhen në 1999, e të tregoj se a është shkaku i rritjes së numrit të prekurve me kancer pikërisht nga Uraniumi i varfëruar në territorin e Kosovës dhe të gjitha pjesët ku është përdorë.
Artistët pamor si dhe ata të filmit duhet ta trajton këtë problem sepse kjo po i merr përmasat e mëdha në rajon. E nëse arti qenka tregimtar dokumentar i ngjarjeve ai duhet të hyjë gjithkund./KultPlus.com