18 Maj, 2020 - 8:18 pm
Shkruan Atdhe Arifi
Sot është dita Ndërkombëtare Muzeut dhe fatkeqësisht ende nuk e bëmë një muze të denjë, me vlera historike meritore që trajton dhe rikujton ato që kemi përjetuar si shqiptarë të Kosovës, nën trysnitë për gjenocid, spastrim etnik dhe eksod.
Muzeu është ndërtuar si një simbol në shoqërinë perëndimore që nga Rilindja. Ky simbol është kompleks dhe shumë-shtresor, duke vepruar si shenjë e dominimit dhe çlirimit, të të mësuarit dhe kohës së lirë. Si vende për ekspozitë, përmes koleksioneve, shfaqjeve dhe ndërtesave, muzetë ndërmjetësojnë shumë nga vlerat bazë të shoqërisë. Por këto janë subjekt i kontestimit, dhe muzeu mund të shihet gjithashtu si një vend për politikën kulturore.
Në shoqëritë post-koloniale, muzetë kanë ndryshuar rrënjësisht, duke u reinventuar nën trysninë e shumë forcave, të cilat përfshijnë role dhe funksione të reja për muzetë, racionalizëm ekonomik dhe lëvizje drejt një aksesi më të madh demokratik. Kuptimi i Muzeut analizon dhe shqyrton marrëdhëniet midis muzeve dhe publikut të tyre. ‘Muzetë’ janë kuptuar shumë gjerësisht, për të përfshirë galeritë e artit, vendet historike dhe shtëpitë historike.
‘Marrëdhëniet me publikun’ gjithashtu kuptohen shumë gjerësisht, duke përfshirë ndërveprimet me artefaktet, ekspozitat dhe arkitekturën, të cilat mund të analizohen nga një sërë perspektivash teorike. Këto përfshijnë studimet e kulturës materiale, komunikimin masiv dhe studimet mediatike, si dhe teoritë e të mësuarit dhe studimet kulturore. Analiza e marrëdhënieve të muzeut me publikun e saj e zhvendos theksin nga muzeu si tekst në studime të bazuara në marrëdhëniet e trupave dhe vendeve, identiteteve dhe komuniteteve.
Rëndësia historike dhe kulturore e Muzeut të munguar të luftës
Kosova ka histori që duhet dokumentuar. Por, deri tash kësaj historie lufte e sakrifice, rezistence, dhimbjeje e rezilience, humbjeje e shkatërrimi, masakrave e gjenocidi nuk iu kushtua një institucion që tregon se çka ka përjetuar populli ynë. Kur vetë shqiptarët nuk po i kujtuakan, si t’i kujtojnë të tjerët. Ose nëse shqiptarët i paskan harruar, pse mos i harrojnë edhe të tjerët.
Fatkeqësisht, sot në Prishtinë ende nuk ka së paku një muze të denjë, i cili do të tregonte aparteidin dhe terrorin që regjimi i Beogradit e ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë shekullit që e lamë pas, po sidomos gjatë viteve 90-ta. Gjatë gjenocidit serb në Kosovë, u vranë mijra njerëz, mbi 6000 të zhdukur në rrethana të paqarta, ende mbi 1600 persona të pagjetur, rreth 20 000 gra të dhunuara.
Sot qeveria serbe mohon krimet e kryera në Kosovë, ndërkohë qytetarët mbajnë vetëm kujtimet e përvojat individuale e brenda familjes. Si rrjedhojë, sikurse çdo vend i botës që tregon historinë e vet, edhe populli shqiptar i Kosovës ka nevojë të lë gjurmë të historisë së vet në një institucion siç është muzeu historik. Por, në rastin tonë kjo nuk mjafton. Populli jonë ende ka plagët e freskëta pasi që shumë krime mbeten të paevidentuara, prandaj është e rëndësishme të krijohet qendra për hulumtimin e krimeve të luftës. / KultPlus.com