Mustafaj: Këtu respektohet pushteti më shumë se dija, politikani më shumë se shkrimtari

12 Tetor, 2020 - 8:58 pm

Forca apo mendja? Pushteti apo dija? Arti apo politika? Dilemat e përhershme kanë gjetur në shoqërinë shqiptare një përgjigje që tregon shumë për natyrën dhe karakterin tonë, duke bërë të arrijmë në përfundime të trishta, siç arrin edhe shkrimtari Besnik Mustafaj, kur flet në rolin e ish-ministrit.

“Unë e kam vënë re që te ne, respektohet më shumë politikani se shkrimtari dhe këtë e vrua re kur ika nga ministria e më thanë, si ikën për të shkruar romane”, tha ai, transmeton KultPlus.

Në një takim letrar mbajtur në kuadër të Festivalit Kryqat e Minaret e Ngurta, ai sjell përplasjen dije a forcë, me shembullin e rrëfyer nga Eqrem Bej Vlora, për xhaxhallarët e tij dhe një krahasim mes eposit shqiptar dhe antikitetit grek.

“Eqrem Bej Vlora, tregon te ‘Kujtimet’ e tij, historinë e dy xhaxhallarëve të vet. Njëri që sillej keq me ata që punonin për të dhe tjetri që ishte i shkolluar dhe ndërtoi për Vlorën një spital dhe rrugën e Skelës. Eqrem bej Vlora tregon se i thoshin që se mos i ngjan atij budallait, dhe budallai ishte ai i shkolluari që i bëri dhuratë qytetit një spital e një rrugë. Respektonin më shumë atë të dajakut”.

Mbi shoqerinë dhe perceptimet, ai ravijëzon edhe raportin e gjuhës shqipe me erosin.

“Kam dashur të di se sa mundësi gjuha shqipe të jetë në prozën për erosin. Duhet të dimë që erosi ka qenë tabu te ne, sepse vinim nga një shoqëri feudale që më pas ishte bërë shoqëri komuniste dhe në të dyja, erosi ishte tabu”.

Takimi u mbajt nga Qendra Kombëtare e Librit dhe u moderua nga drejtoresha Alda Bardhyli. / KultPlus.com

Të ngjajshme