13 Maj, 2018 - 8:58 am
Shkruan Anton Nikë Berisha.
(Dukuri të gjymtimit dhe të shëmtimit të gjuhës sonë)
0 Dukuria e përdorimit të fjalëve të huaja, kur e kemi fjalën në gjuhën tonë, përligj shëmtimin dhe rrënimin e gjuhës
Krahas dukurive të shëmtuara që e cilësojnë rrjedhën e përditshmërisë sonë, janë dhe disa dukuri që dëshmojnë për gjymtime dhe shëmtime të gjuhës sonë – të vetmit përbërës të qenësishëm kombëtare që na dallon nga të tjerët. Këto gjymtime dhe shëmtime i vërejmë në punime të autorëve të ndryshëm, qoftë të botuara në gazeta dhe revista, qoftë në botime të veçanta, sidomos në përkthimet letrare.
Gjymtimi dhe shëmtimi i gjuhës sonë të shkruar sot përligjet sidomos përmes dy mënyrave:
1. përmes shtjellimit gjuhësor sintaksor dhe
2. përmes përdorimit të panevojshëm të fjalëve dhe të shprehjeve të huaja.
Të dy mënyrat janë të dëmshme dhe me pasoja të mëdha.
Është e njohur se leksiku (fjalët) është thesari i një gjuhe, po natyrën e mirëfilltë të saj e bën shtjellimi sintaksor. Me një fjalë, vetëm me mënyrën e shtjellimit të fjalisë, pra në rrafshin sintaksor, përligjet burimësia dhe veçantitë e një gjuhe kombëtare.
Në këtë rrjedhë, po veçoj këtu vetëm dy raste që dëshmojnë shëmtimin e gjuhës sonë: fillimi i fjalisë me por dhe me prandaj.
Të dyja këto fjalë janë lidhëse dhe është e çuditshme që jo vetëm autorë të rëndomtë, por edhe gjuhëtarë i përdorin këto forma.
Dukurinë e kam vërejtur sidomos në përkthimet tona letrare. Brenda një romani të përkthyer, fjala vjen, fjalia fillon me qindra herë me por. Në qoftë se do t’i lejonim vetes dhe ta hiqnin por-in në fillim të fjalisë, në qenësi nuk do të mungonte asgjë. E njëjta gjë do të ndodhte sikur në vend të pikës të vinim një presje dhe fjalinë ta vazhdonim me por (natyrisht duke e shkruar me germë të vogël).
Rëndom lidhëset por dhe prandaj vijnë pas fjalisë kryesore dhe pas presjes. Këtë rregull e gjejmë të thuash në secilën libër të mirëfilltë të sintaksës së gjuhës sonë.
Edhe në fjalorin e gjuhës shqipe jepen një varg shembujsh ku lidhëset por dhe prandaj përdoren pas presjes (natyrisht këtu nuk e shoh të arsyeshme të sjell ndonjë shembull).
Po kështu përdorimi i fjalëve të huaja përligj një shëmtim dhe një rrënim të madh të gjuhës sonë të bërë nga ne vetë. Në qoftë se përdorimi i fjalëve në disa shkenca fundamentale si në kimi, fizikë, astronomi e të ngjashme është deri diku i arsyeshëm (kur na mungojnë fjalët), në veprat letrare poetike kjo nuk arsyetohet në asnjë mënyrë. Shkrimtari i mirë, gjurmues i mirëfilltë i leksikut dhe i shtjellimit të tekstit, i gjen shprehjet poetike me kuptime të përafërta apo të ngjashme. Tek e fundit në një vepër letrare të shkruar në gjuhën shqipe, shkrimtari nuk çmohet për diçka tjetër, por për pasurinë dhe për pastërtinë e gjuhës që përdor, sidomos të gjuhës poetike.
Nuk janë vetëm fjalët që e shëmtojnë të shprehurit poetik të veprave të shkruara në gjuhën tonë, si favor, objektiv, transparent, surprizë, lavaman, denoncim, kadaver, çimiter, dimension, konservoj, preferim, disheza etj. po shprehjet e tëra që e shkatërrojnë mirëfilli dhe prozën më artistike: ia bëri një favor, e kishte shtatit teknikisht, e arriti objektivin e të ngjashme.
Në fund po e përsëris një mendim që e kam thënë në studimin tim “Poetika e fjalëve të gurta – Qasje veprës poetike të Azem Shkrelit” (Argeta LMG, Tiranë 2011): krijuesi që gjakon dhe shpreh rrafshin më të lartë poetik, shpreh rrafshin më të lartë të vetëdijes kombëtare.
Prishtinë, prill 2018