Mulosmani: Erenik Beqiraj ka fituar “Luanin e Artë”, por askush nuk e njeh sepse ne njohim Luizin, Ronaldin, Kiarën, Ledionin, Arbanën

13 Janar, 2024 - 7:30 pm


Shkruan: Ermal Mulosmani

Këtë status e kam për ata që thonë se Big Brother bën namin kudo në botë nuk është fenomen shqiptar.

Në fakt kudo në botë Big Brother është një program normal ndërsa te ne është një ngjarje kombëtare.

Psh, në Kanada fituesi i Big Brotherit kishte nja 10 mijë followersa në Instagram, aq sa ka një parukiere lagjeje te ne. Kanadaja ka 38 milionë banorë ose nja 13 herë Shqipëria.

Por, prit pak. 10 mijë kishte kur nuk e kishte përmendur akoma Luizi. Sapo i doli emri në Shqipëri ai zbuloi një thesar adhuruesish! Menjëherë shpërtheu lumi i fansave shqiptarë drejt kanadezit që nuk ia dinë vlerën bashkëkombasit të vet.

Ai sot ka rreth 35 mijë ndjekës ndër të cilët 10 mijë kanadezë dhe 25 mijë janë shqiptarë!

Sepse te ne, të jesh në Big Brother është status ku e ku më i lartë se fjala vjen të fitosh Luanin e Artë nëVenecia.

Fituesi i edicionit të fundit të filmit të shkurtër në Venecia është një shqiptar, Erenik Beqiraj, me filmin “A Short Journey” (Një udhëtim i shkurtër). Për herë të parë në historinë e kinemasë shqiptare një film shqiptar fiton “Luanin e Artë” të Venecias, njërin prej dy feativaleve më të rëndësishëm evropianë të filmit.

Më kujtohet viti 99. Për herë të parë në historinë e filmit shqiptar një film ishte pranuar në konkurim në Venecia! Ishte Funeral Biznes i Gjergj Xhuvanit. Aso kohe Ministër i Kulturës ishte Edi Rama. Një gëzim i madh shpërtheu mes njërëzve të kulturës, një delegacion i gjerë me pjesëmarrës edhe nga Ministria u nis në Venecia. Me dhjetëra intervista, shkrime nëpër gazeta dhe emisione televizive iu dedikuan pjesëmarrjes. Kujdes, ishte vetëm pranuar në konkurim, nuk kishte fituar! U quajt sukses i madh kur thanë që “filmi u duartrokit”. Në fakt kështu mendoj edhe unë. Gjergji ishte i lumtur, të lumtur ishim edhe ne për suksesin e tij dhe të kinematografisë sonë. I lumtur ishte edhe Ministri i atëhershëm, Edi Rama. Sepse morëm pjesë në Venecia, ne konkurim.

Ndërsa sot Erenik Beqiraj e ka FITUAR Luanin e Artë, atë çmim për të cilin vetëm konkuruam në 1999! Por askush nuk e njeh Erenikun. Sepse njohim Luizin, Ronaldin, Kiarën, Ledionin, Arbanën…

Njohim edhe fituesin e Big Brother Kanadasë se harrova.
Që ta mbyll. Gjithë bota e bën Big Brotherin por bota di të bëjë diferencën mes një fituesi Big Brotheri dhe një vlere kombëtare.

I patë propozimet për njeriu i vitit sivjet? E propozoi dikush Erenikun?

Sigurisht që jo sepse jemi të zënë. Kemi euforinë e pjesëmarrjes në Evropianin e futbollit prej ku do dalim në vend të…

Sot zëdhënës të produksionit dolën në TV dhe thanë që publiku po pret nga ky Big Brother lidhje djalë-djalë ose vajzë-vajzë.
Nga Big Brotheri tjetër pritet mardhënie me kafshë a me robotë. / KultPlus.com

Të ngjajshme