Musa Ramadani fitoi çmimin “Kadare”, por nuk mori të gjitha paratë që i takonin

3 Korrik, 2019 - 9:59 pm

Agron Gashi

Sot, në ditën e lindjes së Franc Kafkës, ju kujtoj këtë roman të Musa Ramadanit, i cili ishte fitues i Çmimit “Kadare” për vitin 2017.

Musa Ramadani, çmimin e mori të plotë, pra nuk iu nda. Ndërsa, paratë, vetëm një pjesë, edhe pse ky çmim (me kontratë) êshtë 10 mijë euro. Pra, shkrimtari ynë, i sëmurë, vetëm ata që e njohin e dinë, shkoi për t’u nderuar, por edhe për t’i nderuar, në Tiranë, çmimin e mori, iu dha edhe kontrata, por “pjesa tjetër e çmimit”, u avullua.
Vërtet kjo është e padrejtë, aq sa e padrejtë të luhet me çmimin dhe emrin Kadare!!!
P.s. mediet mund ta verifikojnë.
Plotësim: Ky status u bë pas rikonfirmimit për të satën herë nga vetë Musa Ramadani.

****

“Romani i Musa Ramadanit i titulluar “Profeti nga Praga” është roman për fatin e artistit në përgjithësi dhe shkrimtarit Franc Kafka në veçanti.
Shkrimtari hebre-gjerman-çek, Franz Kafka, pas 41 vitesh nga humbja, në 82- vjetorin e ngjizjes, krejt befas rishfaqet në vendlindjen e tij. Vizione krejt të vonuara, copëza reminishencash nga takimet me mikun e humbur, kthimi në shtëpinë e lindjes, fanitjet, kujtimet fëmijërore etj. bëhen objekt trajtimi të këtij romani.
“Profeti nga Praga” ka elemente dokumentare, i ndërtuar pjesërisht mbi shenjat biografike të Kafka-s, por edhe metafizike dhe mistike. Mbi të gjitha, procedimi i romanit në fjalë është realizuar sipas strukturës së skenarit të një filmi të metrazhit të gjatë, ku Ramadani shtrin vokacionin e tij narrativ prej pikëvështrimesh të ndryshme narratologjike.
Krejt narracioni ndodh në kohën e tashme, përmes së cilit Kafka si njeri, si shkrimtar dhe si personazh rikthehet në moshën që ka vdekur, duke kërkuar vendet që i ka dashur, një rinjohje kjo me miqtë, librat, të dashurat dhe familjarët. Ai herë del në rolin e narratorit, herë në rolin personazhit, duke e veshur romanin kështu me një tis të madh fiksional, por gjithnjë duke i ruajtur të sakta referencat kontesktuale, si: emrat e njerëzve, rrugëve, lokaleve, librarive, muzeumeve dhe toposeve të tjera, një empiri kjo autoriale e Ramadanit alla Umberto Eco, e provuar me kërkimet e tij për “Lavjerrësin e Fukosë”.

“Profeti nga Praga”, edhe pse në dukje fokusohet te një personazh, rreth tij sillen shumë storje për artin, kulturën dhe letërsinë evropiane. Autori, me erudicionin e tij na ofron një prozë që i ngjan një enciklopedie letrare me referenca të llojllojshme nga Talmudi, Zohari e Tora e deri te librat në gjuhën çeke, gjermane dhe hebraike. Duke qenë i tillë, në të gëlojnë format dramatike, muzikore, letërsia epistorale, imazhet kinomatografike për t’i dhënë konturat e një romani sintezë të kulturës dhe letërsisë së përbotshme, e që figurativisht ka intencë të paraqesë edhe fatin e artistit në botën shqiptare. Strukturalisht, romani kapërthen tri plane: Kafka si rrëfimtar i jetës së tij, Kafka në relacion me qarqet letrare e kulturore të Pragës dhe Kafka në relacion me familjen.”

Të ngjajshme