13 Qershor, 2019 - 9:30 pm
“Si zogjtë shtegtarë, të cilëve iu duhet të udhëtojnë në vende të ndryshe për të mbijetuar, ashtu janë edhe gratë e shoqërisë sonë. Të detyruara të adaptohen me situata të ndryshme, të cilat u kanë ndihmuar atyre që të mbijetojnë në një botë patriarkale” keshtu ka filluar paneli i radhës i FemArt mbi mungesën e grave në role të rëndësishme, qofshin politike qofshin vendimarrëse në Kosovë apo në vendet fqinje.
Gratë më të fuqishme nga Kosova dhe regjioni, janë mbledhur nga FemArt për të diskutuar punën e tyre si dhe mungesën e grave në vendimarrje në çështjet më të rëndësishme të shoqërisë sonë, pëecjellë KultPlus.
Zonjat më të fuqishme, të artit dhe të kulturës kanë krijuar një ambient të këndshëm duke folur, herë me sarkazëm e herë me buzëqeshje për situatën e krijuar në vendin e punës, sidomos kur vie puna te rolet vendimmarrëse. Biseda ka filluar me pajtueshmërinë e përbashkët të zonjave të cilat sqaruan që sistemi duhet të ndryshohet, dhe secila prejt tyre ka dhënë një ide si dhe një fushë e cila ka nevojë të ndryshohet dhe të përmirësohet.
Biseda ka marrë ngjyrime poetike duke lënë ambiguitetin ta dominojë këtë panel kaq atraktiv. Të parës që i është dhënë fjala nga moderatorja More Raça më pas Vjosa Berisha, aktivistja dhe themeluesja e Prifest në Kosovë. Ajo e ka filluar fjalimin e saj me një shprehje nga zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe feministja e parë amerikane, Abigail Adams e cila tha “Është shumë e vështire të jesh artiste, e lëre më të jesh grua artiste.”
Berisha ka treguar që gjëja më e vështirë në Republikën e Kosovës është të qenit artist apo artiste. “Shkaku kryesor që kultura në Kosovë nuk përkrahet apo financohet është se nuk e shohin vlerën e saj. Problemi i parë për organizatën tonë ka qenë që fillimisht ta ndërtojmë audiencën e pastaj të punojmë me projektet dhe idetë tona. Ndoshta fusha më e suksesshme e artit është fusha e filmit, me anë të festivaleve të ndryshme kemi arritur që të organizojmë një komunitet të gjerë dhe të ndërtojmë marrëdhënie me shumë vende të tjera, një gjë që ka promovuar jo veç filmin por edhe gjithë kulturën tonë.”
Kurse Burbuqe Berisha, ish-drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar ka ndarë historinë e saj se si ka konkuruar në këtë punë. E pyetur nga KultPlus lidhur me dallimet në pagesë mes burrave dhe grave, ajo ka thënë që ‘është diskriminuar pozitivisht’ duke marrë pagë më të madhe se drejtorët e mëhershem si pjesë e kampanjës për t’i motivuar gratë të marrin pjesë në rolë të larta të teatrit. Bisedën e ka vazhduar duke treguar për punën e saj dhe kohën sa ka qenë me punë në teatër. “Unë kam qenë e para grua drejtore e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Konkurimi im ka qenë i papritur, duke parë që nuk mendohej që një grua ta udhëhiqte një institucion si teatri i Kosovës. Kjo është një punë tepër sfiduese, sepse kushdo që merret me këtë punë duhët të merret me sulmet, edhe politike edhe artistike. Unë s’u jam larguar asnjëherë punëve menaxhuese dhe do t’i inkurajoja të gjitha gratë që kanë ambicie të tilla, duke i paralajmëruar fillimisht edhe për vështirësitë që sjellë kjo punë.”
Ndërsa drejtoresha e teatrit në Serbi është shprehur se “gratë nuk dështojnë, edhe po dështuan, mësojnë edhe më shumë nga eksperiencat e tyre”. Për të “Teatri është një mënyrë për t’i ekspozuar emocionet më të errëta, përfshirë këtu edhe luftën. Si drejtuese e teatrit unë kam pasur mundesi të punoj dhe të merrem me historitë e grave. Kemi krijuar një numër të shumtë performancash që flasin për mitin që gratë e dhunuara duhet të rrinë të heshtura lidhur me traumën e tyre.
Nga ana tjetër pianistja dhe drejtoresha Besa Luzha ka sqaruar se jetojmë në një shoqëri ku rolet gjinore janë të caktuara dhe duket tabu të provosh t’i thyesh dhe ti tejkalosh këto paragjykime. Sipas saj “Duke parë ketë demotivim, duket sikur vajzat dhe gratë e gjejnë veten duke pyetur nëse ia vlen të përballesh me gjithë këto sfida, veç për hirë të dëshirave dhe ambicieve të saja artistike. Kur propozohet një grua në një rol udhëheqës, zakonisht reagimi është i egër dhe fyes. Kur unë e kam filluar karrierën time, nuk e kam bërë për të ardhur këtu për të folur për barazi gjinore dhe të drejta të grave por ja ku jemi. Për mendimin tim nuk ka qenë e pranueshme si është trajtuar një grua nga teatri, dhe si jam trajtuar unë, vecanërisht. Në jemi para vendimeve për të dalë nga kutia e moralit. Arsyeja që unë kam filluar këtë punë është realizimi që liria nuk më përket mua por edhe të tjerëve që nuk kanë dëgjuar se kanë të drejtë të zgjedhjes së tyre të lirë. Ndoshta duke u fshehur pas asaj idesë, pas një burri të fuqishëm fshihet një grua e fuqishme, kemi mbetur mbrapa duke menduar që gjithmonë duhet të kemi mbështetje.”
Ajo e ka përmbyllur këtë panel me shprehjen më të bukur dhe shumëkuptimëshe “Si aktore mund të them se në Shqipëri e bukura është e mohuar, qoftë art apo qoftë gruaja”/RronaJaka/KultPlus/