19 Janar, 2022 - 2:15 pm
Shkruan: Hermes Kafexhiu
Më pyesnin se nga cili vend vija. Ishte një turmë e madhe që nuk e dinte çfarë e priste. Njerëz të hutuar, të menduar por me peshën e madhe të së shkuarës të hedhur pas. Edhe të lirë mund të them. Ishin të lirë. Ndjenja e çlirimit bashkonte gjithçka.
Turma dukej sikur tregonte pamjen e një nate buzë një mëngjesi të shumpritur.
-Nga vjen? -më pyeti një nga të huajt.
-Unë? – e pyeta
-Po, po ti, je mirë? Mos ki frikë, këtu nuk do t’ju bëjë keq njëri.
-Unë vij nga një vend ku gratë në jug i këndojnë vdekjes dhe ku burrat në veri i thurin lavde krenarisë. Vij nga një vend i ngatërruar nëpër këmbët e kohës. Nga një vend i pafajshëm që nuk ka ditur asnjëherë të pushtojë. Vij nga një vend ku liria më shumë është ndjerë e shtegtuar se vetë shpendët që shtegtojnë. Vendi im martonte vajzat që në djep pa e njohur dashurinë dhe burrat urrenin gratë kur nuk bënim djem që t’i kishin gati për luftë ose për punë. Vendi im dogji shtëpitë e zotit. Vij nga një vend ku karrocat dominonin në një kohë kur Europa kishte shpikur mbi 20 marka makinash. Vij nga një vend ku njerëzit mblidheshin për të parë dasmat pas dritares dhe soditnin sikur të ishin mbledhur për një film. Vij nga një vend ku dhe varfëria është vjetëruar. Por vij dhe nga një vend ku përveç paradokseve zakonore dhe prapambetjes, ka plot bukuri. Bukuria fillon nga një qytet i quajtur Vlora që shtrihet mes një natyre të bekuar në bardhësinë e kripës, ku jeta afër detit është dhe pranë malit. Më pas kalëron mbi kokën e reve dhe mund të shohësh një vend me ca shtigje të rralla në veri si Valbona dhe Thethi të ngjashëm me mendime që shkojnë afër jetës së panjohur të parajsës. Mbi të gjitha vij nga një vend i pafajshëm, i mbetur prej dymijë vjetësh si një Gavrosh i vocërr krejt i pa rritur dhe i paaftë për të qenë pushtues. Vij nga një vend dyshues me frikëra të forta për të njohur veten nga një vend endacak që ende nuk është dashuruar me lirinë. Vendi im i ngjan jetës së Fiorentino Arizës i cili priti deri në plakje dashurinë. Unë vij nga Shqipëria nga një vend që ende pret…/ KultPlus.com