2 Janar, 2018 - 1:11 pm
Shkruan Ndue Ukaj, mbi programet televizive të Vitit të Ri.
Degjenerimi kulturor i Kosovës, pasqyrohet mjaft mirë në të ashtuquajturat programe televizive të Vitit të Ri, të cilat, në masë të madhe, artistikisht janë sterile. Aty shkëlqen injoranca dhe kiçi kulturor.
Të dhimbset gjuha shqipe, e cila dvaret dhe sakatohet, si në kohët e liga të Buzukut dhe Bogdanit.
Gjuha e artit është fisnike, e kultivuar, e epërme, hyjnore, dhe jo standardi i rrugëve dhe i kafeve.
Tekstet e shumta të këtyre emisioneve, janë nën çdo nivel, me një semantikë të çoroditur dhe u mungon logjika. Ndërsa për vlera artistike të tyre, as që mund të bëhet fjalë.
Të jemi të qartë: për budallakun e quajtur kulturë televizive, nuk e ka fajin askush. As politika. As BE- ja, e cila nuk na liberalizon vizat, as kundërshtarët dhe armiqtë tanë politikë. Por, i kemi fajet vetë ne, ashtu siç i kemi fajet për gjitha degradimet shoqërore.
Përderisa të kemi këso performancash të shëmtuara “kulturore” e “artistike”, nuk duhet të ankohemi për asgjë, në asgjë dhe në askënd.
Shoqëria është organizëm që ushqehet, ha e pi, si çdo organizëm tjetër. Derisa ta ushqejmë me këso marrish, marrina do të korrim.
Njerëz, shikojeni koncertin e Filarmonisë së Vjenës.
Shikojeni çfarë është arti i përkryer.
Secili e di se, ne nuk mund të krahasohemi me ta, por nuk duhet assesi të lejojmë, të instalohet kiçi si kulturë dhe vlerë e lartë. Më së paku në televizionet nacionale./ KultPlus.com