24 Shkurt, 2019 - 5:24 pm
Jay Shetty
“Ne jemi gjenerata që nuk dëshiron të krijojë marrëdhënie me të tjerët. Ne duam një filxhan me çaj për ta publikuar në Instagram gjatë mëngjeseve të fundjavës. Ne duam një palë këpucë të dyta që të shoqërojnë këmbët tona në fotot artistike që bëjmë. Ne kërkojmë të vendosim statusin “Në një marrëdhënie” në Facebook, në mënyrë që gjithkush ta pëlqejë dhe komentojë.
Kërkojmë të bëjmë atë postimin e veçantë në rrjetet sociale që ta bëjë më të dallueshëm çiftin tonë nga të tjerët. Jemi në kërkim të atij takimit romantik gjatë së dielës që të na mbetet në mendje edhe të hënën.
Duam që dikush të na shkruajë çdo mëngjes “Mirëmëngjes”. Duam të na ftojnë nëpër mjedise ku të njohim persona të rinj. Duam të na ftojnë nëpër dasma, nga ku dalim duke pyetur veten “Si mund të jenë ata kaq të lumtur?”.
Por ne jemi gjenerata që nuk dëshiron të ketë lidhje. Ne lexojmë postime të tipit “7 mënyra se si ta bësh atë të të pëlqejë”, apo “5 mënyrat për të kuptuar se ai të do”, duke menduar se marrëdhëniet njerëzore mund të kufizohen në aq sa thuhet nëpër rrjetet sociale.
Ne shpenzojmë më shumë kohë në profilet tona në rrjetet sociale, se sa në personalitetin tonë. Ne dërgojmë sms, dërgojmë mesazhe. Komunikojmë me shumë persona. Dalim për kafe. Ndonjëherë pijmë birra. Bëjmë çdo gjë për të shmangur një takim romantik.
Biem dakord me dikë për t’u takuar. Flasim shumë pak në kafe, vetëm për t’u kthyer në shtëpi që të komunikojmë shkurtimisht me mesazhe në rrjetet sociale. E luajmë këtë lojën pa fitues, duke menduar se ashtu do të fitojmë lidhje të fortë me të tjerët. Ajo që fitojmë, është vetmia.
Ne kërkojmë fasadën e një marrëdhënieje, pa punuar për forcimin e asaj marrëdhënieje. Kërkojmë kapjen e duarve pa kontaktin e syve. Duam komplimentat pa bisedat serioze. Na pëlqejmë premtimet e bukura pa veprat që dëshmojnë përmbushjen e tyre.
Duam të festojmë përvjetoret e lidhjeve, pa menduar se për të arritur deri aty, duhet të kalojmë plot 365 ditë të vitit. Na pëlqen të thuhet për ne “Dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë”, pa i bërë përpjekjet e duhura këtu dhe në këtë moment. E sfidojmë dashurinë, sepse realisht nuk dimë si të biem në dashuri.
Ne kërkojmë çdo gjë që na ofron iluzionin e një marrëdhënieje, pa qenë realisht një marrëdhënie. I mbajmë gjithmonë sytë hapur që të mos na lëndojnë. Duam të përfshihemi pak në ndjenja me dikë, por sapo përfshihemi disi më tepër, largohemi sepse kemi frikë mos lëndohemi.
Kur gjërat nisin të bëhen më të forta, ne largohemi, fshihemi, i themi vetes “Siç nuk kanë mbaruar peshqit në det, nuk kanë për të mbaruar edhe mundësitë më të mira për mua. Meritoj më shumë se kaq”.
Ne duam që personi pranë nesh të jetë po aq perfekt sa një aplikacion perfekt që shkarkojmë në celularët tanë. Nëse nuk i përmbush parimet e perfeksionit, ne mund ta fshijmë atë aplikacion, sepse nuk na nevojitet më.
Preferojmë të fshehim gjithçka që ndiejmë pas një fotoje në Instagram. Zgjedhim një serial në Netflix në vend të një bisede reale. Duam një trup të ngrohtë, por jo një partner/e.
Gjërat që ne i duam me gjithë shpirt, gjërat që vërtet kanë vlerë, gjërat që do të na përmbushnin, të gjitha kërkojnë durim, punë dhe energji. Ne të gjithë duam të jemi me dikë që na bën të lumtur, ndërkohë që ajo që duhet të bëjmë, është të jemi dikush që e bën veten tonë të lumtur.
Ulemi në kafene me miq që diskutojnë se si duhet të sillemi, kur as vetë ata nuk e kuptojnë lojën në të cilën jemi përfshirë të gjithë ne…” / bota.al