2 Prill, 2020 - 3:58 pm
Nga Marigona Krasniqi
Me gruan time u njohëm para gjashtë viteve. Ajo ishte pjesëmarrëse në çdo aktivitet që zhvillohej në universitet dhe gjithmonë e kisha admiruar për zellin dhe energjinë që nuk i shteronte asnjëherë.
Ishte e hareshme, punëtore dhe shumë modeste.
Anipse studionim në të njejtin drejtim nuk më rastiste shpesh të bisedoja me të, edhe atëherë kur mund të bisedoja asaj gjithmonë i dilte një punë. Thjeshtë ajo ishte e paarritshme për mua. E shihja si motiv dhe si të pathyeshme. Për mua ishte femra më e ndershme dhe njëherit më e sukseshme që kisha takuar ndonjëherë.
Me kalimin e ditëve na rastisi të punonim në të njejtin projekt. Projekt ky që u bë shkak i afrimit tonë. Rrodhi si rrodhi dhe pas tre muajsh unë e martova këtë vajzë të mirë. Por duke e parë si gruan time dhe duke e njohur akoma më shumë, filloj të zbehej në mua gjithë ai vlerësim i mirë që kisha për të.
Krahas gjithë asaj energjie pozitive që përhapte ndër të tjerët fshihej shëndeti i saj i dobët, krahas sukseseve të saja fshiheshin njëmijë dështime dhe krahas asaj fytyre të buzëqeshur fshiheshin qindra lotë. Dhe unë në vend se ta vlerësoja për forcën që e gjente nga nëntoka dhe për arritjet e saja, përkundër sfidave e sprovave të mëdha, unë fillova ta konsideroja si një femër të dobët dhe të padobishme.
Pata jetuar në një rreth të tillë shoqëror që mendoja se njerëzit e fortë nuk posedonin as edhe një pikë të dobët dhe nuk duhej të kishin ndjenja. Unë e doja shpirtin luf-tarak të saj por e vra-va atë.
E vra-va duke e izoluar nga xhelozia, duke e nënvlerësuar në çdo rast, duke mos vlerësuar përpjekjet e saja.
Dhe pasi ne u bëmë me dy fëmijë ajo veç u distancua nga profesioni dhe nga ambiciet e saja. Atëherë veç filluan edhe zënkat e shpeshta dhe të gjata. Nuk kujdesej aq shumë për vetën, nuk e shihja duke u marrur me librat e as duke bërë ndonjë punë tjetër, vetëm se pastronte gjithë ditën dhe merrej me fëmijët. Por përkundër kësaj unë sa herë kthehesha nga puna i gjeja dhjetra gabime si në mirëmbajtjen e shtëpisë ashtu edhe në kujdesin e fëmijëve.
Anipse i kisha thënë se unë e dua shpirtin e saj të mirë dhe se më pëlqente natyrale, unë lakmoja vajzat e tjera. Përderisa gruaja ime kujdesej për familjen, shtëpinë dhe nderin tim, unë nuk e vëreja për të mirë, por sa herë shihja arritjet e një femre thoja pse e imja nuk është e tillë, sa herë shihja femra të zbukuruara në rrugë dhe në rrjete sociale unë bëja krahasimin me gruan time dhe seç më dukej e shëmtuar.
Kështuqë fillova ta nënvlerësoja pothuajse totalisht. Edhe kur qëndroja në shtëpi unë rrija në telefon, ndërsa kur isha jashtë shtëpisë as nuk interesohesha në mund t’ia dilte. Megjithatë ajo nuk u ankua. Ishte shumë e durueshme me mua dhe asnjëherë nuk më rëndoi me fjalët që i meritoja të mi thoshte.
Kjo gjendje vazhdoi deri tani, kur në botë u përhap pandemia. Mua më liruan nga puna dhe po qëndroj më gjatë në familje. Zoti deshi të ma hap gjoksin dhe të ma kthjellojë mendjen time. Arrita ta shihja përsëri atë femren e fuqishme dhe të pathyeshme.
Gruaja ime zgjohet e para në mëngjes dhe fle e fundit. Ajo kujdeset për ushqimin tim, për pastërtinë time, për edukimin e fëmijëve të mi. Një ditë vendosa t’i analizoja më detajisht punët e saj.
Ajo u zgjua para orës gjashtë dhe pasi lau fytyrën doli dhe pastroi oborrin, erdhi brenda dhe na përgatiti kafet, e pastroi shtëpinë dhe e përgatiti mëngjesin, kur u zgjuan fëmijët i veshi, u dha për të ngrënë, pasi hëngrëm mëngjes na shërbeu me çaj, pastroi tavolinën dhe enët, pastaj i pastroi fëmijët dhe u ndërroi rrobat, nxori nga lavatriçja rrobat e lara dhe i vendosi për t’u tharë, futi rroba tjera për t’u larë. Pastaj i mësoi fëmijët matematikë, tutje i nxori në oborr për të luajtur. Më pastaj erdhi dhe i hekurosi rrobat e thara dhe i vendosi në dollap, ndërsa të tjerat i nxori për t’u tharë. Fëmijët të cilët ishin zhytur duke luajtur i pastroi dhe ua ndërtoi rrobat, pastaj i vuri në gjumë. Dhe gjersa fëmijët ishin në gjumë, ajo u mor me ca fatura të shtëpisë dhe kontrolloi ushqimet në kishim mjaftueshëm, ndërkohë e përgaditi një ëmbëlsirë të cilën ma shërbeu me kafe. Pasi pastroi enët e tortës dhe filxhanët e kafesë ajo u fut në kuzhinë për të përgatitur darkën. Dhe ende pa mbaruar darkën u zgjuan fëmijët. Meqë ishin djersitur ua ndërroi sërish rrobat, më pas rrobat e thara i hekurosi dhe i vendosi në dollap, futi të tjera për t’u larë.
Na shërbeu darkën, qajin, pastroi enët…
Më pas i ndërroi qarqafët dhe na shtroi për të fjetur. Dhe vetëm kur fëmijët i zuri gjumi ajo u mbyll në dhomën e punës. E përcolla nga tinëz pasi dera ishte gjysmë e hapur. Ajo u ulë në kolltuk, duke i mbajtur duart në mes nga dhimbjet, nxori një libër të cilin e kishte në përfundim dhe pasi e mbylli e nxori një fletore në të cilën shkruajti titullin e librit dhe kuptova që për një muaj kishte lexuar 11 libra.
Më mbërtheu vaji. E vështrova nga majat e gishtërinjëve gjerë në maje të kokës. Pas gjashtë viteve u dashurova në të sërish. Sa më shumë po e sodisja aq më e bukur më dukej. Fytyra e pagrimosur dhe e zbehur sikur bënte dritë, dritë kjo që mi kishte verbuar sytë dhe nuk kisha parë qartë.
Flokët e zeza që lëshoheshin supeve ishin sikur fije mëndafshi plotë hijeshi. E veshja e saj reflektonte modesti dhe pastërti.
U ndjeva kaq i turpëruar për vetën, për të. M’u duk kaq e paarritshme sikur dikur. Pata frikë se ishte mësuar me sjelljen time arrogante dhe kur të përmirësohesha nuk do të mund të më duronte. Sa situatë e sikletshme kjo, sa shumë distancë kisha krijuar me të duke e pasur kaq afër, sa shumë e kisha nënvlerësuar duke qenë kaq e ngritur.
Bashkëshortja ime qenka gruaja e ëndrrave të mia. Ajo qenka heroina e ditëve të mia të vështira dhe qetësia e ditëve të mia të zhurmshme. Ajo qenka nderi dhe krenaria ime. I kërkova falje shumë sinqerisht dhe falë Zotit e gjeta falëse dhe të mirëkuptueshme. E tillë është ajo, e tillë ka qenë gjithmonë. Por unë isha verbuar. Ah, sa pendohem.
Tani po përpiqem çdo ditë për të rregulluar gabimet e mia dhe për t’i zëvendësuar me kujdes dhe dashuri./supergrate.net/ KultPlus.com