Ndue Ukaj: Rreshtimi kundër hebrenjëve është nonsens, shqiptarët kanë një lidhje të veçantë me hebrenjtë

21 Dhjetor, 2017 - 10:28 pm

Vota e sotme e Shqipërisë kundër Amerikës dhe Izraelit, është e frikshme; është votë e turpit kombëtar, dhe si e tillë, ajo mund ta rrezikojë seriozisht të ardhmen e gjithë shqiptarëve. Kjo votë, tregon politikën kryeneçe dhe të marrë shqiptare. Për mua, kjo votë është poshtër dhe tregon sa bukëshkalë jemi, dhe, sa të pasinqertë jemi me vetveten dhe me të tjerët. Ky veprim politik, rrezikon ta hapë një gropë të zezë, ku mund të fundosemi të gjithë.

Rreshtimi i Shqipërisë kundër politikës amerikane, është nonsens, është rreshtim kundër interesave shqiptare- dhe pro Rusisë dhe Turqisë. Është rreshtim kundër popullit hebre, me të cilin kemi një lidhje të veçantë. Nuk guxojmë asesi të përbuzim rolin e pazëvendësueshëm të lobeve hebre pro shqiptarëve.

Popujt e mençur, mësojnë nga gabimet e popujve të tjerë, ndërsa ne, nuk mësojmë as nga gabimet tona.
Sepse, përgjatë historisë, kemi gabuar shpeshherë:

Duke u rreshtuar keq.
Duke krijuar aleanca të rreme.
Duke ulur flamurin tonë si “sorrë” dhe në vend të tij duke lartësuar flamuj tjerë.
Duke iu gëzuar fitoreve të tjerëve e duke luftuar për kauza të rreme.
Duke u shtirë se i duam tjerët, pa e dashur vetveten.
Duke u mësuar t’iu duartrokasim tjerëve, pa i duartrokitur vetvetes./KultPlus.com

Të ngjajshme