26 Janar, 2018 - 4:15 pm
Shkruan: Ndue Ukaj
Gjuajtja me armë është akt primitiv dhe nuk ka të bëjë asgjë me traditën burimore shqiptare. Është deformim i traditës. Për më tepër, të flitet për traditë të gjuajtjes me armë, në shekullin XXI, dhe në Parlamentin e një shteti që aspiron të bëhet pjesë e familjes së popujve të emancipuar perëndimorë, është marrëzi. Është e turpshme. Është neveritëse.
Popujt e emancipuar të perëndimit, flasin për avancim dhe perfeksionim të rendit demokratik, për zhvillime marramendëse teknologjik, për të drejta të njeriut, për zbulime shkencore, arritje në kulturë e dije, ndërsa në Parlamentin tonë justifikohen dhe arsyetohen aktet jonormale të një zyrtari të lartë të shtetit.
Ky është shembull i shëmtuar që përçohet te rinia e Kosovës. Prandaj, sot, me plot të drejtë, qytetarët e Kosovës, kanë arsye të plotë të ndihen të mërzitur dhe trishtuar me nivelin e përfaqësueseve të tyre, të tubuar rreth një koalicioni qeverisës pa kurrfarë koncepte politike./KultPlus.com