12 Mars, 2019 - 11:30 am
Ndue Ukaj
Para 27 vitesh kaloi në amshim shkrimtari i madh, Martin Camaj, jeta dhe vepra e të cilit përbëjnë një ekzemplarë të veçantë ne letërsinë shqipe dhe një rrëfim që të ngjeth trupin. I lindur në Temal të Dukagjinit, Camaj shkoi në Kolegjin Saverian, ku para tij u edukuan shumë shkrimtarë dhe dijetarë shqiptarë. Aty mori bazat e para të formimit klasik, të cilat i thelloi nëpër qendra të ndryshme të dijes dhe të kulturës. Djaloshi i ri, la malet Temalit, “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit” dhe zbriti në Shkodrën e kulturës- dhe në kolegj, pati fatin të kishte për rektor, eruditin At Zef Valentini. Por, shkollimi iu ndërpre në vitin 1946, kur regjimi barbar komunist ndaloi përfundimisht aktivitet e kolegjit. Dhe, nga këtu, kaloi 4 vite të vështira në Prekal dhe vendosi të largohej nga atdheu.
Ky moment shkaktoi një termet në shpirtin e tij dhe shpërtheu si dashuri përvëluese artistike.
Atëbotë kur ideologjia e urrejtjes staliniste lëshonte rrënjë në Shqipëri, Camaj ishte i ri dhe i edukuar me frymë lirie e ndërgjegje refuzuese, prandaj, nuk deshi ta bjerrtë lirinë shpirtërore dhe vendosi ta braktiste vendin. Arshi Pipa, gjithashtu një i arratisur, duke e shpjeguar këtë akt thotë se, “Martin Camaj është tipiku i intelektualit europiano-lindor që, për arsye politike, braktis atdheun dhe shëtit nga një vend në tjetrin. Po me të ngulitur diku- e ndërkohë s’është më i ri në moshë-e kupton se është e pamundur për të, të lëshojë rrënjë në tokën e re. E përndjek nostalgjia për atdheun e vet. E nëse qëllon të jetë shkrimtar, do ta shprehë këtë nostalgji duke u përpjekur të sillet rreth një teme- bazë, atë të humusit të vet kulturor”.
Pra, Camaj, nuk iu nënshtrua terrorit ideologjik, deduksioneve të shëmtuara komuniste dhe u bë shtegtar. Ky veprim, krijoi thyerje në jetën dhe shpirtin e tij. Sepse, janë dallgët e atdheut të trazuar, që do ta ndjekin çdoherë pas. Është ajo copë Itake që i rri e thadruar në ndërgjegjen e tij, rreth së cilës krijoi hartën e tij shpirtërore dhe letrare. Larg atdheut, poeti ka mall, dhimbje, kujtime e dashuri për njerëzit dhe natyrën; ndjesi këto që bëhen kristale rrezatuese e imazhe fantastike që e formësojnë botën poetit të madh- dhe një poezi krejt të veçantë dhe të papërsëritur në letërsinë shqipe.
Shqipëria komuniste ka treguar urrejtje të çmendur kundër njerëzve me formim dhe kulturë perëndimore, çfarë ishte Camaj. Përkundër këtij fakti, Camaj i dha shumë artit, kulturës dhe albanologjisë shqiptare, duke u bërë shëmbëlltyra e një shkrimtari të urtë, që shkruan për dashurinë ndaj njeriut dhe vendit të tij, dhe e refuzon gjuhën e gjarpnit, siç thotë në poezinë “Tregimi i thjeshtë”.
Camaj ka shkruar shumë poezi të mrekullishme, që të magjepsin për gjuhën e ambël poetike, për tingujt e jashtëzakonshëm dhe për fuqinë e thellë të mendimit.
Camaj mbetet shkrimtari më i përkori në historinë e letërsisë shqipe. I vetmuar, si askush, larg atdheut, si një “Uliks që s’mbërrinë kurrë në Itakë”, (Primo Shllaku), ai gjithmonë e ruan tonin e kryengritësi të prajshëm: shkruan pa bërë bujë, pa figura të drejtpërdrejta, pa retorike e mendime të angazhuara. Ai nuk flet nga urrejtja, por nga dashuria përvëluese, dhe kjo është një nga veçantitë e artit të tij.
Ai rrugëton kah Itaka, me vargje e figura që kanë burimin te vendlindja e tij, ku janë të ruajtura doke e zakone të vjetra. Dhe, në rrugën e letërsisë, i magjepsur nga librat- magjia e tekstit- si një murg, qëmton i paepur botën e madhe të letërsisë. Dhe shkruan botën e tij të bukur, atë botë të përkorë poetike, lartësitë e së cilës i ngjajnë bukurive të alpeve shqiptare.
Për Ernest Koliqin, Camaj është poeti i “bindun se u pajis nga natyra me nji talent të hollë e njeherit të fuqishëm”.
Shkrimtari Jorge Luis Borges, te ligjërata e famshme për poezinë, shkruan: “estetika është aq e qartë, aq e drejtpërdrejtë dhe aq e papërcaktueshme, sikurse dashuria, sikur shija e një fryti, sikur uji. Ne ndjejmë poezinë, ashtu sikur e ndjejmë afërsinë e një femre ose sikur e ndjejmë aromën e maleve apo thellësinë e detit.” Me këtë përkufizim, ai sikundër limitonte mundësitë e interpretimeve letrare, dhe i jepte përparësi shijimit të poezisë, siç i ndiejmë dhe shijojmë gjërat e bukura: dashurinë, detin, malet. E një i ditur si Borgesi, sigurisht se këtë mendim e nxirrte nga përvoja e bujshme, si shkrimtar dhe lexues i kultivuar. Ky mendim pak autorit i shkon për shtati sa Camajt, poetit që duhet të lexohet, shijohet dhe të përjetohet.
Ka një kohë të gjatë prej kur poezinë e Camajt e kam si shujtë të përditshme. E lexoj dhe e rilexoj, kënaqem, mallëngjehem, argëtohem dhe përpiqem të edukohem estetikisht nga ajo.
E admiroj pafundësisht dhe për shumë arsye, por po i veçoj dy imanente dhe esenciale: e para, përmes artit të tij e kuptoj sa e bukur dhe sa e ëmbël është gegnishtja jonë, “shtëpia e qenies” së kulturës e identitetit kulturor shqiptar, ku banon poeti dhe kultura disashekullor i shqiptarëve; dhe e dyta: nëpërmes artit të tij, ndjej deri në thellësi të shpirtit kënaqësinë e leximit, atë kënaqësinë estetike, që ta ofron vetëm një art madhështor.
Camaj është titan i republikës së letrave shqipe, i papërsëritshëm në gjuhë dhe në stil, kurse poezia e tij është një fortifikatë e mbrojtur nga socrealizmi dhe ideologjia komuniste. Ai nuk e përjetoi agimin e lirisë, agsholin e ngjarjeve magjike, kur poezia e tij do të kthehet bujshëm në duart e lexuesve të etur për diçka tjetër: për një poezi që rri përtej duzinës së poezisë të shkruar nën ndikimin e instruksioneve dhe deduksioneve socrealiste.
Camaj e vulosi punën e madhe të tij, duke treguar shëmbëlltyrën e një shkrimtari shpirtin e të cilit e mbizotëron dashuria, prandaj ai shkruan: “S’due me qenë si moti i lig”.
Camaj u nda nga kjo jetë, në kohën kur Shqipëria e tij e dhimbjeve dhe dashurisë, po ngjitej në trajektoren e lirisë, duhmën e së cilës e ëndërroi, por s’e përjetoi. Ai nuk e përjetoi as kohën kur vepra e tij pranohet nga lexuesit dhe studiuesit.
Dhe, në një ditë si kjo, kur e kujtojmë artin e tij të madh, nuk ka sesi mos t’na kujtohet poezia e tij antologjike “Koha e lules”, e cila fillon me vargje kumbuese:
“Sonte më lajmruen se ka vdekë nji njerí
prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunija âsht e vetmja shtyllë guri
kur andej gardhit fluturojnë
shëgjetat e akullit.”
Një trishtim të tillë duhet ta ketë ndierë edhe letërsia shqipe me rastin e humbjes së poetit të madh, meqë e kishte të paktë dhe të mangët fuqinë e dashurisë të cilën e promovonte arti i tij.
Kurse sot, vepra e tij na thërret të ndërgjegjësohemi dhe ta refuzojmë gjuhën e helmit dhe të gjarpnit, siç bënte poeti në poezinë “Tregimi i thjeshtë” dhe të përqafojmë gjuhën e artit dhe të pendës./ KultPlus.com