2 Nëntor, 2020 - 9:53 am
Regjisori Besim Ugzmajli, në shfaqjen e tij “Kontrolli dhe makina e dashurisë”, ka sjell një sprovë teatrore të lirimit nga kontrolli totalitar duke promovuar një teatër sa filozofik po aq edhe kosmologjik
Nga Afrim Demiri
Ferizaj, nëntor:- Për regjisorët teksti dramatik mbetet forma e veçantë e leximit skenik. Një sprovë kjo, që ata shpesh i çon në eksperimente të ndryshme dhe në përshtatje të pashmangshme. Por kur ndodh që regjisori të inskenon tekstin e dramës së vet, atëherë ky lexim mbase bëhet me kompleks. Kjo i ka ngjarë regjisorit Besim Ugzmajli në shfaqjen e tij të fundit “Kontrolli dhe makina e dashurisë”, e cila pati fatin të punohet gjatë kohës së pandemisë dhe premiera të jepet në rrethana të veçanta pandemike. Por këto ditë u dha për publikun në kuadër të Festivalit, Kosovo Theater Showcase 2020, të organizuar nga Qendra Multimedia. Duke qenë autor i tekstit dhe njëkohësisht regjisor, Ugazmajli, ka sjell një sprovë teatrore të lirimit nga kontrolli totalitar, duke promovuar një teatër sa filozofik po aq edhe kosmologjik. Çka e bën këtë shfaqje kaq komplekse? E shtrirë në mes rrafsheve të ekzistencës dhe të fanti-shkencës së sofistikuar, personazhet prej karaktereve tradicionale është dashtë të transformohen në ato jotradicionale dhe kështu ata herë fluturojnë në Udhën e Qumështit e herë bëhen pjesë e Zoobotës. Dmth, Makro dhe Mikro bota dalin në skenë të pandara, gjë që i jep shfaqjes një element shumë aktual. Por kur në dramë fillon të zë vend psikoanaliza dhe të shfaqen elemente edhe të egoizmit, sadizmit etj., kompleksiviteti i saj edhe më shumë theksohet. Pastaj kontrolli dhe testimi ndaj dashurisë deri tek embrioni si dhe elementet e kuantizmit i sjell në një vend të gjitha teoritë mbi të vertetën absolute. Këtu fillojnë të shfaqen konturat e një teatri filozofik si dhe atij kosmologjik. Skena sikur ndahet në një simetri boshtërore: pjesa ballore bartë lojen idilike të dashurisë së çiftit, të cilën e pret në prapavijë, ekipi i kontrollit i doktorit i cili do të matë të vërtetën e dashurisë së tyre. Nën një atmosferë të ankthit frankeshtajnian cenohet liria e individit deri në mohim të qenies së tij njerëzore dhe të drejtës për të dashuruar. Në të vërtetë teatri filozofik tek ne pak apo aspak ka zënë fill, një teatër në të cilin do të duhej që idetë ekzistenciale të barteshin deri tek publiku nëpërmjet gjuhës skenike, kurse për teatrin kosmologjik të mos flasim. Siç dihet qysh në teatrin grek kanë zënë fill këto qasje, duke i ndërlidhur me kultin e besimit në Dionisin, si zoti i vegjetacionit, e verërave si dhe shfaqjet që iu kushtoheshin qenieve qiellore deri në respektim të zotrave. Mirëpo ky lloj teatri është demitizuar me demitizimin e miteve, duke i lënë vend më shumë qasjeve të absurdit dhe atyre ekzistenciale. Por në përgjithësi në hapësirat tona teatrore, teatri filozofik nuk ka provokuar shumë regjisorët.
Shikuar nga ky aspekt drama e Ugzamajlit është një risi në vete dhe shpreh një potencial të fuqishëm të reflektimit dhe të krijimit të situateve të përballjes në këtë Universin tonë të quajtur rastësisht njerëzor.
Në fillim nga dialogjet e thukta shikuesit mund t’i jetë dukur një tekst për të cilën është e ngushtë skena e teatrit, por pastaj krijohen skena, ku me anë të efekteve të dritës që ishin në funksion të një skenografie të padukshme e fusnin shikuesin brenda shfaqjes. Me këtë rast ndodhte një copëzim i ideve nga ato më fundamentale mbi ekzistencën, sa antropologjike po aq edhe sociologjike të njeriut.
E konceptuar nga Ugzmajli si një hapësirë skenike në të cilën aktorët hynë në skenë, e nuk dalin më, krijohej përshtypja se eksperimenti ndaj njerëzve deri në ndërhyrjen bio-gjenetike në ndërrimin e kujtesës së tyre ndodhte në një laborator, që hiç më pak mund të jetë vet kosmosi ynë. Këtu dalloheshin në rolet e tyre çifti i të dashuruarëve, por edhe çifti që dirigjonte tërë shfaqjen e cila shpesh vishej me nje tis argëtues dhe quhej si një shoë. “Ngjarja ne shfaqjen time mëton të ndodh në një hapësirë distopike postapokaliptike, prandaj mënyra e shkrimit ka qenë njëlloj imponimi për arsye të ruajtjes së logjikës përbrenda një hapësire ku morali i “mirënjohur” njerëzor vëhet në pikëpyetje”, është shprehur Ugzmajli, duke treguar se tekstin kishte filluar ta shkruaj më 2016. Intriga dramatike thurrej mbi fuqinë e kontrollit duke i dhënë kuptime fetishizuese makinës së dashurisë si deshifruese e ndjenjave të njerëzve. Kurse, pritja e rezultateve te testimeve krijonte nje paralele rasti me realitetin tonë të këtyre ditëve. Mbi këtë koncept totalitarizmi si formë e autoritarizmit shtrihet përtej ideologjisë dhe merr karakterin e sofistikuar të një neo-totalitarizmi nisur nga zgjerimi i eksperimenteve bio- gjenetike, në krijimin e njeriut teknologjik pa ndjenja , pa moral dhe pa kujtesë. Duke qenë regjisor filmi, Ugzmajli si zgjidhje skenike kishte ndërlidhë edhe video-xhirimet të cilat publikut i ktheheshin si një retrospektivë. Ky efekt i dha shfaqjes elemente multimediale dhe sfondin e skenës e kthente në një ekran i cili mund të shikohej edhe si një pasqyrë e ndërgjegjeve.
Po ashtu shfaqja fitonte edhe një element të misteriozitetit shpesh deri në ndjenja makabër kur shfaqeshin personazhet antropomorfe apo luhej me identitetin e personazheve duke u identifikuar me zog, me peshk apo me thnegla. Duke e mbështet gjithë fuqinë skenike në fjalën e shqiptuar, mbase shfaqja e Ugzmajlit mbetej anemike sa i përket lojës skenike dhe sikur bëhet përpjekje që kjo gjë të kompensohej me efekte të dritës. Gjithashtu zgjidhja për model të makinës së dashurisë, karrigia elektrike, sikur ofron një model të njohur të torturës, mbase në këtë rast është dashtë një zgjidhje më futuriste për ta përcjellë mesazhin futurist të gjithë shfaqjes. “Skenat tona janë shumë të varfura për të realizuar ide të cilat integrojnë aspekte të teknologjisë së lartë brenda konceptit skenik. Mirëpo ne shpeshherë detyrohemi që teatrin si konvencë, ta shtresojmë në konvencë që shpesh herë është e tepruar, kjo kryesisht për shkak se nuk kemi mjete të mjaftueshme teknike për ta prezentuar idenë sa më vizualisht”, shprehet Ugzmajli. Ai ishte kujdes që personazhet e dramës së vet t’i emërtoj me emra paksa të çuditshëm që shpesh tingëllonin larg kontekstit të shqipes, por në anën tjetër ngjashmërinë në mes tingëllimës së tyre Ugzmajli e arsyeton me faktin e depersonalizmit të tyre, një gjë që është qëllimi parësor i totalitarizmit.
Ela, Oso, DR. Guan, Zaza, Az, Oz, Ez, Alfa, Dode, Akuan dhe Rela ishin personazhet që u jetësuan artistikisht nga Uratë Shabani, Valdrin Osmani, Mevlan Saraçi, Blin Sylejmani, Dardanë Mehmeti, Gresë Gashi, Milot Salihu, Sherif Bega, Jajush Ramadani, Kushtrim Emërllahu, Leonora Hasani, Kushtrim Ugzmjali.
Puna me aktorët, nga regjisori Ugzmajli, kishte nxjerr në pah kapacitete të reja kreative të trupës së re teatrore të Ferizajt. Kjo shfaqje teatrore për regjisorin Ugzmajli, ishte një sprovë e re artistike pas shume sukseseve të tij në botën e filmit të shkurtër. / KultPlus.com