28 Gusht, 2019 - 2:30 pm
Nuk ka asnjë dyshim se Winston Churchill, burri i madh që qante mes rrënojave të së kaluarës së tij parlamentare ishte një udhëheqës më i mirë, sepse kishte kaluar një jetë të tërë duke u përgatitur për rolin e tij.
Por ka pasur një periudhë në të njëzetat dhe tridhjetat e tij – në epokën e largët Eduardiane – kur suksesi ia kish bërë me sy në skenën botërore dhe kur energjia e një karakteri më të ri dhe të vrullshëm ishte nën komandën e tij.
Aventurat dhe përvojat e hidhura të atyre viteve të para ishin themelore për të formuar njeriun që triumfoi në Luftën e Dytë Botërore…
Në vijim, do t’ju njohim me 27 nga thëniet më të bukura të Winston Churchill dhe historinë e tij, për ata që duan një përshkrim të hollësishëm për burrin e pushtetshëm – Winston, para se të bëhej kryeministri Churchill…
Fanatik është ai që nuk mund të ndërrojë mendje dhe nuk dëshiron të ndërrojë temë.
Shakaja është një gjë shumë serioze.
Gënjeshtra ka shkuar deri në gjysmë të botës, përpara se e vërteta të ketë mbathur pantallonat.
Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi; një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.
Politikani ka aftësinë të parashikojë se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe e ka aftësinë pastaj të shpjegojë pse parashikimet nuk ndodhën.
I burgosuri i luftës është një njeri që përpiqet të të vrasë ty, dhe pastaj të kërkon ty – të mos e vrasësh atë.
Paqebërësi është ai që: Përpiqet ta ushqejë krokodilin, duke shpresuar se ai do ta hajë atë të fundit.
Kritika mund të mos jetë e pranueshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin funksion që ka dhimbja në trupin njerëzor. Ajo tërheq vëmendjen ndaj gjendjes jo të shëndoshë të gjërave.
Vështirësitë e mposhtura janë mundësi të fituara.
“Ngrënia e fjalëve” nuk m’’i ka bërë asnjëherë keq tretjes.
Çdokush e ka ditën e tij dhe disa ditë zgjasin më shumë se të tjerat.
Historinë e shkruajnë fitimtarët.
Sado e bukur të jetë strategjia, unë herë pas here vështroj rezultatet.
Jam gjithnjë gati të mësoj, sado që asnjëherë nuk më pëlqen të më japin mësim.
Më pëlqejnë derrat. Qentë na shikojnë ne nga lart. Macet na shikojnë nga poshtë. Derrat na trajtojnë si të barbartë.
Unë jam i prirur dhe i stërvitur të kem mirëkuptimin e plotë me njerëzit që dehen.
Unë kam marrë më shumë nga alkooli se alkooli ka marrë nga unë.
Unë do të dehem, Zonjushe, por në mëngjes do të jem esëll dhe ti do të jesh prapë e shëmtuar.
Nuk më shqetëson asnjëherë veprimi, por vetëm mosveprimi.
Nëse hapim një grindje midis së shkuarës dhe të tanishmes, atëherë do të kuptojmë se kemi humbur të ardhmen.
Në luftë mund të vritesh vetëm një herë, ndërsa në politikë shumë herë.
Është gabim të shikosh tepër larg përpara. Vetëm një hallkë e zinxhirit mund të kapet në një kohë të caktuar.
Më mirë është të kesh pushtet për të dhënë, sesa të marrësh.
Politika nuk është lojë, është biznesi më serioz.
Sukses do të thotë të shkosh nga dështimi në dështim, pa e humbur entusiazmin.
Suksesi nuk është final, dështimi nuk është fatal: trimëria për të vazhduar është gjithçka.
Perandoritë e së ardhmes janë perandori të mendjes.
“Nuk është gjithmonë e mjaftueshme ta bëjmë më të mirën. Ndonjëherë ne duhet ta bëjmë atë që kërkohet.”
“Argumenti më i mirë kundër demokracisë është biseda pesë minutëshe me votuesin mesatar.”
“Mësimi më i madh në jetë ësht ta kuptosh se madje edhe budallenjtë ndonjëherë kanë të drejtë.”
“Çmimi i madhështisë është përgjegjësia.”
“Një fjalim i mirë duhet të jetë si fustani i një gruaje: mjaftueshëm i gjatë për ta mbuluar subjektin dhe mjaftueshëm i shkurt për të zgjuar interes.”
“Të gjitha gjërat e mëdha janë të thjeshta dhe shumë prej tyre mund të shprehen në një fjalë: Liri, Drejtësi, Nder, Shpresë.”
“Është më e lehtë të sundosh një komb, sesa të rrisësh katër fëmijë”.
“Kam arritur shumë gjëra, sepse nuk e shpenzoj energjinë time kot.
Unë nuk rrij në këmbë kur mund të ulem, kurrë nuk ulem nëse mund të shtrihem.”
“Gjithçka që dua është pajtueshmëria me dëshirat e mia, pas një diskutimi të arsyeshëm”.
“Ruajtja e parave është një zakon i mirë, veçanërisht nëse është bërë nga prindërit tuaj”.
“Ka shumë gënjeshtra të tmerrshme për botën, dhe më e keqja është se gjysma e tyre janë të vërteta”.
“Njerëzit janë të mirë në mbajtjen e sekreteve që nuk i dinë”.
“Një pesimist e sheh vështirësinë në çdo rast; Një optimist e sheh shansin në çdo vështirësi”
“Të përmirësohesh do të thotë të ndryshosh; Të përsosesh, do të thotë të ndryshosh shpesh”.
“Është gabim të shikosh shumë përpara. Vetëm një hallkë në zinxhirin e fatit mund të mbahet sot”
“Të gjithë njerëzit bëjnë gabime, por vetëm njerëzit e mençur mësojnë nga gabimet e tyre”.
“Suksesi është që të kalosh nga dështimi në dështim, pa e humbur entuziazmin”.
“Ju kurrë nuk do të arrini në destinacion, nëse ndaloni dhe godisni me gurë çdo qen që leh”.
Kur Winston Churchill hyri në Parlament, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 1900, ai ishte 26 vjeç, dhe tashmë i famshëm. Ishte regjistruar ose kishte shërbyer në jo më pak se 4 konflikte të përgjakshme, në Kubë, Afganistan, Sudan dhe Afrikën e Jugut – dhe ka diçka të frikshme mënyra se si skenat e aventurave të tij të hershme do të vazhdonin të na faniteshin më shumë se një shekull më vonë.
Këto kishin qenë materiale për pesë librat që ai tashmë i kishte botuar (një prej tyre ishte romani i vetëm, Savrola), si dhe copëza gazetarie.
Ai shijoi aventurat dramatike në Luftën e Boerëve, u burgos përpara se të arratisej, dhe më pas u rikthye t’i tregonte botës për këto aventura, duke lëvizur në të gjithë vendin me një leksion plot slide – Power Point-i i asaj kohe, prej druri – me titull “Lufta siç unë e pashë”.
Ky i fundit do të ishte edhe nëntitulli i vëllimeve të mëvonshëm të kronikave të luftës së Dytë Botërore, raporton bota.al.
Përpara se të bëhej deputet ai u nis për të bërë më shumë para (ndonëse më pak se shpresonte) në një turne nëpër Amerikë për të dhënë leksione.
Më tej, iu rikthye skenës politike. Dhe çfarë kthimi… I zgjedhur si konservator, ai sulmoi partinë e tij dhe më pas kaloi nga liberalët në vitin 1904.
Më pak se dy vjet më vonë, liberalët fituan zgjedhjet e përgjithshme dhe Churchilli do të mbante poste ministrore për dhjetë vitet e ardhshme.
Në 1908 ai ishte në kabinet; në 1911 ai ishte Lord i Parë i Marinës. Dhe deri në fundin e 1915, pasi kishte udhëhequr flotën më të madhe mbi Tokë, në fillimin e luftës më të madhe që kish parë historia, karriera e tij kishte pësuar kolaps. Një 40-vjeçar me një të ardhme të madhe prapa krahëve.
Kjo është historia dramatike e rrëfyer tek “Young Titan”. Michael Shelden ka bërë emër si biograf letrar, me një seri librash mbi brezin e jashtëzakonshëm të shkrimtarëve anglezë, të lindur pikërisht në atë dekadë të parë të shekullit të kaluar kur Churchilli po përgatitej për karrierën e tij: Graham Greene, Cyril Connolly dhe George Orwell.
Libri i tij i ri është një shkëputje, por që bën dallim. Ai ofron një portret të gjallë të një të riu teksa formohet, aq ambicioz sa edhe i aftë, dhe i dhënë pas parasë: asnjë njeri në moshën e tij, i mburrej ai të ëmës, “nuk do të kish mundur të fitonte 10 000 stërlina pa patur kapital, në më pak se dy vite”.
Siç e përshkruan Shelden, Churchilli kërkonte një grua ashtu sikurse dhe karrierë e para, dhe fillimisht pa shumë sukses. Ai jetonte nën hijen e të atit, Lord Randolph Churchill, i cili kishte shkatërruar në mënyrën më të keqe të mundshme karrierën e vet politike dhe pastaj, në moshën 45 vjeç, kur Winston ishte 20, kish vdekur prej sifilizit.
Pastaj ishte Lady Randolph, me emrin e lindjes Jennie Jerome of Brooklyn, nëna xhepshpuar, paksa e krisur dhe shumë irrituese e Churchillit.
Nuk ka të dhëna për dëfrime të tepruara beqarie të Winstonit, dhe si Sheldeni por edhe shumë autorë të tjerë mund të konkludojnë që qejfet nuk ishin prirja e tij. Ajo që dihet është që Pamela Plowden dhe Ethel Barrymore e kishin lënë, përpara se ai të takonte Clementine Hozier.
Churchill kishte formuar tashmë një miqësi të ngushtë me Violet Asquith, bija e kryeministrit dhe Violet nuk kishte ndonjë mendim të mirë për Clementine, kur Churchilli u martua me të në vitin 1908.
Por kjo mund të ketë qenë xhelozi, dhe Clementine më vonë rezultoi të ketë qenë një prej zgjedhjeve më të mira që Churchillli ka bërë në jetën e tij. “Pyes veten se si kam bërë që kam jetuar 23 vjet pa ty”, i tha ajo Churchillit.
Aventurieri i jashtëzakonshëm, Wilfrid Scawen Blunt, ai vetë një person i dhënë pas grave, me siguri kishte të drejtë kur pa tek Churchill-ët një çift të lumtur jashtë të zakonshmes.
Në vitet që mbulon libri “Young Titan”, Clementine lindi dy vajzat e mëdha dhe djalin, Randolph, i cili do të shndërrohej në një problem.
Ndërkohë që Shelden na fut në disa prej kontradiktave më të hidhura të asaj periudhe plot turbulenca si dhe rolin e Churchillit në to, që nga e drejta e votës për gratë deri tek sundimi në Irlandë, ai neglizhon disa kauza të tjera të mëdha politike të epokës.
Por pastaj, vetë Churchilli, pa ndonjë instikt apo bindje fetare, kishte shumë pak interes për betejën e ashpër për edukimin sektarian që vendosi konservatorët dhe Kishën e Anglisë nga njëra anë, kundër Liberalëve dhe kishave kundërshtuese.
Pavarësisht gjithë kësaj, personaliteti i paqëndrueshëm i Churchillit është e vështirë që të kategorizohet ideologjikisht; Shelden e bën të qartë që ai ishte një politikan instiktiv dhe jo reflektiv. Disa prej instikteve të tij ishin të mirë.
Ai ishte gjithmonë një imperialist dhe, sipas standardeve, një racist, por ai dënonte “vrasjen e indigjeneve dhe grabitjen e tokave të tyre”. Ai nuk ishte një egalitarian social, por ai bëri “punën e kazmës”, siç thotë Shelden, për Ligjin Kombëtar të Sigurimeve të vitit 1911, që hodhi themelet për mirëqenien sociale të mëvonshme.
Ai ishte për rendin dhe ligjin, përfshirë ndëshkimin kapital. Por ai vetë ka thënë se “më rëndoi shumë”, kur iu desh që të firmosë dënimin e parë me vdekje, kur ishte Sekretar i Punëve të Brendshme dhe, siç ka thënë George Orwell më vonë, ai ishte miku më i mirë që kanë pasur ndonjëherë të burgosurit, jashtëzakonisht human në shqetësimin e tij për mirëqenien e burrave dhe fëmijëve që mbaheshin në burgjet e pista të Britanisë.
Të thuash se ky libër i admirueshëm është më mirë se trilogjia e William Manchester, kompletuar kohët e fundit nga Paul Reid, nuk është se thua shumë, por në disa drejtime krahasohet fare mirë me disa prej veprave të tjera për Churchillin. Sigurisht që ka edhe këtu boshllëqe.
Churchilli ishte një njeri që gjithmonë e ndante më dysh opinionin, me admirues të ngrohtë dhe kritikë të fortë, dhe Shelden priret nga admirimi. Por ai mund të kish bërë më shumë për të shpjeguar mospëlqimin dhe mosbesimin që frymëzonte Churchilli, i cili shihej si një oportunist pa parime (“i llojit amerikan”, ishte epiteti që i vishej më shpesh kur e kritikonin).
Churchilli është veçanërisht i vështirë të mbrohet në kohën e “Qëndrimit të Fundit”, siç e quan Shelden, kapitullin përmbyllës pas nisjes së Luftës së Madhe në 1914. Ai i kushton jo më shumë se një paragraf fushatës fatkeqe në Galipoli, për të cilën Churchilli ishte jo vetëm mbështetësi kryesor, por që për pak sa nuk solli edhe fundin një herë e mirë të karrierës së tij: “Me një befasi të habitshme, karriera e tij meteorike shpërtheu në ajër”. Ne mund të jemi mirënjohës që ajo më vonë u rigjallërua, por ky rrëfim shpjegon për të rrëfyer përse ajo po shkonte drejt fundit.
Afër mesnatës, në një të shtunë në maj 1941, një valë avionësh u shfaqën mbi Londër, me siluetat e tyre përkundrejt një qielli të ndriçuar prej Hënës. Teksa kaluan zhurmshëm mbi Urën e Westminster, rrugë të tëra shpërthyen në flakë, zjarret u ndezën pranë Westminster Abbey, dhe predhat tronditën kullën e Big Benit.
Shumë shpejt flakët po përfshinin sallën e Dhomës së Përfaqësuesve. Çatia u shemb, galeritë po ashtu dhe një rrebesh me hekura dhe suva zuri poshtë rreshtat e karrikëve me lëkurë ngjyrë të gjelbër, ku aq shumë debate ishin zhvilluar gjatë dekadave. Vetëm muret e djegur mbetën në këmbë.
Ditën tjetër në pasdite, ndërkohë që pjesë të Londrës vazhdonin të digjeshin dhe era e tymit ndihej ngado, Winston Churchilli erdhi në Parlament që të inspektonte dëmet. Kjo ishte pranvera e dytë e luftës së Adolf Hitlerit kundër Britanisë së Madhe, dhe Churchilli po mbushte vitin e parë si Kryeministër.
Për befasinë e të gjithëve, kulla e orës – ndonëse e nxirë dhe e mbushur me shenja predhash – i qëndroi sulmit, dhe akrepat e Big Benit vazhdonin të rendnin. Duke qenë se sulmi kishte ndodhur gjatë natës, vetëm pak njerëz kishin qenë në ndërtesë, dhe numri i të vdekurve ishte i kufizuar në tre, përfshirë dy policë.
Por, në të gjithë Londrën, numri i viktimave ishte i tmerrshëm, me më shumë se tre mijë të vrarë apo të plagosur. Do të rezultonte nata më e keqe e Blitz-it. Teksa lëvizte nëpër rrënoja, Churchilli u ndal pranë disa trarëve të djegur dhe i hodhi një vështrim solemn shkatërrimit rreth e rrotull. Pa çati, rrënojat ndriçoheshin me një rreze të zbehtë drite që mezi hynte brenda, ndërsa ajri ishte i trashë me pluhur.
Nuk kish asnjë relike për të shpëtuar, asgjë të re për të mësuar për metodat e armikut. Në një kuptim, kjo ishte thjeshtë më e fundit në një listë të gjatë ndërtesash që vuanin furinë e luftës moderne. Por, sigurisht, këtu kishte një viktimë më të madhe – ishte goditja e drejtpërdrejtë mu në zemrën e jetës politike britanike. Me një sulm të vetëm bombarduesit e Hitlerit kishin shembur shtëpinë e një prej ansambleve më të rëndësishme demokratike. Siç do të thoshte vetë Churchilli më vonë: “Dhoma jonë e vjetër e Përfaqësuesve është bërë copë e çikë”.
Humbja ishte personale. Kryeministri kishte kaluar një pjesë të madhe të jetës në këtë sallë, duke filluar me paraqitjen e tij në të si anëtar i ri 40 vite më herët, kur ishte një djalosh i ri me flokë të kuqe, sytë ngjyrë blu dhe një fytyrë djaloshare. Këtu, siç do të thoshte edhe vetë, ai mësoi “zanatin e tij”. Në këtë ndërtesë babai i tij – Lord Randolph Churchill – kish qëndruar si aleat i Disraelit dhe kundërshtar i Gladstone.
Në Galerinë e Grave nëna e tij e lindur në Amerikë – Jennie e pathyeshme – kish parë me krenari teksa i biri mbante fjalimin e parë. Kish debatuar këtu me miq dhe me armiq – që nga ditët e para të shekullit kur i kishte bërë ballë makinerisë politike të Joseph Chamberlain deri në kohët më të vona kur kishte sfiduar gjykimin e djalit më të vogël të Joe, Beville, i cili e kish nënvlerësuar aq shumë Hitlerin në vitet tridhjetë.
Këtu ai kishte shijuar momente triumfi dhe kish pësuar humbje; kish mbajtur fjalime brilantë dhe, ndonjëherë, ndonjë fjalim të kotë; kish fituar admirimin e shumëkujt; dhe kishte zemëruar jo pak vetë.
Në një rast të paharrueshëm në fillim të karrierës së tij, një kundërshtar kishte kërcyer përpjetë gjatë një debati të ashpër, kish marrë vëllimin e Spikerit të Dhomës ku përmbaheshin rregullat e debateve dhe e kish hedhur në drejtim të tij, duke e goditur në fytyrë, e duke i shkaktuar një plagë prej ku shumë shpejt nisi të rrjedhë gjak.
Gjatë krizës së abdikimit të vitit 1936, kur ishte përpjekur të ofronte fjalë mbështetjeje për Eduardin III, ulërima proteste kishin mbushur Dhomën, duke e bërë të heshtë si dhe duke nxitur disa ta parashikonin se karrierës së tij politike i kishte ardhur fundi.
Historisë i pëlqejnë fituesit dhe pamja e një Churchilli të moshuar, fitimtar ka lënë për një kohë të gjatë në hije historinë e djaloshit plot ambicie që doli në skenë dhe kuptoi se kishte arritur më shumë se sa duhej dhe që u largua nga detyra me reputacionin të bërë copë.
Megjithatë, në shumë drejtime, periudha e hershme është më shumëngjyrëshja e karrierës së tij politike dhe ajo është kyçe për formimin e karakterit të tij. Ishte një kohë e gjallërishme, e mbushur me dramë, intrigë politike, kurajë personale dhe llogari të bëra keq.
Churchilli mendoi se shansi i tij për madhështi do t’i vinte herët në jetë dhe për një njeri kaq të pandalshëm dhe plot ambicie, pritja e gjatë ishte e vështirë të durohej.
Në kohën kur u bë Kryeministër në moshën 65 vjeç, ai ishte më shumë se gati për detyrën dhe ishte në gjendje t’i ofronte botës pak a shumë atë që ajo pret prej heronjve të saj – përveç ngazëllimit dhe efektin magjepsës që vetëm rinia e ka.
Nuk ka asnjë dyshim se burri i madh që qante mes rrënojave të së kaluarës së tij parlamentare ishte një udhëheqës më i mirë sepse kish kaluar një jetë të tërë duke u përgatitur për rolin e tij. Por ka pasur një periudhë në të njëzetat dhe tridhjetat e tij – në epokën e largët Eduardiane – kur suksesi ia kish bërë me sy në skenën botërore dhe kur energjia e një karakteri më të ri dhe të vrullshëm ishte nën komandën e tij.
Aventurat dhe përvojat e hidhura të atyre viteve të parë ishin themelore për të formuar njeriun që triumfoi në Luftën e Dytë Botërore. Karriera e Winstonit të ri filloi me ëndrra suksesi që nxitën një ngjitje politike spektakolare, por që përfundoi me dështime dramatike, duke sjelle një rënie po aq spektakolare.
Në moshën 40 vjeçare ai konsiderohej një njeri që i kish lënë pas tashmë ditët e tij më të mira. Shlyerja e premtimit të rinisë do të bëhej sfida e madhe e jetës së tij më vonë. / KultPlus.com