18 Maj, 2020 - 4:05 pm
Arben I. Kastrati
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, i kam takuar të gjithë liderët politikë, në përfundim të tubimeve përkujtimore apo partiake, por asnjëherë të vetme në një shfaqje teatrore. Asnjëherë.
Ashtu sic në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, liderët partiakë nuk kishin shkuar asnjëherë, të shijonin shfaqjet, të vlerësonin kushtet në të cilat punonin aktorët dhe stafi i teatrit dhe as të konstatonin gjendjen e godinës! Ashtu sic asnjëherë, as andej dhe as këtej, nuk kishin pyetur për gjendjen e aktorëve?
Pse liderët partiakë, zgjodhën një godinë kulture, të zhvillonin “betejën e madhe”?! Cila është rëndësia e “fitores së madhe” mbi një godinë kulture? Është impakti që sjell arti.
Nuk dua të flas për godinën e Teatrit Kombëtar. Dhe as nuk e mar të drejtën ta gjykojë vendimin. Mbrojtja e godinës është kompetencë dhe përgjegjësi e bashkisë. Dua të flas për aktorët, viktimat e mendësisë së tyre, që në vend të mbrojtjes së dinjitetit, u rreshtuan në mbrojtje të interesave të partive politike. Si produkt i politikës, ne nuk e jetojmë jetën, por e shtyjmë jetën. Është pikërisht politika, fajtore për gjendjen e padinjitetshme të artistëve. Aktorët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk protestuan kundër politikës, por iu bashkangjitën politikës. Servilizmi që shfaqin ndaj politikës, është i pamoralshëm dhe jonjerëzor. Nuk ka gjë më të pshtirë se kur artistët e teatrit mbrojnë artistët e politikës. Është e pafjalë, renditja me vetëdëshirë e artistëve në mbrojtje të interesave partiake, në dëm të tyre.
Ne nuk meritojmë të mbajmë emrin e profesionit që ushtrojmë. Të qenit artist, është nder dhe privilegj. Ndërsa ne, me lehtësi të papërballueshme, e përdhosim emrin që mbajmë, në këmbim të shijimit të jetës që na e ofron politika, për shërbime. Suksesi që ofron arti mund të jetë i varfër, por shijon. Fundja, arti është përcaktimi ynë. Në atë përcaktim, duhet të rrojmë me dinjitet.
Mund të kriojmë edhe pa godinë, por edhe në godinë luksoze. Por, nuk mund të kriojmë pa njëri tjetrin. Krijimi na siguron pavdekshmëri. Politika na siguron pavdekshmëri, në marri./KultPlus.com