24 Korrik, 2019 - 4:56 pm
Nezir H. Kraki
Pa asnjë gram politikë, shembja e teatrit në Tiranë është sinonim i shembjes së shtetit shqiptar që kurrë s’u ngrit në lartesinë e dinjitetshme të vendit të shqiponjave.
Sot nuk bëhët fjalë për teater por për një truall ultra strategjik për ata që e sollën Ramen në pushtet dhe që e izoluan Shqipërinë kur ajo ishte në prag të daljes nga kafazi. Shqipërinë dhe teatrin i shembin ata që janë më të fortë se shteti. Teatri i Tiranës është thjesht çështje biznesi milionesh me pronat, pallatet, lokalet dhe banimet që do dalin nga ky projekt. Këtu ka çdo lloj halli por jo hall artistik.
Miq të dashur, Tirana i ka 1001 halle bazike me të cilat përballen qytetarët e saj. Tirana nuk ka as hyrje as dalje të denja për një kryeqender. Tirana nuk ka ujë as drita si duhet. Nuk ka as kanalizime si duhet. Nuk ka as parkingje si duhet. Thjesht, Tiranës i mungojnë të gjitha infrastrukturat qe jetën e bëjnë normale. Është qytet i asfiksuar nga ndërtimet e mbindërtimet. Qytet i çrregullt në çdo element të tij.
Me fjalë tjera, Tirana nuk është fare qytet. Është zonë gjeografike e pakufizuar, me popullsi të panumëruar, me banime të paregjistruara, me rrugë të pasigurta, me adresa të panjohura… veç Kinshasa dhe Tumbuktu i afrohen Tiranes për nga çrregulli.
E tash, nëse kjo është Tirana dhe këto janë hallet e qytetarëve të saj, si mundet mendja e shëndoshë ta kuptojë idenë apo nevojen e shembjës së teatrit?!
Çka i sjell konkretisht kjo Tiranës? A krejt janë rregulluar
deri te teatri?
A do kalojë aty ndonjë metro moderne apo kjo prishje është pjese e nje plani
strategjik global për Tiranën e denjë?!
JO! Është thjesht plan banditesk lokal që bosht strategjik ka parcelen e tokës
në zemër të Tiranës. Ndryshe nuk kuptohet kjo urgjencë për shembje.
Fatkeqesisht, shteti bandit dhe autoritar rrëzon edhe shtepi e spitale, edhe kisha e xhamia, por asnjëherë nuk do ta rrëzojë përpjekjen tonë për dinjitetin e dhunuar të vendit të shqiponjave.
Prandaj, miq t’dashur, lini anash partitë dhe bandat, mendoni një minutë për të nesërmen. Kush do shkojë në Teatrin e ri pallat dhe cilin spektakël do ta shikojnë fëmijët tuaj?
Me këtë cikël të poshtër, i vetmi spektakël që do shikohet aty, do jetë ai i një populli të pashpresë të dhunuar deri në dinjitet nga matrapazë politikë që kurrë s’u ngopen.
Pa politikë, të gjithë kundër shembjes së Shqipërisë. / KultPlus.com