18 Qershor, 2023 - 7:30 pm
Këto ditë Teatri “Avdush Hasani” doli me shfaqje premierë, dramën ‘Requiem’, me autor Mehemt Kraja dhe regjisor Naser Shatrolli.
Nga Agron Gërguri
Teksti i Mehmet Krajes trajton çështje të lëvizjes (apo lëvizjeve)kombëtare të shqiptarëve të Kosovës në përpjekje për emancipim politik dhe çlirim me synime tē mëvetësimit dhe bashkimit. Veprimtari e cila në nismë është farkuar në sisteme të treshit mëpastaj e organizuar në parti e organizata që kryesisht kishin në emërtim larinë dhe çlirimin. Kjo përpjekje e cila në vitin 1968 e nxorri flamurin për të vazhduar me betejën në vitin 1981, me kërkesen që dera e
74 – tës duhej zgjeruar kundrejt pushtetit i cili atë derë donte ta mbyllte me parmak që përfundimisht u këputen në vitin 1999.
Me një dozë të realitivizimit të rëndësisë së palëve, thjeshtëzuar në enverist (Republika-Bashkimi Kombëtar) titist (Kushtetuta`74) tash kur Republika është e shpallur, duken teprim (kjo ka të bëjë me tekstin e shfaqjes) ngase sikur janë të njëjtësuara palët ndërvepruese apo se autori amputon zhvillimet dramatike duke i trajtuar si kryekput farsike dhe groteske që pasqyrohen e nuk zbërthehen. Mirëpo vëlimet përbrenda, të kryepersonazhit Sheremetit(Besart Zeneli) dhe çasja prokreative e regjisorit Shatrolli na qonë në bërthamë të çështjes për të gjetur psehet që e kanë tunduar lëvizjen bashkë me konfliktet brenda llojit në rrugën e finalizimit të qëllimeve politike që kulmoj me shpalljen e Pavarësisë që disa prej veprimtarëve si puna e Sheremetit ishin jashtë procesit, përkundër veprimtarisë dhe kjo i bënë të ndihen të parëndësishëm. Kuptimin apo keqkuptimin e kësaj “parandësie”(lexo margjinalizimi) Sheremeti mundohet ta gjej duke shkruar libër, në përpjekje për ta vendosur veten aty ku mungon.
Demaçi bazament i veprimtarisë
Lëvizja ilegale, siç sinjalizon regjisori, me portretin e Demaçit ngjitur në makinën e shkrimit ka pasur për bazament(lexo frymëzim) veprimtarinë e tij.
Marrëdhëniet midis personazheve autori i shfaqjes i trajton duke fuqizuar konfliktin e brendshëm bazuar në qëllimet, ambiciet e dilemat deri te flirtimet midis shokëve dhe shoqeve të ilegales që nganjëhere kanë qenë përcaktuese për karakterin e veprimit të tyre duke e tejkaluar kështu steretipin e trajtimit farsik dhe grotesk. Edhe pse operimin e mirëfillt dramatik nuk e “mirëpret” teksti i Krajës i cili kryesisht është bazuar në veprime foljore, regjisori në rrëfimin e tij skenik “paralel” ka injektuar situate dramtike të ndërtuara estetikisht domethënshëm.
Derisa Kraja e ka thjeshtëzuar rrëfimin , Shatrolli me fjalorin e tij regjisorial nxjerr e fuqizon kuptime, me shenja e simbole siç është kazani në të cilin zihen qorba e ambicieve e melmësuar me patriotizëm, ku digjen shkrimet e Sheremetit, e qelin lulet plastike të përkujtimit.
Stonimi gjatë këndimit të Himnit Kombëtar, Pavarësinë e lë pa tekst
Temës, në dukje të trivializuar, regjisori i çaset kreativisht shqyrtueshëm duke depërtuar nën rrogoz dhe për të nxjerr në pah se realacioni titist – enverist është ngre mbi çështjen e jo sistemet dhe ende nuk ka shteruar interpretimet dhe të kuptuarit e veprimtarisë përtej personazheve të dramës: Sheremetit dhe Demushit. Dikush stonojë gjatë këndimin të Hymnit Kombëtar dhe erdhi Pavarësia si kompromisi me Hymnin pa tekst.
Edhe pse shumë çështje ashtu si qendrimet politike të Sheremetit në shfaqjen “Requiem” nuk kanë lëvizur vendit, ngase siç thotë ai …”gjithë na është dashur një dashnore dhe një spiun” dhe mbase kështu duke ruajtur dhenët me ujk është dekonspiruar çështja pa e ditur se dekonspirues ishinë vetë ata që pyesnin kush, siç i ndodhë Sheremtit andaj shiu bie shpesh për të pastruar mëkatet. Pra në zhvillimet politiko – patriotike të viteve që requiemisht i trajton shfaqja përveç titistëve dhe eneveristëve kishte edhe palë tjera, dashnore e spiujë si adrenalinë e veprimtarisë në rrugën e dashurifrikës nëpër të cilen ka ecur çështja.
Urime Pavarësia
Sheremeti dhe Demushi si dy skaje të mendësisë kombetare një ditë të bukur zgjohen në Kosovën e pavarur. Asnjeri i kënaqur me rezultatin e angazhimit të tyre politikë. Njeri donte bashkim kombëtar tjetri në bashkësinë jugosllave shihte përspektiven e zhvillimit dhe Kosova Republikë erdhi si kompromis e mundësi pajtimi. Kjo situatë e re në dukje groteske bëhet realitet edhe për Sheremetin dhe Demushin dhe kur këtë realitet ata e pranojnë, tek atëhere u bie adrenalina(lexo ambicia) politike. Sheremeti akuzon të tjerët për diçka që kishte bërë vetë duke e portokallizuar çështjen.
Kur e zbulon vetëveten atëhere nxjerr rakinë e fshehur jo të festoj por i kapluar nga pesha e fajit ndihet i parëndësishëm pasi që e humbur dashnoren, gruan dhe fëmijët e gjenë mbështetjen tek Skenderbeu për të mos u rrëzuar nga “Urime Pavarësia”. Dilemat mbesin.
Operim brenda gjuhës specifike të regjisurës
Regjisura e Shatrollit deshifron dhe krijon nëntekste, dialogon me tekstin e Krajës për të nxjerr në dritë skenike figura e fotografi të ndërtuara me finesa artistike duke e vu në funksion të këtij trajtimi skenografinë(mjeshtër Artan Hasani), ndriçimin(mjeshter Skender Latifi) dhe kolonat muzikore për të na e thurur një rrëfimi për një kohë të idealeve që ende rrjedh.
Mizanskenë e pastër ku veprojnë personazhet si Shermeti i Besart Zenelit në dukje i qetë por që digjet s’brendëshmi për ngjarjet që po zhvilloheshin pa te. I futet requiemshkrimit duke mbledh copëza revolte nga e kaluara për ta ushqyer shperthimin në raport me idealin të cilin e ka “tradhëtuar” vetë, duke e ndërtuar kështu karakterin e personazhit në kohën aktive të shfaqjes.
Muhamet Zeka (Demushi) i kishte mishëruar bukur në interpretim karakteristikat kryesore të personazhit në fytyrën e një pushtetari komunist cili duke e ditur veten se kush është po mundohej të gjej rrugën për të mbijetuar duke pranuar rezultatin politik që dikur e kishte gjykuar. Edhe partiturat e aktoreve Sindi Çitaku, Valire Haxhijaj-Zeneli ishin në funksion të shfaqjes bashkë me Ramadan Malajn – Badin dhe Gani Morinën të cilēt e kompletuan nuanca të kararakterve në fotografinë e shfaqjes. Freskia skenike në interpretim dhe në kompletimin e idesë së aurorit të shfaqjes ishin edhe dy aktorët e rinje Yzeir Meha dhe Albana Gashitë cilët me kreacionin e tyre përshfaqen idenë e qendrimeve kritike që jo rrallë mund të identifikohen si konflikt gjeneratash.
Kontribut për realizimin e shfaqjes dhanë edhe Ardiana Mehmeti: ass regjisore, kosumografe:Flutura Dedinja, Përzgjedhjae e muzikës: Mithat Ramadani, ndriçues: Jeton Berisha, puntor skene: Arton Mustafa dhe dizajni: Dalmat Dobra./KultPlus.com