25 Prill, 2019 - 5:00 pm
Arjeta Shala
Flutura Açka me krijimet e saj sjellë një frymë të re në letërsinë shqipe, një frymë feministe që deri vonë nuk ishte e pranishme në letërsinë shqipe, e madje ishin edhe të rrallë emrat e shkrimtareve femra në këtë letërsi, e që në korpusin e krijimtarisë së saj, ajo me romanin “Të ftuar në rrethin e dhjetë”, shënon veprën e gjashtë më radhë.
Përmes tri personazheve Gjenezës, Gentit e Majlës që kanë historinë e njejtë atë të emigrimit, e që takohen për festën e pesëdhjetë-vjetorit, Açka do të shpërfaq një histori shqiptare me narracion paralel që lëviz herë në të tashmën, e herë përmes retrospektivës në të kaluaren, ku fiksionalja merr permasat e reales, për të reflektuar një realitet shqiptar që ishte aktual dikur në Shqipëri. Këta tre miq të vjetër të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana e në kohë të ndryshme, do të ribashkohen jo vetëm për të festuar, por edhe për ta rikujtuar një jetë të lënë diku pas brigjeve te Adriatikut.
Komedia Hyjnore e Dantes i shërben si paramodel për veprën “Të ftuar në rrethin e dhjetë”, autores Flutura Açka. Tashmë në këtë vepër nuk kemi rrugëtimin e Dantes me Virgjilin, por të tre shqiptarëve, për ta sjellë rrugëtimin dantesk në një epokë moderne, një mbijetesë shqiptare ndër kohë, si dhe krijimin e një rrethi që ndër të gjitha nga autorja projektohet për shqiptaret.
“Rrethi që Danteja nuk e kishte menduar kurrë, shtatë shekuj me pas ka njerëz që nuk i nxe asnjë rreth i tij, që nuk i nxe asnjë pisëhane, që kanë aq shumë mëkate e faje bashkë , që kanë tashmë një kompleks të tillë fajesh, të paparashikuara nga Dante.”1
Autorja nuk e ndërton rrëfimin në një linjë narrative, gjatë këtij projektimi fragmentet e ndryshme të cilat kanë lidhje me pjesën kryesore paraqesin një varg idesh të cilat gërshetohen mes vete, për të dhënë më shumë se një tematikë, një zbërthim misteri, e një kushtim për dashurinë njerëzore, për dashurinë si sublimim që nuk e zhbën as koha. Autorja paraqet psikën e individit, në trajtimin se si e kaluara mund të ndikojë në jetën e njeriut, si dhe “parajsa” e së tashmës ka një lidhje inerte me dromcat e ferrit të së shkuarës. Rrëfimi ndërtohet me narrator të gjithëdijshëm, që rrëfimi dominon mbi përshkrimin.
Autorja luan me kodet me shenjat, numri tre shënon një simolik të veçantë, tri personazhe, tri jetë, tri shndërrime në tri identite të reja, personazhi kryesor me tri martesa të kaluara, kjo si një kalesë në tri faza nëntokësore danteske: ferr, purgator, dhe parajsë, por që parajsa asnjëherë nuk u arrit në
jetën e personazheve. Emrin personazhit kryesor ia vë Gjenez, kjo si artikulim i një domethënjeje që gjithçka i ka rrënjet në gjenezën shqiptare, në histrorinë e saj, në botën e errët të së kaluarës, dhe në të ardhmen që mban hijet e jetës paraprake.
Raporti, e shkuar-e tashme, përbën një zingjir ngjarjesh që bëjnë determinimin e së ardhmës, një lidhje e pashkëputshme që ka të bëjë me njerëz, kujtime, e jetë të së kaluarës. Raport ky, i cili forëcohet në fundin që paraqet zbulimin e një misteri, të vrasjes së babait të Majlës, fund që forcon dramaticietin dhe jep pikën kulmore të romanit në relacionin, e shkuar-e tashme.
“Ne do të vdesim me këtë të shkuar, ajo do të na hajë edhe atë që na ka mbetur”2
Liria e cila nuk është asgjë tjetër pos të vepruarit, pa shtërngime sipas dëshirave , interesave, qëllimeve, si dhe aftësia e vetëvendosjes në zgjedhje, është determinim kyç i kërkimeve të autores, duke eksploruar në të kundërtën e lirisë, burgun, diktaturën, e ikjen, për të fokusuar domethënjes e jetës nën mungesën e lirisë. Mungesa e lirisë, si dhe emigracioni e dërgojnë individin drejt një lëkundje identitare, dhe formësimi “të detyruar”, në një shtetas dhe njeri tjeter, në një tehuajësim. E kështu jo rastësisht Flutura e ndërton tematikën përmes tri personazhve që janë zhvendosur në tri vende të ndryshme larg Shqipërsisë, që kanë krijuar identitet të ri, e madje thekson e rithekson që nuk njihen që ishin nga Shqipëria.
“Që të kuptosh djegën për identitet, lëre një adoleshent plot ego në një mjedis inferior, ai jo vetëm do ta refuzojë, por do ta shkulë nga vetja çdo gjurmë të ti , si të jetë një çiban, një njollë që nuk hiqet, ai e urren atë ajër që ka thithur dhe do të përpiqet ta tradhëtojë atë së cilës i përket.”3
Identitarja, ky domen i rendësishme i jetës shqiptare, që fillon të dekonstruktohet, dhe vetëm gjeneza të mbetet diku nën hijen shqiptare sa për të thënë që kanë lindur atje.
Autorja trajton edhe problemet ekzistenciale koherente të njeriut, të ndjenjave, të moralit, që jeta projektohet duke u udhëhequr herë nga racionalja e herë nga ndjenjat, si në raportin e Gentit me Majlën.
Açka fut si intertekst një mori citatesh nga Dante, por edhe autor të tjerë që shpërfaqin erudicionin e autores. Vepra përmban dy nivele leximesh, që gjithashtu nënkupton edhe dy tipa lexuesish, lexuesin model dhe atë të jomodel. Gjuha që përdor Açka shihet që është një produkt i leximeve të shumta, ku brenda vepres kombinon shprehje të ndryshme, e shpesh edhe me përzierje diskursesh mes atij letrar, politik, e poetik, ku dominon ai letrar. Letërsia që Flutura e kultivon shkon drejt qasjes realiste, qasje që herë-herë duhet të kërkohet në kuptimin e dytë, dhe trajtimet e figurshme të fjalës. Ne tërë krijimin e Flutures shohim edhe një krijim feminist ne kahjen dhe të drejtat që i jep gruas drejt lirisë dhe formësimit të saj.
Në tërësi për këtë roman përfundojmë që ka një tematikë terheqëse për lexues, e cila duhet të kërkohet në strukturimin e rrathëve të Fluturës, dhe të sheh rrethin e dhjetë që nuk e kishte menduar as Danteja, e që autorja e projekton për diktaturen komuniste e postkomuniste, për vrasjet, të fshehtat, politiken e kalbur përmes emrit të Sejd Bahitit, që është një shëmbëlltyrë e shumë shqiptarve të asaj kohe.